Në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën e Republikës së Francës dhe Projektin e Binjakëzimit të Bashkimit Evropian, në datën 7 maj u realizua një vizitë pune e Ministrit të Drejtësisë së Francës, z. Gerald DARMANIN në Shkollën e Magjistraturës.
Pjesë e vizitës ishte takimi me Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, si dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, si Kryetarin e Gjykatës së Lartë, njëkohësisht Kryetarin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Z. Sokol Sadushi, Kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Z. Ilir Rusi, dhe Inspektorin e lartë të Drejtësisë, Z. Artur Metani. Gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i frytshëm i Shkollës së Magjistraturës me Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës dhe mbështetja thelbësore e ofruar nga Franca për veprimtarinë ndër vite të Shkollës. Njëkohësisht, në fjalët e tyre drejtuesit e institucioneve të drejtësisë shprehën mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Francës për institucionet shqiptare.
Në fund të këtij takimi, në praninë e dy Ministrave të Drejtësisë së Shqipërisë dhe Francës, u realizua nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Shkollës Franceze Kombëtare të Magjistraturës dhe Shkollës Shqiptare të Magjistraturës.
Në vijim vizita e Z. Darmanin u finalizua me një takim në formë bashkëbisedimi me një audiencë, të përbërë nga studentë dhe staf akademik të Shkollës së Magjistraturës, studentë të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, studentë të Kolegjit të Evropës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë, trupi diplomatik dhe pjesëmarrës të tjerë. Gjatë bashkëbisedimit u trajtuan tematikat: shteti i së drejtës dhe lufta kundër krimit të organizuar, sfidat e integrimit evropian dhe siguria kolektive, të cilat u pasuan me nje seancë pyetje përgjigje me pjesëmarrësit në takim.







Shkolla e Magjistraturës