Logo
Banner Banner Banner Banner
Banner

Formimi Fillestar

Formimi Fillestar
Banner

Aktiviteti i fundit

Aktiviteti i fundit
Banner

Vizitë Studimore

Vizitë Studimore
Banner

Neshat FANA

Drejtor i SH.M

Konventa për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Në proces ratifikimi.

Kjo Konventë, ndonëse nuk lidhet drejtpërdrejtë me të drejtat e grave dhe fëmijëve, garanton për këto dy kategori subjektesh, nëse bëjnë pjesë në grupin e personave me aftësi të kufizuar, respekt për dinjitetin e tyre si dhe barazi në gëzimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
 
Kjo Konventë është hartuar me qëllim që të nxisë, të mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi të kufizuar të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre. Në kuptim të kësaj Konvente, personat me aftësi të kufizuar përfshijnë individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afatgjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë. Konventa mbështetet në disa parime të rëndësishme si: respekti për dinjitetin, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit; parimi i mosdiskriminimit; respekti për ndryshimin dhe pranimi i personave me aftësi të kufizuar si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; parimi i barazisë ndërmjet burrave dhe grave; respekti për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuar etj.
Një nga parimet themelore mbi të cilat bazohet kjo Konventë është ai i barazisë dhe mosdiskriminimit. Sipas këtij parimi shtetet palë pranojnë se të gjithë personat janë të barabartë përpara ligjit dhe se gëzojnë të drejtën, pa asnjë diskriminim, për mbrojtje të barabartë dhe përfitim të barabartë nga ligji.Në kuadër të kësaj Konvente, shtetet palë marrin përsipër të sigurojnë dhe nxisin realizimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, pa diskriminim të ndonjë lloji për shkak të aftësisë së kufizuar. Shtetet anëtare të Konventës duhet të ndalojnë çdo lloj diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar dhe t’u garantojnë personave me aftësi të kufizuar mbrojtje ligjore të barabartë dhe efektive ndaj çdo lloj diskriminimi dhe në çdo rrethanë. Nga ana tjetër, masat specifike të cilat janë të nevojshme për të përshpejtuar apo arritur de facto barazinë e personave me aftësi të kufizuar nuk do të konsiderohen diskriminim sipas termave të kësaj Konvente.
Konventa kërkon nga shtetet palë që të ofrojnë një mbrojtje të veçantë për gratë me aftësi të kufizuar. Duke pranuar se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuar, janë objekt i një diskriminimi shumëformësh, shtetet anëtare bien dakord përmes Konventës të marrin masa për tu siguruar se ato gëzojnë në mënyrë të plotë dhe të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Të gjitha palët duhet të marrin masat e duhura për të siguruar zhvillimin, përparimin dhe fuqizimin e plotë të grave, me qëllim që tu garantohet ushtrimi dhe gëzimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të përcaktuara në këtë Konventë.
Konventa detajon një sërë masash që shtetet anëtare të saj duhet të marrin për të siguruar gëzimin në mënyrë të barabartë të të drejtave nga personat me aftësi të kufizuar. Disa nga këto masa përfshijnë: ndërmarrjen e fushatave për ndërgjegjësimin e shoqërisë, për të luftuar stereotipat, paragjykimet dhe praktikat e dëmshme lidhur me personat me aftësi të kufizuar; marrjen e masave për të siguruar dhe lehtësuar aksesin e personave me aftësi të kufizuar në mjetet e transportit, informacionit dhe komunikimit; masa për akses efektiv të këtyre personave në organet e drejtësisë; masa ligjore, administrative, gjyqësore apo të tjera për të parandaluar që personat me aftësi të kufizuara t'i nënshtrohen torturës apo trajtimit apo dënimit mizor, çnjerëzor apo degradues; masa ligjore, administrative, shoqërore, arsimore për të mbrojtur personat me aftësi të kufizuar, si brenda ashtu edhe jashtë familjes, nga të gjitha format e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë edhe aspektet me bazë gjinore etj.
Konventa parashikon ngritjen e një komiteti të posaçëm, të quajtur Komiteti për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, si dhe përcakton përbërjen, mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve si dhe funksionet e Komitetit në kuadër të monitorimit të zbatimit të Konventës nga shtetet palë.

Njoftime

Mbylle