PUBLIC STATEMENT 12.06.2024

DEKLARATË PËR PUBLIKUN

MBI DISA DEKLARATA DHE AKUZA TË PAVËRTETA TË BËRA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË TË DATËS 10 QERSHOR 2024

Shkolla e Magjistraturës shpreh shqetësimin se deklaratat dhe akuzat e pavërteta të bëra në mbledhjen plenare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndaj procesit të rekrutimit të zhvilluar në muajin prill 2024, janë një cenim i rëndë për veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës, sulm ndaj pavarësisë së saj, një përpjekje për denigrim të autoritet të saj, për të shkaktuar pasojën e drejtpërdrejtë të hedhjes baltë mbi konkurrentët, magjistratë të ardhshëm, që me meritën e tyre janë shpallur fitues në këtë konkurrim.

Shkolla e Magjistraturës garanton se procesi i rekrutimit të kandidatëve për magjistratë ka qenë përherë një proces i bazuar tërësisht në meritë, i pavarur dhe në përputhje të plotë me ligjin. Shkolla ka marrë të gjitha masat për të njohur e vlerësuar meritën e konkurrentëve vetëm dhe përmbi bazën e njohurive dhe aftësive të tyre profesionale. Fituesit vlerësohen të tillë nga një Komision i pavarur, që është sjellë e do të sillet përherë në mënyrë profesionale.

Pjesëmarrësit në konkurrim gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e njohura nga ligji dhe Rregullorja e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës. 

Këtë proces meritë dhe transparent ne e vlerësojmë thelbësor për edukimin e pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm, ndaj ka mbetur e do të mbesë i tillë. Ky element përbën themelin e sistemit të ardhshëm gjyqësor. 

Shkolla do të vazhdojë të nxisë me përgjegjësi qëndrueshmërinë dhe integritetin e sistemit të përzgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve të ardhshëm, për shkak se besojmë thelbësisht në barazinë e shanseve të kandidatëve pjesëmarrës, si parim themeltar i sistemit demokratik.

Aludimet me keqdashje, për parregullsi apo për shpallje fitues të konkurrentëve pa meritë, nuk kanë asnjë mbështetje ligjore apo faktike, por janë përpjekje për të dëmtuar Shkollën e Magjistraturës, sistemin e drejtësisë dhe për të cenuar besimin e publikut në drejtësi. 

Sulme të vazhdueshme janë organizuar përgjatë gjithë viteve të veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës, si shfaqje zakoni e përpjekjeve që synojnë mbajtjen e sistemit gjyqësor dhe anëtarëve të saj, të përgojuar, përdhosur e nënshtruar. Këto përpjekje kanë marrë përgjigje me vendosmërinë, paanësinë, integritetin dhe profesionalizmin e treguar nga Shkolla.

Shkolla e Magjistraturës ka kontribuar, përkrahur e mbështetur Reformën në Drejtësi, ka bërë përpjekje të lavdërueshme për të lehtësuar e furnizuar shërbimin gjyqësor përgjatë viteve të zbatimit nën përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për suksesin e saj. Dhe, do të vazhdojë ta bëjë duke pasqyruar për gjithë sistemin gjyqësor shembullin e pavarësisë, dinjitetit dhe profesionalizmit. Ne mendojmë se thelbi i Reformës në Drejtësi ka qëndruar pikërisht në këto elemente parësore, të cilat synohen të ushqehen tek anëtarët tanë të sistemit që nis nga merita në përzgjedhjen e tyre.

Shkolla e Magjistraturës do të vazhdojë të kontribuojë në projektet madhore profesionale dhe ligjore për të cilat vendi ynë ka nevojë, siç është edhe kontributi vendimtar në hartimin e projektit të ri të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ne urojmë që projekti i arrirë, paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë të gjejë sa më parë rrugën ligjore të diskutimit të tij për dobinë e sistemit të drejtësisë penale të Shqipërisë. 

Akuzat personale të bëra ndaj Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, paraqesin një shqetësim serioz për funksionimin e organeve më të larta të sistemit të drejtësisë dhe për mbrojtjen dhe respektimin e dinjitetit njerëzor. Ato shfaqin mungesë respekti ndaj institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar, kanë synim të kërcënojnë këdo që me përgjegjësi dhe profesionalizëm nuk bëhet pjesë e paligjshmërisë, por kërkon dhe jep drejtësi me punën e tij.

Shqetësues për çdo anëtar të sistemit të drejtësisë, përfshi edhe drejtësinë kushtetuese, është paraqitja kokëposhtë, cenuese dhe joetike e faktit juridik të shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm, sot Drejtor i Shkollës së Magjistraturës. Institucioni i sotëm Qeverisës i Prokurorisë pranon në tavolinën e tij zyrtare, trajtimin keqdashës të ngjarjes juridike, ndër më të rëndat në historinë e parlamentarizmit shqiptar, atë të shkeljes së Kushtetues së Republikës së Shqipërisë, konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e kohës.

Mosnjohja, padijenia apo keqpërdorimi i atij fakti juridik, rëndon mbi cilindo që bën pjesë në qeverisjen e Prokurorisë së sotme. Organi qeverisës i Prokurorisë sipas ligjit ka detyrë të mbrojë pavarësinë, integritetin, apo dinjitetin përgjatë kryerjes së detyrës, të respektojë sistemin kushtetues dhe ligjor të normave dhe hierarkinë kushtetuese apo gjyqësore të organeve dhe, të mos lejojë, por të distancohet nga rrënimi moral, kulturor, profesional apo logjiko-emocional i kujtdo që mund të ndikojë në qeverisjen e sistemit. Moskuptimi tërësor i faktit, edhe kur është hedhur qartë e zeza mbi të bardhë, është i pajustifikueshëm për çdo praktikant, edhe fillestar, të ligjit, qoftë kur ka synime politike për të përmbushur, synime karriere apo edhe thjesht, personale.

Shkolla e Magjistraturës do të vijojë të mbështesë Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Shtetit Shqiptar për të arritur synimet e veprimit të saj të pavarur, ligjor dhe të barabartë për të gjithë.