EJTN

Rrjeti Evropian i Trajnimeve Gjyqësore (EJTN) promovon trajnimin dhe shkëmbimin e njohurive të gjyqësorit evropian. EJTN përfiton nga grante operative në kuadër të programit në Drejtësi. EJTN ka mirëpritur akademitë gjyqësore nga Ballkani Perëndimor si vëzhgues për shumë vite. Kjo do të thotë se gjyqtarët dhe prokurorët nga Ballkani Perëndimor mund të marrin pjesë në aktivitetet e EJTN-në. EJTN është angazhuar në bashkëpunim më të ngushtë me rajonin duke hapur programet e saj për magjistratët.

Shkolla e Magjistraturës mori statusin e saj të vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të EJTN-së në qershor të vitit 2016. Që atëherë, kemi marrë pjesë rregullisht nëpërmjet gjyqtarëve, prokurorëve, trajnerëve të Shkollës dhe kandidatëve për magjistratë në aktivitetet e organizuara nga EJTN-ja në kuadër të programeve dhe aktiviteteve të ndryshme të saj të trajnimit.

Shkolla e Magjistraturës merr pjesë aktive në programet vijuese të trajnimit ose shkëmbimit:

1.     Shkëmbime afatshkurtra - për gjyqtarët dhe prokurorët që vizitojnë gjykatat e vendeve të BE-së me qëllim që të ndajnë punën e tyre me homologët e tyre dhe të njihen me sisteme të ndryshme gjyqësore të BE-së. Kjo përvojë synon të pasurojë praktikat profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve pjesëmarrës.

2.     Shkëmbimet e trajnerëve - ku trajnerë dhe ekspertë të ndryshëm të Shkollës shkojnë në institucione të ndryshme të trajnimit të BE-së për t’u njohur dhe shkëmbyer mendime mbi metodologjitë e trajnimit, mjetet pedagogjike dhe programet e trajnimit, duke marrë kështu praktikat më të mira në trajnimin gjyqësor bashkëkohor.

3.     Programi AIAKOS – kjo është një mundësi ku kandidatët për magjistratë ose magjistratët e sapoemëruar kalojnë një javë në shkolla të tjera të trajnimit gjyqësor evropian. Qëllimi i pjesëmarrjes në këtë program është rritja e vetëdijes së tyre për dimensionin evropian të punës së tyre të ardhshme dhe nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë të kulturave dhe sistemeve të ndryshme gjyqësore evropiane.

4.     Projekte në fusha të ndryshme të së drejtës: Shkolla e Magjistraturës propozon gjyqtarë, që marrin pjesë në seminare të ndryshme.

5.     Konkursi THEMIS.  – Shkolla është një pjesëmarrëse e rregullt në këtë konkurs. Ekipi Shqiptar ka fituar tashmë 2 (dy) çmime në dy pjesëmarrjet e fundit në konkursin THEMIS për vitin e kaluar dhe për këtë vit për veçantinë dhe krijimtarinë e materialeve të paraqitura. Dy ekipe të trajnuarish gjyqësorë (6 kandidatë + 1 pedagog) kanë marrë pjesë në garën e vitit të kaluar dhe këtë vit.

6.     Programi i Formimit Vazhdues – Kjo është një nga rrugët kryesore të bashkëpunimit ndërmjet Shkollës dhe EJTN-së. Gjyqtarët dhe prokurorët propozohen nga Shkolla në aktivitete të ndryshme trajnimi të organizuara nga EJTN-ja në bashkëpunim me institucionet e trajnimit gjyqësor në vendet e BE-së.