III.FORMIMI I VAZHDUAR PROFESIONAL I GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË DETYRË
Krahas Programit të Trajnimit Fillestar, Shkolla e Magjistraturës zhvillon dhe formimin profesional të vazhduar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve në detyrë. E drejta e gjyqtarëve dhe e prokurorëve për të realizuar aftësimin në lidhje me trajnimin e vazhduar buron nga ligji për Shkollën e Magjistraturës. Për këtë qëllim zhvillohet Programi i Trajnimit të Vazhduar për gjyqtarët dhe prokurorët, i cili hartohet nga stafi pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë bashkëpunëtorët e saj, të cilët janë gjyqtarë, prokurorë, ekspertë shqiptar dhe të huaj. Programi i Trajnimit të Vazhduar merr aprovimin për t’u realizuar në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
Shkolla dërgon tek të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët kalendarin dhe Programin e Trainimit të Vazhduar si dhe temat që do të trajtohen në sesionet e trajnimit të vazhduar, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët pjesëmarrës të mund të zgjedhin temat në të cilat preferojnë të marrin pjesë. Ajo harton listat e pjesëmarrësve në këto sesione, të cilat më pas miratohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Gjithashtu listat j’u dërgohen kryetarëve të gjykatave dhe prokurorëve drejtues në gjykatat dhe prokuroritë e vendit që të bëhet e mundur një pjesëmarrje efikase në sesionet trajnuese.
Mesatarisht në vit Shkolla e Magjistraturës organizon rreth 60 sesione trajnuese. Sesionet trajnuese janë me kohëzgjatje dy ditore; burimet nga të cilat realizohet mbështetja për sesionet trajnuese janë buxheti i shtetit shqiptar dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtare të Shkollës.
Aktivitetet trajnuese realizohen kryesisht në ambientet e Shkollës së Magjistraturës. Shkolla disponon një sallë konferencash në të cilën realizohen aktivitetet trajnuese, e cila është e pajisur me të gjithë teknikën dhe mjetet e nevojshme për të realizuar trajnimin. Në sallë është instaluar sistemi i audiofonisë me mikrofona për secilin pjesëmarrës, si dhe kabinat përkatëse me pajisjet e përkthimit simultan për të realizuar përkthimin e leksioneve gjatë sesioneve trajnuese në të cilat marrin pjesë ekspertë ndërkombetarë.
Tematika e trajtuar në Programin e Trajnimit të Vazhduar për gjyqtarët dhe prokurorët është e gjerë. Në të perfshihen tema si E Drejta Civile, E Drejta Procedurale Civile, E Drejta Penale, E Drejta Procedurale Penale, E Drejta e të Miturve dhe e Familjes, E Drejta e Punës, E Drejta Tregtare, E Drejta Administrative, E Drejta Kushtetuese, E Drejta Ndërkombëtare Private, Krimi Ekonomik etj. Një pjesë e rëndësishme e trainimit të vazhduar profesional të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës kanë qënë dhe mbeten të drejtat e njeriut, e drejta e komunitetit evropian, teknikat e hetimit të krimit të organizuar dhe të fenomeneve të korrupsionit, trafikimi i paligjshëm i qenieve njerëzore, etika profesionale, çështjet e pronësisë që lidhen me Protokollin 1 të KEDNJ, etj.
Megjithëse drejtësia prek të gjitha aspektet e jetës në shoqëri, nuk është e mundur për një gjyqtar ose prokuror të ketë njohuri të specializuara në gjithçka. Prandaj në temat e aktiviteteve trajnuese zënë një vend të veçantë edhe shkencat ndihmëse, shkencat sociale si dhe teknikat e menaxhimit të gjykatave. Më konkretisht gjatë Programeve të Trajnimit të Vazhduar janë realizuar aktivitete trajnuese në lidhje me probleme sociale të vendit si dhuna në familje; janë dhënë njohuri në lidhje me shkenca të tjera ndihmëse të profesionit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në aktivitetet me teme shkenca dhe ligji si dhe janë realizuar sesione trajnuese në lidhje me mirë administrimin dhe menaxhimin e gjykatës dhe të çështjeve gjyqësore.
Gjatë realizimit të sesioneve trajnuese në shkollë përdoren metoda të tilla trajnuese si seminare ose sesione studimore, në të cilat prezantimet e temave pasohen me punën në grupe në lidhje me raste praktike të ndryshme; kurse institucionale që synojnë të japin udhëzime në fushën e temave institucionale; kurse rajonale dhe lokale, të cilat janë kurse të organizuara në distrikte të ndryshme të vendit; workshop-e, konferenca dhe laboratore të ndryshme, të cilat organizohen përmes diskutimeve të pavarura nën udhëheqjen e një moderatori. Metoda dhe mënyra e organizimit është në funksion të tematikës së aktivitetit trajnues.
Shkolla e Magjistraturës, gjatë zhvillimit të aktiviteteve trajnuese, përdor metoda interaktive, metoda audiovizuale (me power point, video) dhe metoda pedagogjike (si p.sh. studim rastesh praktike, punë në grupe, diskutime, demonstrime dhe simulime situatash).
Programi i Trajnimit të Vazhduar synon të garantojë që të trajnuarit të arrijnë nivelin më të lartë të kompetencës në lidhje me natyrën e funksionit të tyre të ardhshëm. Për këtë, Shkolla ka për qëllim ta drejtojë trajnimin drejt praktikave profesionale me qëllim që t’i aftësojë magjistratët në mënyrë që ata të kryejnë sa më mirë detyrat dhe të zhvillojnë aktivitetet profesionale.

Para