Logo
Banner Banner Banner Banner Banner

II. PROCESI I REKRUTIMIT TË GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE

 

2. Konkursi i Pranimit në Shkollë
 
2.1.1        Organizimi i konkursit të pranimit
Çdo vit Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe Prokurori i Pergjithshëm për prokurorët vendosin se sa vende do të ofrohen për kandidatët për magjistratë në Shkollën e Magjistraturës. Ka një konkurs pranimi që mbahet çdo vit për kandidatet për magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë).
 
KonkursI zhvillohen në një ditë, me shkrim në fillim të muajit shtator.
 
Procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë e drejton një juri e caktuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës. Juria e Vlerësimit është e përbërë nga 5 anëtarë, të cilët mund të jenë gjyqtarë, prokurorë, profesorë të së drejtës, juristë të shquar etj. 
 
2.2.            Konkursi i pranimit
Për të fituar të drejtën për të konkuruar, një individ duhet të jetë diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë me mesatare mbi 8 dhe të ketë rezultat të lartë në konkursin e pranimit në Shkollë.
Provimi me shkrim zhvillohet në një ditë për të dy profilet (gjyqtarë dhe prokurorë), gjatë së cilës, në pjesën e parë zhvillohet teza e formimit të përgjithshëm intelektual e cila përmban: Testin e Inteligjencës dhe një Ese, ndërsa në pjesën e dytë zhvillohet testi profesional, i cili përmban pjesën teorike nga fushat e së drejtës, të parashikuara në programin e provimit të pranimit dhe pjesën praktike me dy raste nga praktika gjyqësore. Pyetjet e provimit janë të njëjta për të gjithë konkuruesit dhe caktohen me short të hedhur nga një ose disa konkurues, për secilin grup pyetjesh të ndara sipas fushave.
 
Me fitimin e konkursit të pranimit në shkollë, kandidati për gjyqtar ose prokuror fiton të drejtën për të vazhduar studimet në shkollë në mënyrë që të fillojë karrierën e tij/saj si gjyqtar apo si prokuror mbas përfundimit të formimit profesional 3 vjeçar ne Shkollë.
Afatet dhe kushtet e frekuentimit të Shkollës.
 
Viti shkollor hapet të hënën e parë të muajit Tetor dhe mbaron më 30 Qershor të vitit pasardhës.
 
Periudha e trajnimit zgjat 3 vjet në total. Të trajnuarit marrin një pagë nga shteti, e cila shkon deri në 50% të pagës së një gjyqtari të shkallës së parë për dy vitet e para të shkollës. Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve bëhet mbi bazën e rezultateve teorike dhe stazhit praktik nga këshilli pedagogjik. Magjistratët e emëruar, që pa shkaqe të përligjura heqin dorë apo kërkojnë largimin nga detyra pa kaluar pesë vjet nga emërimi, detyrohen t’i paguajnë Shkollës së Magjistraturës një shumë të hollash që përbëhet nga shpërblimi i marrë gjatë programit teorik dhe stazhi praktik paraprofesional në proporcion me kohën e mospërmbushjes së detyrimit.
 
3.         FORMIMI PROFESIONAL FILLESTAR PER KANDIDATËT PER GJYQTARE DHE PROKURORE
 
Shkolla i ka kushtuar mjaft përpjekje zhvillimit të programit fillestar në mënyrë që magjistratët e diplomuar pranë saj të evidentohen ndër radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me nivel të lartë profesional. Trajnimi i dhënë nga shkolla është një trajnim profesional që ka për qëllim të prodhojë gjyqtarë dhe prokurorë kompetentë, në gjendje të permbushin detyrat që u kerkohen në gjykata dhe prokurori.
 
Formimi fillestar i kandidatëve përfshin një periudhë tre vjeçare që përbëhet nga:
a) Një vit programi teorik me lëndë të ndryshme të së drejtës;
b) Një vit praktik nën kujdesin dhe drejtimin e një gjyqtari ose prokurori me kualifkim të lartë (periudha e stazhit paraprofesional);
c)  Një vit praktik aktiv me ndjekjen e çështjeve më pak të komplikuara nën drejtimin e një gjyqtari ose prokurori (periudha e stazhit profesional);
 
Programi teorik është i përbashkët për të gjithë kandidatët, ndërsa viti praktik dhe viti i stazhit profesional zhvillohen sipas profileve që ka zgjedhur kandidati si gjyqtar ose prokuror.
Për realizimin e Programit të Trajnimit Fillestar, Shkolla mbështetet tek pedagogët me kohë të plotë dhe tek ata me kohë të pjesshme që zenë vendin më të madh. Pedagogët apo trainerët e aktivizuar në programin fillestar të Shkollës renditen ndër ekspertët më të mirë shqiptarë në fusha të ndryshme të drejtësisë. Metodologjia e mësimdhënies në trainimin fillestar përbëhet nga leksione, seminare interaktive, 2 periudha stazhi profesional (aktiv dhe pasiv), gjyqe imituese, praktikë në institucionet e drejtësisë etj. Shkolla vazhdimisht bën përmirësimin e metodologjive mësimdhënëse, për arritjen e një standarti të lartë të teknikës profesionale me qëllim që të ofrohet një drejtësi e besueshme për shtetasit.
 
Në fund të çdo lënde mësimore ka një provim përfundimtar, i cili bëhet për të vlerësuar punën e kandidatëve gjatë vitit akademik. Provimi kryhet nga pedagogu përkatës i çdo lënde mësimore. Përveç kësaj për çdo kandidat bëhet edhe një vlerësim nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës.
 
Mbas përfundimit të vitit të parë teorik, kandidatët për magjistratë kalojnë në vitin e dytë të vitit të praktikës pasive ose vitin e praktikës paraprofesionale. Viti i praktikës pasive kryhet nga kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë në gjykata dhe prokurori të vendit, nën mbikqyrjen e një gjyqtari ose prokurori me përvojë në detyrë. Gjatë vitit të praktikës pasive, kandidatët një pjesë të kohës e kalojnë në shkollë, gjatë së cilës përgatisin tema të ndryshme, zhvillojnë seanca gjyqësore imituese dhe gjithashtu ndjekin kurse praktike të ndryshme si për shembull dhuna në familje, çështjet gjinore, mjekësia ligjore, kriminologjia, çështje të rregjistrimit të pasurive të paluajtshme, e drejta e mjedisit, etj.
 
Mbas vitit të dytë të praktikës paraprofesionale, studentët i nënshtrohen vitit të praktikës profesionale, i cili konsiston në pjesëmarrje aktive në gjykimin dhe hetimin e çështjeve më pak të komplikuara, nën udhëheqjen e një gjyqtari ose të një prokurori me përvojë.
 
Në përfundim të këtij viti kandidatët mbas vlerësimit të tyre marrin emërimin përfundimtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të punuar si gjyqtarë dhe prokurorë.

Njoftime

Mbylle