Logo
Banner Banner Banner Banner Banner

Shkolla e pestë verore “Standartet ndërkombëtare dhe bashkëpunimi në luftën kundër korrupsionit”

 

Sekretariati i Rai-t (Iniciativa Rajonale Antikorrupsion) me seli në Sarajevë – Bosnje Hercegovinë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë organizuan së bashku Shkollën vjetore të Verës për Magjistratët e Rinj nga vendet e Evropës Juglindore në periudhën 31 maj – 6 qershor 2010, në Durrës në RSH. I lançuar në vitin 2006 si një forum për shkëmbimin e ideve dhe praktikave ndërmjet gjyqtarëve, prokurorëve dhe investigatorëve të rinj, ky aktivitet u organizua për të 5-in vit radhazi me tematikë “Standardet dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar në Luftën kundër Korrupsionit”.
Shkolla verore për magjistratët e rinj përfaqëson një forum, ku magjistratëve të rinj (gjyqtarë dhe prokurorë) nga Evropa juglindore, iu ofrohen mundësitë për të marrë njohuri dhe eksperiencë në fushën e antikorrupsionit me anë të lektorëve të nderuar, që përfaqësojnë shoqërinë akademike, organizatat ndërkombëtare, dhe organizmat për antikorrupsionin.
 
Për me tepër, ajo krijon mundësinë e vetme për të vendosur një rrjet praktikantësh të rinj, të cilët janë e ardhmja e luftës kundër korrupsionit në vendet e Evropës Juglindore, aktivitet konsistoi në pesë module kryesore trajnimi:

1. Standardet  Ndërkombëtare kundër korrupsionit – zbatimi i konventave përkatëse të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Evropës;
2. Reforma e gjyqësorit dhe antikorrupsioni, si sfida të procesit të pranimit në BE;
3. Rikuperimi i aseteve dhe të ardhurave nga krimi;
4. Politikat e anti-korrupsionit dhe masat parandaluese;
5. Përvoja e BE-së në lidhje me bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar në çështjet penale, me theks në aktivitetin e strukturave si OLAF dhe EUROJUST.

Aktiviteti u hap nga Z. Genc Pollo – Ministër i Teknologjisë së Komunikacionit dhe Inovacionit. Takimin e pershendeti dhe Prof. Dr. Mariana Semini – Tutulani, Drejtore e Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve rajonale për shkëmbimin e eksperiencave të gjyqtarëve e prokurorëve të rinj nga vende të ndryshme të Balkanit, sidomos në cështjet juridike që lidhen me bashkëpunimin ndërkufitar, si dhe me politikat në luftën kundër korruspionit.
 
Magjistratët e rinj kaluan një javë në ambientin akademik përgjatë bregdetit të Adriatikut duke përfituar njohuri dhe përvoje nga lektorë të nderuar nga institucionet publike dhe organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile. Prokurorët dhe gjyqtarët e rinj patën mundësinë për të shkëmbyer ide dhe përvoja ne fushën e antikorrupsionit, të  shkëmbenin komente për pikat e forta dhe të dobëta të punës së tyre të përditshme, pra duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet popujve të vendeve të Evropës Juglindore.

Në aktivitet u përfshinë prezantime nga eksperte nga UNODC, Këshilli i Evropës (GRECO), Universiteti Ekonomik i Vjenës, Misioni EULEX, EUROJUST, EUROPOL, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës. Njëkohësisht Magjistratët e rinj patën mundësinë për të vizituar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Aktiviteti u mbyll me ceremoninë e shpërndarjes së çertifikatave drejtuar nga Zj. Mariana Semini -Tutulani dhe Z. Edmond Dunga – Drejtues i Sekretariatit të RAI-it, mbas një vlerësimi përfundimtar të një kazusi final nga pjesëmarrësit.

Njoftime

Mbylle