Shkolla e Magjistraturës njofton se Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë, bazuar në ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në Vendimin nr. 71, datë 12.02.2026 “Për miratimin e Planit Strategjik 2026–2027 për trajnimin fillestar dhe vazhdues të nëpunësve civilë gjyqësorë” dhe Vendimin nr. 224, datë 25.04.2024 “Për miratimin e Rregullores për formimin profesional të nëpunësve civilë gjyqësorë”, ka nisur zbatimin e programeve të trajnimit profesional me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit civil gjyqësor.
Në këtë kuadër, Shkolla e Magjistraturës fton ekspertët/trajnerët që shprehin interes për t’u përfshirë në programet e formimit fillestar dhe vazhdues të nëpunësve civilë gjyqësorë, në përputhje me modulet dhe temat e miratuara, të paraqesin interesin dhe dokumentacionin përkatës sipas formateve më poshtë.
Kriteret dhe kushtet e veçanta për përzgjedhjen ekspertëve/trajnerëve janë të përcaktuara në Vendimin nr. 224, datë 25.04.2024 “Për miratimin e Rregullores për formimin profesional të nëpunësve civilë gjyqësorë”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor. (Aneksi 4.1)
Të interesuarit janë të lutur të përzgjedhin modulet dhe temat përkatëse duke plotësuar formatin “Formular Aplikimi”, si dhe “Projekt Program për zhvillimin e një ore mësimore”.
E RËNDËSISHME: Formulari i Aplikimit dhe Projekt Programi mund të dërgohen me email në adresën: info@magjistratura.edu.al, deri më datë 22 mars 2026.

Shkolla e Magjistraturës