Programi i Formimit Vazhdues
EDITORIAL
Përshëndetje të nderuar gjyqtarë e prokurorë,
Përshëndetje të nderuar ekspertë dhe kolegë!
Jeta profesionale dhe personale e gjithsecilit nga ne kalon në shtigje të njohura e të panjohura, disa prej tyre të lehta për t’u ngjitur e arritur dhe disa të tjerë më të vështirë. E rëndësishme është të kuptojmë, se çdo moment në jetën tonë është ecje dhe, në ecje e sipër ne mësojmë hap pas hapi. Ky proces vazhdon në çdo fazë të zhvillimit e të rritjes sonë, ne mësojmë nga njëri-tjetri, mësojmë nga puna, mësojmë nga shkolla, mësojmë nga arritjet, mësojmë edhe nga gabime e pësimet tona e të të tjerëve. Pikërisht një nga këto komponentë institucionalë, atë të mësimit e trajnimit të vazhdueshëm në çdo hap të rritjes sonë profesionale e qytetare realizon edhe Shkolla e Magjistraturës për gjyqtarët e prokurorët në detyrë.
Me këtë botim, po ju vëmë në duar Programin trevjeçar të Trajnimit Vazhdues 2009-2012 të Shkollës së Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë. Duke respektuar kërkesat tuaja, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka miratuar realizimin e rreth 80 aktivitete në vit të cilat bazohen në një kontribut të kombinuar të mbështetjes nga buxheti i shtetit dhe të partnerëve ndërkombëtarë, ku spikat i pari në raportin 5:1.
Përfitoj nga ky rast që të falënderojmë për bashkëpunimin dhe mbështetjen institucionale UNDP, UNIFEM, OSBE, Këshilli i Evropës, MCC, Projekti Spanjoll, GTZ, UNICEF, e të tjerë partnerë, të cilët gjenden në një listë të plotë në këtë dokument. Gjithashtu jemi kujdesur që aktivitetet të diversifikohen në drejtim të rajonalizimit të tyre, përveç realizimit në standardin e zakonshëm në Tiranë, pranë Shkollës së Magjistraturës.
Siç e vini re, programi është ambicioz edhe në sasinë e aktiviteteve edhe në cilësinë e tyre. Shkolla e Magjistraturës është tashmë një vend i mirënjohur për trajnimet vazhduese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është programi i tretë trevjeçar i Trajnimit Vazhdues, ku faqe pas faqe dhe aktivitet pas aktiviteti, kalohet nga fushat më të rëndësishme të dhënies së drejtësisë nga fusha civile, pronësore e kontraktore në atë procedurale civile, nga fusha penale e dënimit, fajit dhe rrezikshmërisë shoqërore në atë procedurale penale, nga fusha familjare e mbrojtjes së familjes dhe e interesit të të miturit në atë administrative në gjykimit administrativ, të aktit administrativ e kontratave administrative, nga fusha kushtetuese në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar, nga fusha e etikës profesionale tek ajo e shkrimit dhe arsyetimit ligjor, nga fusha e alternativave të zgjidhjes së konflikteve tek ajo e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e të tjera.
Secili prej jush ka të drejtën e zgjidhjes së tij për aktivitetet ku do të marrë pjesë duke nisur nga nevojat dhe kërkesat personale e institucionale për trajnim. Kjo zgjedhje duhet të gërshetohet me detyrimin ligjor që çdo gjyqtar dhe prokuror të marrë pjesë në 12 ditë trajnim në vit, ose në gjashtë aktivitete. Jemi të sigurt që kërkesat dhe pritshmëritë tuaja për trajnim nuk lidhen vetëm me detyrimin ligjor për pjesëmarrje, por edhe me dëshirën e vazhdueshme për në trajnim. Procesi i trajnimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës synon të rritjen dhe përmirësimin e shprehive praktike të njohjes dhe të zbatimit të ligjit, prandaj në çdo sesion diskutimi i problemeve të përditshme praktike dhe shkëmbimi i eksperiencave, vlerësohet si një nga mundësitë praktike të unifikimit të zgjidhjeve ligjore.
Duke ju falënderuar të gjithëve për bashkëpunimin dhe mbështetjen, mbetemi gjithmonë të mirëpritur për ide, komente e sugjerime që do të pasurojnë dhe përmirësojnë këtë program trajnimi dhe do të rrisin mundësitë për të plotësuar kërkesat e nevojat tuaja praktike për trajnime.
Drejtore
Prof. Dr. Mariana SEMINI-TUTULANI
Nëntor 2009
Shkarkojeni Programin e Formimit Vazhdues ketu...

Para