10.07.2025 - Trajnim me Akademine e Kosoves dhe Akademine e Turqise

Në kuadër të bashkëpunimit me Akademinë e Drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë së Republikës së Turqisë, një delegacion i Shkollës së Magjistraturës merr pjesë në Workshop-in Ndërkombëtar Ligjor me tematikë “Combatting Drug-related Crimes”. Aktiviteti zhvillohet në vijim të forcimit të bashkëpunimit mes Akademive përkatëse të Drejtësisë nëpërmjet realizimit të programeve të përbashkëta të trajnimit për shkëmbimin e përvojave më të mira profesionale në fusha të ndryshme të ligjit. 

Delegacioni nga Shkolla e Magjistraturës përbëhet nga Z. Arben Isaraj, Z. Idlir Peçi dhe Znj. Nurjeta Pogaçe – pedagogë të brendshëm të Shkollës dhe 14 kandidatë për magjistratë të profileve gjyqtarë dhe prokurorë në vitin e dytë të studimeve. 

Aktivitetin trajnues e përshëndetën Drejtori i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, Z. Enver Fejzullahu, Kryetari i Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë së Kosovës Z. Fejzullah Rexhepi, Z. Idlir Peçi, Pedagog i Brendshëm i Shkollës së Magjistraturës, Z. Sabri Tunç Angili, Ambasador i Republikës së Turqisë në Kosovë, Z. Mehmet Yilmaz, Zv/Ministër i Drejtësisë i Republikës së Turqisë, dhe Z. Blerim Sallahu, zv/Ministër i Drejtësisë së Kosovës, fjalët përshëndetëse të të cilëve u fokusuan në forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe rëndësinë e realizimit të aktiviteteve të përbashkëta për shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojave mes të tre vendeve.

Aktiviteti u realizua me pjesëmarrjen e ekspertëve nga vendet respektive dhe trajtoi tematika si:

  • Krimet e lidhura me lëndët narkotike në kontekstin e të drejtës ndërkombëtare;
  • Praktikat e mjekësisë ligjore në krimet e lidhura me lëndët narkotike;
  • Metodat efektive të ndjekjes ligjore në krimet e lidhura me lëndët narkotike – praktikat gjyqësore nga Turqia, Kosova dhe Shqipëria;
  • Metodat efektive të gjykimit në krimet e lidhura me lëndët narkotike – praktikat gjyqësore nga Turqia, Kosova dhe Shqipëria.  

Krahas aktivitetit trajnues u realizuan edhe vizita dhe takime në institucionet e ndryshme të drejtësisë së Kosovës si në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Supreme, Këshillin Gjyqësor, dhe Akademinë e Drejtësisë së Kosovës. Aktiviteti përmbyllet me një program social, gjatë të cilit vizitohet trashëgimia historike më e spikatur e qytetit të Prizrenit.