Kongresi Nderkombetar i Ligjit Maj 2025 - Santo Domingo

Me ftesë të Z. Javier Cremades, President i World Jurist Association (WJA), një organizatë jo-qeveritare me status konsultativ të posaçëm në Këshillin Social Ekonomik të Kombeve të Bashkuara, një përfaqësi e Shkollës së Magjistraturës mori pjesë në punimet e Kongresit Botëror të 19-të të Ligjit. Kongresi zhvillohet në datat 4-6 Maj 2025 në Santo Domingo, si një aktivitet që mbledh bashkë udhëheqës botëror, përfshirë drejtues shtetesh, autoritete shtetërore, gjyqtarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, akademikë, juristë, aktivistë dhe student të së drejtës.   

Aktiviteti trajtoi cështjet më aktuale në formatin e diskutimeve në panele për tematika të ndryshme si shteti i së drejtës dhe pavarësia e gjyqësorit, të drejtat e njeriut dhe liria e shprehjes, etika profesionale dhe forcimi i vlerave kushtetuese, digjitalizimi i drejtësisë, etj. Gjatë ditës së parë, ceremonia e hapjes u zhvillua në Universitetin Autonom të Santo Domingos ku personalitetet e ftuara konfirmuan angazhimin e tyre për forcimin e shtetit të së drejtës. Gjatë ditës së dytë, që u zhvillua në Universitetin Caribe UNICARIBE, përfaqësuesit e Shkollës morën pjesë si folës në 2 panele të rëndësishme si: Paneli 10 – Pavarësia e Gjyqësorit dhe Siguria Personale si dhe paneli 19 – Kontributi i Grave në ruajtjen e shtetit të së drejtës. Tematikat në fokus të aktivitetit u trajtuan nga më shumë se 300 folës dhe panelistë nga më shumë se 70 vende të botës.  

Më së fundi, në ditën e tretë, në ceremoninë e mbylljes, zonjës Sonia Sotomayor, anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i jepet çmimi World Peace & Liberty Award për kontributin e saj në promovimin e paqes dhe lirisë nëpërmjet ligjit. Pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar të ligjit i paraprin përgatitjeve për organizimin e zhvillimin e këtij aktiviteti në Tiranë në vitin 2027.