Shkolla e Magjistraturës ka mision formimin fillestar dhe vazhdues të magjistratëve (gjyqtarë dhe prokurorë), të avokatëve të shtetit, ndihmësve ligjorë dhe kancelarëve në gjykata dhe prokurori me kompetencat e duhura për ushtrimin e funksioneve kushtetuese dhe ligjore në sistemin e drejtësisë me paanshmëri, profesionalizëm dhe integritet. Në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Shkolla ka rol të rëndësishëm në formimin profesional të administratës gjyqësore. Shkolla, nëpërmjet misionit të saj, synon të ketë ndikim thelbësor dhe të përhershëm në drejtësinë shqiptare, në shërbim të interesit publik, dhe, njëkohësisht, në përmirësimin e kulturës ligjore dhe zhvillimin e shoqërisë në tërësi.

Pozicionimi i Shkollës si organ i parashikuar nga Kushtetuta dhe si organ qeverisës i sistemit të drejtësisë, por njëkohësisht tradita dhe emri i mirë i Shkollës përgjatë gjithë viteve të aktivitetit të saj, kërkon një qasje dhe një proces sistematik e gjithëpërfshirës në mënyrë që të drejtojë institucionin drejt së ardhmes apo vizionit të tij të dëshiruar.

Planifikimi strategjik është një ndër metodat më të rëndësishme që Shkolla e Magjistraturës përdor për të përcaktuar rrjedhën e veprimeve për përmbushjen e këtij vizioni.

Për vitet e veprimit të kësaj strategjie, Shkolla ka në vizionin e saj ofrimin e standardit më të lartë në formimin e magjistratëve dhe subjekteve të tjera pjesë e veprimtarisë së saj; përdorimin me efikasitet të çdo metode inovatore në drejtim të performancës së saj; orientimin drejt BE-së përmes zhvillimit të çdo mundësie trajnimi, bashkëpunimi, shkëmbimi me këtë synim; dhe përmirësimin institucional përmes metodave të vlerësimit, llogaridhënies, trajnimit dhe transparencës.

Misioni i Shkollës dhe vizioni i saj për të ardhmen mbështeten në vlera dhe parime që i japin mundësi konkrete zhvillimit të tyre. Vlera të tilla, si: integriteti, profesionalizmi, aksesi i barabartë, dinjiteti njerëzor, bashkëpunimi, transparenca, vlerësimi dhe llogaridhënia, janë pjesë integrale e çdo procesi akademik dhe administrativ që realizohet në Shkollë.

 

  • Funksionet dhe detyrat e Shkollës së Magjistraturës

Në zbatim të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 98/2016 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Shkolla e Magjistraturës e Republikës së Shqipërisë realizon aktivitetin e saj në këto drejtime:

a)       rekrutimi dhe formimi fillestar i kandidatëve për magjistrat, për pozicionet në Avokaturën e Shtetit,  për ndihmës ligjor dhe për kancelarë në gjykata dhe prokurori;

b)      formimi profesional vazhdues i magjistratëve në detyrë, të avokatëve të shtetit në detyrë, ndihmësave ligjor dhe kancelarëve në detyrë, në gjykata dhe prokurori, si dhe profesioneve të tjera ligjore;

c)       fusha e Publikimeve dhe të Kërkimeve shkencore.

Gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, veprimtaria e Shkollës së Magjistraturës është e orientuar edhe në drejtim të:

a)      realizimit të testimit për këshilltarët ligjor të Gjykatës Kushtetuese, ndihmësit ligjor të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Administrative, si dhe ndihmësit ligjor në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilët nuk janë magjistratë, si dhe për ish këshilltarët ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, me tre vjet përvojë;

b)      realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi dy vjeçar për subjektet e parashikuara në shkronjën a) të këtij neni, të cilët dëshirojnë të hyjnë në sistem;

c)      realizimit të procesit të Formimit Fillestar, nëpërmjet ndjekjes së një programi edukimi një vjeçar, për gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, të cilët nuk kalojnë sistemin e rivlerësimit profesional;

d)     realizimit të testimit për ish-gjyqtarët e ish-prokurorët që dëshirojnë të hyjnë në sistem, për të cilët nuk ka raporte vlerësimi për aftësitë e tyre profesionale. 

  • Procedura që ndjekin funksionarët e lartë të Shkollës së Magjistraturës  për të marrë vendime

Në mbështetje të ligjit Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, organet drejtuese të Shkollës së Magjistraturës janë:

a)      Këshilli Drejtues

b)      Drejtori i Shkollës

c)      Këshilli Pedagogjik

d)     Komisioni Disiplinor

Administrata e Shkollës së Magjistraturës drejtohet nga Kancelari, i cili përgjigjet para Drejtorit të Shkollës, për detyrën e realizimit të veprimtarisë financiare-admnistrative të institucionit. Procedurat që ndjekin funskionarët e lartë për të marrë vendime janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjorë në fuqi.

  • Procedurat dhe mekanizmat për të bërë kërkesë dhe ankesë që lidhen me veprimet ose mosveprimet e Shkollës së Magjistraturës( Përfshirë adresën postare/elektronike për depozitimin e kërkesave dhe ankesave - Afatet dhe mënyrën e kthimit të përgjigjeve)

Çdo person gëzon të drejtën e njohjes së një informacioni publik apo të një ankese drejtuar autoriteteve publike.

Bazuar në ligjin Ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, neni 11, përcaktohet se, kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij.

Në Shkollën e Magjistraturës dërgimi i një kërkese për informacion apo një ankese behe në adresat e poshtshënuara.

Shkolla e Magjistraturës

Godina "Poli i Drejtesise",
Rruga Ana Komnena,
Tirana, Albania,

Tel për informacion: 04 2468826

E-mail: info@magjistratura.edu.al    

Kthimit të përgjigjeve kryhet  sipas mënyrave dhe afateve ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”.


 

Organigrama
Organigrama