THIRRJE PËR PARAQITJEN E SHPREHJES SË INTERESIT PËR ANËTARË TË KËSHILLIT TË LARTË TË PROKURORISË

Bazuar në Vendimin nr. 2, datë 22.04.2026 “Për shpalljen e një vendi vakant për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga trupa e pedagogëve të Fakulteteve të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës”  të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 135 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës të Republikës së Shqipërisë shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit  nga pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

 

1. Njoftohen pedagogët me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme të Shkollës së Magjistraturës që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 14 Maj 2026, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës. Një kopje e kërkesës, së bashku me dokumentacionin shoqërues, i dërgohet dhe Kryetarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

 

2. Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë profesionale si jurist;
c) në kohën e kandidimit, të kenë përvojë për jo më pak se 5 vjet si pedagogë me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme në Shkollën e Magjistraturës, si dhe të mos jenë magjistratë në detyrë, avokatë ose të punësuar me kohë të plotë në organizatat e shoqërisë civile;  
ç)   të jenë pedagog të kategorisë “profesor” ose “lektor”; 
ç/1) të mos ketë masë disiplinore në fuqi, të mos jetë shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore, në rastin e ish-magjistratëve të ketë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose të mos ketë dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që ka qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të mos jetë skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
d) në kohën e kandidimit të mos jenë rektor ose Drejtor i Shkollës së Magjistraturës; 
dh) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
e) të mos kenë qenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë)   të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën  publike ose pozicione drejtuese në partitë politike përpara kandidimit;
f) të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
g) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve inteligjente;
gj) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit  “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve   dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.

 

3. Krahas kërkesës me shkrim, të interesuarit bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:
a) Kopje të pasaportës ose kartës së identitetit;
b) Jetëshkrim të përditësuar, të nënshkruar në çdo faqe nga kandidati;
c) Librezën e punës dhe/ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të përvojës në punë prej jo më pak se 15 vitesh si jurist;
d) Vërtetim që në kohën e kandidimit, kandidati është pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 vjet në fakultetin e drejtësisë të një institucioni të arsimit të lartë ose pedagog i brendshëm ose i jashtëm jomagjistrat në Shkollën e Magjistraturës;
e) Vërtetim që është personel akademik i kategorisë “profesor” ose “lektor”;
f) Vërtetim që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
g) Vërtetim nga çdo punëdhënës i mëparshëm që provon se kandidati nuk është shkarkuar më parë nga detyra si rezultat i një mase disiplinore;
h) Në rastin e ish-magjistratëve, kandidati duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi, ku të deklarojë se ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose që nuk ka dhënë dorëheqjen pa iu nënshtruar këtij procesi, ndërkohë që kanë qenë subjekt rivlerësimi në përputhje me ligjin nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ta shoqërojë sipas rastit me dokumentacionin provues;
i) Formularin e vetëdeklarimit bashkëlidhur këtij njoftimi ku të deklarojë se kandidati nuk është skualifikuar më parë nga pozicione të ndryshme për shkak të verifikimit të pasurisë dhe figurës sipas kërkesave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi;
j) Deklaratën e konfliktit të interesit, në lidhje me nenin 134, pika 2 gërma d), ë), g) dhe gj) sipas formularit bashkëlidhur këtij njoftimi;
k) Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
l) Një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë në rast se zgjidhet;
m) Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;
n) Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr. 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;
o) Çdo dokument tjetër që provon përmbushjen e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 134 të ligjit nr. 115/2016, të ndryshuar.

 

4. Pedagogët e interesuar brenda 15 ditëve nga shprehja e interesit duhet të dorëzojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private për kontrollin e pasurive të kandidatëve për pozicione të ndryshme në institucionet e drejtësisë në përputhje me nenin 3/1 të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe formularin e vetëdeklarimit për zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
 

Thirrja shpallet në faqen zyrtare të Shkollës së Magjistraturës dhe i dërgohet secilit prej pedagogëve të Shkollës së Magjistraturës në adresën elektronike.

Shprehja e interesit dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike info@magjistratura.edu.al si dhe në adresën postare të Shkollës së Magjistraturës, pranë Rr. “Ana Komnena”, godina “Poli i Drejtësisë”, Tiranë, brenda datës 14 Maj 2026.

Klikoni këtu për të gjetur dokumentat e nevojshme si më poshtë:

Vendim nr. 2
Formular vetëdeklarimi sipas ligjit Për garantimin e integritetit
Formular aplikimi për informim për zyrtarët
Formular deklarimi konflikt interesi 
Formular vetëdeklarimi ish-magjistrat
Formular vetëdeklarimi skualifikimi ILDKPKI