Logo
Banner Banner Banner Banner Banner

I. HYRJE E PËRGJITHSHME

 

1.1       Gjyqësori shqiptar doli shumë i dobët nga ndryshimi i sistemit politik të qeverisjes në Shqipëri. Trajnimi i duhur i gjyqtarëve dhe i prokurorëve ishte emergjent për kohën. Në këtë kontekst, krijimi i Shkollës së Magjistraturës së Shqipërisë ishte një ngjarje e rëndësishme që erdhi si rezultat i bashkëpunimit të shtetit shqiptar me Këshillin e Evropës dhe me Komisionin Evropian, i cili ndryshoi thelbin e rekrutimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë. Shkolla e Magistraturës e Republikës së Shqipërisë u krijua si një institucion publik, me autonomi administrative, akademike dhe financiare për realizimin e qëllimeve dhe të detyrave caktuar nga ligji nr. 8136, datë 31.7.1996 Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë (Ndryshuar me Ligjin Nr.9414, datë 20.05.2005).
 
Bazuar në nenin 2 të Ligjit të saj, detyrat kryesore të Shkollës janë trajnimi profesional fillestar i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë brenda një programi tre vjeçar, dhe ai profesional i vazhduar për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë. Shkolla në përputhje me ligjin ose me kërkesë të institucioneve të interesuara, në varësi të kapaciteteve të lira, që i krijohen nga veprimtaria për formimin fillestar dhe atë vazhdues të magjistratëve, si dhe të fondeve përkatëse, që i vihen ne dispozicion nga institucionet përgjegjëse apo donatorët, realizon edhe veprimtari të formimit profesional të punonjësve të administratës gjyqësore, si dhe të profesioneve të tjera juridike, që lidhen me sistemin e drejtesisë.
 
Mbas më shumë se 12 vjetësh aktivitet në fushën e drejtësisë, shkolla renditet si një prej institucioneve më të suksesshme në vend. Kontributi i saj ka ardhur duke u rritur për drejtësinë në shqipëri. Tashmë pothuaj një e treta e gjyqtarëve dhe e prokurorëve janë produkt i Shkollës së Magjistraturës. Nga 641 gjyqtarë dhe prokurorë që punojnë në vend, 208 prej tyre kanë dalë nga Shkolla e Magjistraturës.
 
1.2       Objektivi ynë strategjik i përgjithshëm është që shkolla të vazhdojë të mbajë dhe ta konsolidojë më tej vendin e saj legjitim në strukturën e përgjithshme të sistemit ligjor e gjyqësor shqiptar dhe t’u shërbejë të gjitha palëve në këtë sistem.
 
Ojektivat kryesore programore të shkollës janë:
 
  • Vazhdimi i zhvillimit të mëtejshëm të programeve të Shkolles veçanërisht në drejtim të formimit fillestar dhe atij vazhdues të gjyqtarëve dhe       prokurorëve si dhe të aktorëve të tjerë të drejtësisë.
  • Zhvillimi i metodave të reja, bashkëkohore të mësimdhënies për t’ju përgjigjur më mirë kërkesave të kohës dhe nevojave të drejtësisë.
  • Formimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me aftesitë për të zhvilluar proceset gjyqësore dhe hetimore korrekte, të drejta dhe efikase duke ndjekur   të njëjtën linjë me zhvillimin e reformave ligjore dhe institucionale sipas standardeve ndërkombëtare.
  • Formimi etik dhe zhvillimi i integritetit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’ju përgjigjur kërkesave të zhvillimit të shtetit ligjor, luftës   kundër korrupsionit dhe nevojës për rritjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.
  • Përgatitja e vendimeve gjyqësore dhe akteve të tjera procedurale mbështetur në rregullat moderne të shkrimit dhe arsyetimit ligjor; dhe përdorimi i metodave moderne të interpretimit të ligjeve;
  • Formimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për t’ju përgjigjur procesit të integrimit europian nëpërmjet njohjes dhe interpretimit të legjislacionit të Bashkimit Europian dhe jurisprudencës së Gjykatës së Luksemburgut, të drejtës ndërkombëtare të njohur nga shteti shqiptar.
  • Formimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me frymën e respektimit të të drejtave të njeriut nëpërmjet njohjes dhe interpretimit të KEDNJ dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.
Objektivat institucionale:
 
  • Forcimi i qëndrueshmërisë financiare të Shkollës.
  • Zhvillimi i kapaciteteve pedagogjike duke i dhënë prioritet gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë si dhe trainimit të trainerëve me programe bashkëkohore.
  • Krijimi i burimeve për qëndrueshmëri në buxhetin e Shkollës duke u përqëndruar kryesisht në burimet financiare lokale.
  • Forcimi i bashkëpunimit institucional të Shkollës me partnerët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë.
  • Zhvillimi i burimeve dhe literaturës teorike dhe praktike në fushën e drejtësisë nëpërmjet përgatitjes së studimeve, teksteve, monografive e komentarëve në fushat juridike, si dhe të botimeve të tyre.

Njoftime

Mbylle