Deklaratë për media 24.04.2024

MBI REALIZIMIN E FAZËS SË PARË TË PROVIMIT TË PRANIMIT NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS

Shkolla e Magjistraturës organizoi, më datë 22 prill 2024, fazën e parë të provimit të pranimit për vitin akademik 2024-2025, pas përfundimit të procesit të verifikimit të dokumentacionit, të realizuar, së pari nga Shkolla, e më tej nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë të Prokurorisë.

Në provim morën pjesë 411 konkurrentë.

Provimi u zhvillua bazuar në ligj dhe në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, në respekt të parimeve që udhëheqin një proces transparent, konkurues dhe bazuar në meritë.

Teza e provimit të pranimit u krijua në prani të konkurrentëve, me përzgjedhje rastësore të rubrikave të bëra nga vetë konkurrentët. Provimi zgjati 2 (dy) orë e 30 (tridhjetë) minuta dhe u zhvillua nën monitorimin e Shkollës së Magjistraturës dhe monitoruesve të jashtëm nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Europës, OSBE dhe INL.

Procesi i provimit nuk pati asnjë kontestim nga konkurrentët apo monitoruesit.

Pas procesit të provimit, Shkolla nisi procesin e vlerësimit elektronik, vlerësim i cili u bë në prani të konkurrentëve, në sallën e provimit, pasi konkurrentët dorëzuan fletët e provimit të plotësuara nga ana e tyre. 

Rezultatet u shfaqën në ekran dhe kandidatët u njohën me pikët e tyre menjëherë. 79 (shtatëdhjetë e nëntë) konkurrentë rezultuan të kishin marrë më shumë se 60% të pikëve. 

Komisioni i vlerësimit elektronik dhe administratori i provimit konstatuan se disa teza kishin një numër shumë të ulët pikësh. Gjithashtu, nga një shikim me sy të lirë i fletës së scantron, u konstatua se pajisja scan tron kishte lexuar vetëm 96 përgjigje nga 100 përgjigje të çelësit të tezës. 

Këto rrethana, së bashku me daljen e një rezultati të ulët fituesish, prej 79 konkurrentësh, dhe pretendimet e një pjese të konkurrentëve të pranishëm në sallë për pasaktësi të rezultatit, u cmuan nga administratori i provimit dhe komisioni i vlerësimit elektronik si të rëndësishme. 

Për këtë arsye, komisioni i vlerësimit elektronik vendosi të mos shpallte menjëherë listën që prodhoi scantroni, por të realizonte verifikime shtesë. Në kushtet e mësipërme, Komisionit të Vlerësimit Elektronik, iu vendos në dispozicion një pajisje e re. 

Pas konstatimit se pajisja e re lexoji saktësisht çelësin e tezës së provimit, komisioni vendosi të kalonte të gjitha tezat për vleftësim të rezultateteve në pajisjen e re. Në përfundim të procesit, u konstatua se numri i konkurrentëve që kalonin pragun prej 60 % të pikëve për të hyrë në fazën e dytë të provimit ishte 121 (njëqind e njëzetë e një) konkurrentë. Shkolla e shpalli publikisht këtë rezultat dhe njoftoi publikisht ndryshimin e orarit të fazës së dytë të provimit të pranimit, në përmbushje të detyrimit për shqyrtim të ankesave të konkurrentëve brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes së listës.

Shkolla është duke realizuar një proces verifikimi administrativ, njëherësh me administrimin dhe vlerësimin e të gjitha kërkesave për rishikim të ardhura nga konkurrentët, në respektim të të drejtës së tyre për ankim.

Vlerësojmë të sqarojmë se Shkolla e Magjistraturës ka angazhim maksimal për të bërë transparencë të plotë në këtë proces dhe të rezultateve të dala prej tij.