THIRRJE PËR APLIKIME PËR PROVIMIN E PRANIMIT PËR NDIHMËS LIGJOR NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS 2026-2027

Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës për ndihmës ligjor, se:

 

NUMRI I KUOTAVE PËR VITIN AKADEMIK 2026-2027, PËR PROFILIN NDIHMËS LIGJOR NË GJYKATAT E APELIT DHE GJYKATAT E SHKALLËS SË PARË ËSHTË:

  • 41 vende vakante. 

 

PROCESI I REGJISTRIMIT FILLON NË DATË 9 MARS DHE PËRFUNDON NË DATË 30 MARS 2026.

Regjistrimi do të bëhet nëpërmjet dorëzimit të një kopjeje origjinale ose të noterizuar të dokumenteve të nevojshme për aplikim pranë sekretarisë së Shkollës së Magjistraturës, nga ora 9.00 deri në orën 14.00.

Adresa e Shkollës së Magjistraturës: Rruga “Ana Komnena”, Godina “Poli i drejtësisë”, Tiranë, Shqipëri.

 

KRITERET PËR KONKURIM

Çdo person ka të drejtë të kandidojë në Shkollën e Magjistraturës, për t'u pranuar në formimin Fillestar për "ndihmës ligjor", nëse përmbush njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

1. të jetë shtetas shqiptar;

2. të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

3. të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

4. të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

5. të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

6. të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

7. të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

8. të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;

9. të mos jetë anëtar i partive politike në kohën e kandidimit.

10. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”;

11. të ketë notë mesatare të përgjithshme mbi 7 (shtatë). Për të diplomuarit “Juristë”, në programe në gjuhë të huaj, jashtë vendit parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike. Nota mesatare e përgjithshme del nga shumatorja e notave të të gjitha lëndëve të zhvilluara në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve e pjesëtuar me numrin total të tyre. 

 

 

Kriteret e veçanta për ndihmës ligjor:

1. të ketë përvojë profesionale jo më pak se tre vjet si nëpunës në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose në organizatat ndërkombëtare.

 

DOKUMENTET PËR APLIKIM

Në dosjen personale për regjistrim, kandidati për ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme origjinale ose kopje të noterizuara të tyre:

1. kërkesën personale, ku të parashtrojë shkaqet e motivimit për të ndjekur Programin e Formimit Fillestar për këshilltar ose ndihmës ligjor, shoqëruar me fotokopjen e kartës së identitetit;

2. jetëshkrimin;

3. deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet;

4. diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur, si dhe vërtetimin e notave;

5. vetëdeklarim për gjendjen gjyqësore;

6. raportin mjeko-ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si këshilltar apo ndihmës ligjor në sistemin e drejtësisë;

7. dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t dhe nga organet e sigurimeve shoqërore, që vërteton përvojën/përvojat e punës;

8. dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t, që vërtetojnë se nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nga punëdhënësi i fundit, që vërteton se nuk ka masë disiplinore në fuqi;

9. deklaratën që nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

10. deklaratën që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;

11. deklaratën që nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.

12. një fotografi. 

13. mandat pagese për regjistrimin në vlerën 8000 lekë.

 

DATA E PROVIMIT

Provimi i pranimit do të organizohet në datën 19 maj 2026, me shkrim në një ditë, i ndarë në dy pjesë, ndërmjet të cilave do të ketë një pushim 45 minutësh. 

 

Teza e provimit të pranimit 

Teza e provimit do të ketë 3 (tre) pjesë/rubrika, ku pjesa e parë do të jetë me 20-30 alternativa, të cilat vlerësohen me 1(një) pikë secila; pjesa e dytë do të jetë me 2-4 pyetje me shtjellim, të cilat do të zënë 10-20 pikë dhe do të fokusohen në pyetje krahasimore dhe argumentuese; dhe pjesa e tretë do të ketë 3 (tre) opinione ligjore në fushat: civile, penale, administrative, me nga 20 pikë secili. 

 

Konkurrentët duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit

 

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është i publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit: e drejtë kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, e drejtë administrative, e drejtë civile dhe tregtare, procedurë civile, e drejtë penale, e drejtë e procedurës penale, e drejtë e BE-së dhe e drejtë ndërkombëtare publike, etikë. 

 

SUKSESE!