Strategjia Afatmesme

KAPITULLI I

HYRJA DHE METODOLOGJIA

1.1.          HYRJE

 Shkolla e Magjistraturës, gjatë 21 viteve të veprimtarisë dhe të funksionimit të saj, ka hedhur themelet e sistemit të drejtësisë, nëpërmjet përgatitjes së gjyqtarëve e prokurorëve me një nivel më të lartë profesional, etik dhe moral, por edhe krijimit të një kulture e fizionomie të re mbi modelin e ri të magjistratit. 

Si një institucion i pavarur ndaj pushteteve të tjera, i përbërë nga profesorët më të shquar të jurisprudencës, por edhe nga magjistratët që arrinin të ruanin integritetin e tyre dhe të sillnin përvojën e praktikës dhe e orientuar nga parimi i lirisë akademike, Shkolla e Magjistraturës ka synuar përzgjedhjen e moduleve më të mira mësimdhënëse, që padyshim kanë ndikuar në rritjen e cilësisë dhe të profesionalizmit të magjistratëve të rinj. Ajo është institucioni i vetëm që ofron formimin profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, duke përmbushur detyrimin ligjor mbi trajnimin vazhdues të tyre, nëpërmjet një programi të pasur dhe metodave shkencore.

Ndihma e vazhdueshme dhe kontributi tepër i rëndësishëm që kanë dhënë organizmat ndërkombëtarë ka qenë dhe mbetet përcaktues për evidentimin e Shkollës së Magjistraturës si një institucion elitar i dijes, por edhe si një nga organizmat e paktë, të vlerësuar brenda sistemit të kritikuar të drejtësisë. Ka qenë kjo veprimtari e vlerësuar në vite, që ka shërbyer për ta ngritur Shkollën e Magjistraturës në nivelin e një institucioni kushtetues, duke e renditur krahas organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Pas dy dekadash veprimtarie, në stadin në të cilin ndodhet aktualisht sistemi i drejtësisë, i përket Shkollës së Magjistraturës të shkruajë historinë e një drejtësie të re, që bazohet në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe efiçencës, që do të garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Shkollës së Magjistraturës për të forcuar besimin e qytetarëve shqiptarë te magjistratët që formon, të cilët duhet të garantojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës. 

Jemi dëshmitarë të asaj çfarë po ndodh me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Pas ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjeve të reformës në drejtësi Shkolla e Magjistraturës funksionon dhe ushtron veprimtarinë e saj, me më shumë sfida dhe përgjegjësi të mëdha. Tashmë, çdo jurist që kërkon të bëhet pjesë e sistemit të drejtësisë, nuk ka portë tjetër hyrëse, përveç Shkollës së Magjistraturës.

Në përputhje me drejtimet dhe objektivat e Reformës në Drejtësi, Shkolla e Magjistraturës ka si detyrë funksionale jo vetëm sigurimin e formimit fillestar dhe vazhdues të magjistratëve (gjyqtarë dhe prokurorë), por edhe ofrimin e programit të formimit fillestar dhe të vazhdueshëm, të profilizuar për kategori të ndryshme juristësh, ku përfshihen avokatët e shtetit, ndihmësit ligjorë dhe kancelarët në gjykata e prokurori. Roli i Shkollës së Magjistraturës në procesin për përzgjedhjen e përfaqësuesve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, si dhe prania e drejtuesve të këtyre organeve në Këshillin Drejtues të saj, krijojnë të gjitha hapësirat e domosdoshme ligjore për pasjen e një bashkëpunimi më të ngushtë në shkëmbimin e përvojës dhe për paraqitjen e kërkesave e të nevojave në përmbushjen me sukses të detyrave institucionale.