VI. ORGANIZIMI ADMINISTRATIV DHE FINANCIAR
Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë është një institucion publik, me autonomi administrative, akademike dhe financiare, i krijuar me ligjin Nr.8316, datë 31.07.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar me ligjin nr.9414, datë 20.05.2005. Shkolla e Magjistraturës është e vendosur në Tiranë dhe drejtohet nga Këshilli Drejtues i saj, i cili është i përbërë nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, Zëvendës Kryetari i KLD-së, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, dy gjyqtarë, dy prokurorë, dy përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Përgjegjësit e trajnimit Fillestar dhe Vazhdues dhe dy studentë të Shkollës.
Për të realizuar veprimtarinë dhe misionin e saj, Shkolla ka të drejtë të përfitojë të ardhura nga burimet e mëposhtme:
a) nga të ardhurat që akordohen nga buxheti i shtetit; buxheti i Shkollës miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë;
b) nga dhurimet dhe të ardhurat që sigurohen nga donatorë të ndryshëm, vendas ose të huaj të interesuar për aktivitetin e Shkollës dhe që nuk cënojnë qëllimin dhe funksionimin e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) nga të ardhurat e realizuara prej shitjes së botimeve apo veprimtarive me karakter shërbimi që kryen ky institucion;
d) nga pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme që ka në administrim;
e) nga çdo e ardhur tjetër e ligjshme.
Administrata e Shkollës së Magjistraturës kryen detyra me karakter menaxhues dhe administrues. Në krye të administratës qëndron Drejtori i Shkollës. Në strukturën organizative të shkollës bëjnë pjesë Departamenti i Trajnimit Fillestar, Departamenti Vazhdues, Kancelari, Drejtoria Ekonomike, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, Sekretaria Shkencore, Sekretaria mësimore, sektori i bibliotekës, laboratori informatik dhe personeli i shërbimit.
6.1. DREJTORI
Drejtori i Shkollës së Magjistraturës emërohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me propozim të Këshillit Drejtues nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me kualifikim të lartë për një periudhë katërvjeçare me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Drejtori eshte titullari i Shkollës së Magjistraturës dhe përfaqësues i saj përpara institucioneve publike dhe private. Kompetencat e tij/saj percaktohen në ligjin e Shkollës. Në zbatim të ligjit drejtori drejton aktivitetin administrativ, financiar dhe akademik të Shkollës duke garantuar pavarësinë administrative, financiare dhe akademike të saj. Ai/ajo i raporton Këshillit Drejtues të Shkollës në lidhje me aktivitetin e shkollës.
6.2. KANCELARI
Kancelari realizon veprimtarinë financiare-administrative të shkollës, në përputhje me dispozitat e ligjit për Shkollën e Magjistraturës dhe akteve të tjera ligjore, nën autoritetin e drejtorit. Kujdeset për funksionimin e zyrave dhe të shërbimeve dhe ushtron funksionet e shefit të personelit. Kancelari përgjigjet për mbarëvajtjen e punës së administratës së Shkollës, pa spostuar pergjegjësinë e çdo strukture apo punonjësi për të kryer detyrat në përputhje me ligjet dhe rregulloren. Ka përgjegjësinë për organizimin e punës, menaxhimin e personelit dhe ekzekutimin e politikave të funksionimit dhe të veprimtarisë së institucionit.
6.3. DREJTORIA EKONOMIKE
Drejtoria Ekonomike realizon veprimtarinë financiare të Shkollës në përputhje me dispozitat e ligjit për shkollën, të ligjit për buxhetin e shtetit dhe aktet e tjera juridike në këtë fushë. Ky departament bën administrimin e burimeve financiare të shkollës në përputhje me destinacionin e tyre përkatës, mban dokumentacionin financiar, përgatit projektbuxhetin për çdo vit financiar, dhe gjithashtu kryen të gjitha veprimet parapërgatitore në lidhje me ofrimin e kushteve për një proçes të rregullt mësimor. Ajo bën gjithashtu mirëmbajtjen dhe administrimin e ambienteve të shkollës, furnizimin me materialet e nevojshme për aktivitetin e departamenteve dhe sektorëve të tjerë të shkollës.
6.4. SEKRETARIA SHKENCORE
Sekretaria shkencore për Formimin Vazhdues është përgjegjëse për mbarëvajtjen e organizimit të sesioneve trajnuese të parashikuara në kuadër të Formimit Vazhdues për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë.
Sekretaria shkencore kryen shpërndarjen e Programit të Formimit Vazhdues (PFV) dhe hartimin e listës së pjesëmarrësve sipas kërkesave të tyre për çdo program dhe kalendar të ri dhe paraqitjen e saj pranë organeve përgjegjëse për miratim; përgatit dosjen e ekspertëve të PFV; njofton ekspertët, lehtësuesit dhe moderatorët, të paktën një muaj përpara, në lidhje me sesionin trajnues përkatës dhe bashkëpunon me keta të fundit për hartimin dhe përgatitjen e materialeve që paraqiten prej tyre në kursin trajnues; njofton përgjegjësen e programit formues vazhdues në lidhje me kërkesat, ankesat apo pamundësinë e ekspertëve, moderatorëve apo lehtësuesve për të marrë pjesë në trajnimin përkatës; përgatit për çdo sesion trajnues, listën emërore të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas rretheve dhe apeleve qe do të marrin pjesë dhe dërgimin e ftesave të paktën një muaj e gjysëm përpara datës së parashikuar për zhvillimin e sesionit ; administron dhe krijon për çdo kurs trajnues dosjen përkatese; përgatit raportin përmbledhës për çdo sesion trajnues; hartimin e çertifikatave të pjesëmarrësve.
6.5. SEKRETARIA
Sekretaria mësimore administron të gjithë procesin mësimor fillestar në Shkollë. Ajo bën rregjistrimin e kandidatëve për magjistratë që ndjekin programin e formimit fillestar profesional dhe të magjistratëve që ndjekin sesionet e trajnimit të vazhduar. Ajo mban dhe administron dosjet mësimore të kandidatëve dhe gjithashtu frekuentimin e tyre; përgatit materialet për lëndët mësimore dhe provimet e lëndëve. Ajo gjithashtu siguron materialet e nevojshme për të realizuar procesin mësimor.
6.6. DREJTORIA E MARËDHËNIEVE ME JASHTË
Drejtoria e Marrëdhenieve me Jashtë vendos dhe mban marrëdhëniet e shkollës me institucione dhe organizata të vendit dhe të huaja, apo me lektorë të vendit dhe të huaj të përfshirë në procesin akademik, apo gjatë zhvillimit të veprimtarisë së shkollës. Drejtoria e Marrëdhenieve me Jashtë përgatit vizitat e ndryshme të punës së drejtorit apo të stafit pedagogjik në shkollat e magjistraturës të vendeve të tjera; ndjek realizimin e programeve të përfaqësuesve të institucioneve ndërkombetare partnere të ftuara në Shkollë etj.
6.7. BIBLIOTEKA
Biblioteka funksionon në shërbim të stafit pedagogjik dhe të kandidatëve për magjistratë. Ajo vë në dispozicion të tyre sallën e leximit dhe literaturën e nevojshme për realizimin e aktivitetit mësimor në shkollë. Me autorizim të drejtorit, kjo literaturë vihet në dispozicion të juristëve të tjerë për aktivitetin e tyre studimor shkencor.
6.8 LABORATORI INFORMATIK
Krahas bibliotekës është dhe laboratori i informatikës së shkollës. Ai është i përbërë nga një seri kompjuterash në rrjet dhe ofron akses në internet për kandidatët për magjistratë. Gjithashtu, nëpërmjet tij realizohen detyrat e lëndëve të ndryshme në shkollë, si dhe përgatitja e temave të kandidatëve në përfundim të vitit të dytë.

Para