Shkolla e Magjistraturës, më datë 12 dhjetor 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Regjistrimi i titujve të pronësisë. Regjistrimi fillestar dhe regjistrimi i akteve të tjera. Procedura e përmirësimit kadastral. Problematikat e hasura në praktikën gjyqësore lidhur me regjistrimin fillestar dhe procesin e përmirësimit kadastral, si dhe lidhur me regjistrimin e titujve të pronësisë të cilët figurojnë të shënuar në radhorët e pronësisë. Roli i transkriptimit/regjistrimit në regjistrat e ASHK: Mjet i nevojshëm për t’i dhënë publicitetin kontratës apo pasojë e kërkimeve të padisë? ”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Margarita Buhali
Lehtësuese: Anila Karanxha
Qëllimi i këtij trajnimi është: Njohja dhe aftësimi i gjyqtarëve, për regjistrimin e titujve të pronësisë sipas ligjeve Nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në republikën e Shqipërisë” dhe Nr. 111/2018 “Për Kadastrën”. Rëndësia që ka transkriptimi/ regjistrimi në regjistrat e ASHK-së, si mjet për publicitetin e titujve të pronësisë, dhe si pasojë në procese gjyqësore.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Regjistrimi si akt publikues dhe rëndësia e tij për tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.
- Praktika gjyqësore në fushën civile për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi regjistrimin si kërkim kryesor dhe si pasojë e kërkimeve të tjera të padisë. Dallimi nga gjykimi administrativ.
- Trajtimi i praktikës së GJEDNJ-së, ku regjistrimi i titullit të pronësisë hyn në nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
- Diskutimet që kanë lindur në praktikën gjyqësore në çështjet civile si dhe qëndrimet e ndryshme të mbajtura, në lidhje me efektet që sjell regjistrimi i sendeve të paluajtshme në një proces civil.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe këshilltarë/ndihmës ligjorë të Republikës së Shqipërisë.




Shkolla e Magjistraturës