Kushtet dhe termat e përdorimit
Sistemi i Menaxhimit të SHM-së (Shkollës së Magjistraturës) është një program menaxhimi i vendosur në web, i cili do të mundësojë menaxhimin digjital të Sektorit të Formimit Fillestar (FF) dhe të Sektorit të Formimit Vazhdues (FV). Sistemi do të ndërtohet dhe bazohet në teknologjinë web, në mënyrë që të jetë i aksesueshëm online, nga çdo pajisje fundore që ka mundësinë të lidhet me internet.
Portali ofron gjithashtu informacion të detajuar në lidhje me procesin mësimor të kandidatëve që prej konkurrimit të tyre dhe deri në përfundim dalje në detyrë, (pikë, vlerësime, pjesëmarrje në mësim, certifikata, vërtetime apo shërbime të tjera të ngjashme), dokumentacionin e nevojshëm, procedurën që duhet të ndjekë, oraret e mësimit dhe pedagogët përkatës, kontaktet, pjesëmarrësit e trajnimeve, adresën e faqes zyrtare të institucionit, ku mund të orientohet për detaje të mëtejshme etj.
Kushtet e përgjithshme
Sistemi ofron shërbimet e tij në formë elektronike, në përputhje me aktet ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
Administratori i sistemit, sektori i T.I, nuk mban përgjegjësi për humbje të mundshme që burojnë nga përdorimi apo mospërdorimi i shërbimeve që ofrohen nëpërmjet sistemit. Në rastin e shërbimeve elektronike, ku sistemi ofron vetëm mjedisin ndërmjetësues (institucionet si KLGJ, DPGJC), institucioni përgjegjës për ofrimin e shërbimit mban përgjegjësi për shërbimin konkret. Shërbimet e ofruara në sistem janë pa pagesë, përjashtuar ato shërbime, të cilat ofrohen me pagesë sipas përcaktimeve ligjore në fuqi (pagesa e shkollës nqs do të bëhet në të ardhmen). Informacioni i përdoruesit në këtë sistem mbrohet sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të.
Siguria
Gjatë regjistrimit, përdoruesve të sistemit ju kërkohet pëlqimi paraprak.
Marrja e shërbimeve të ndryshme elektronike nëpërmjet sistemit nga çdo përdorues, person fizik ose juridik, kalon në procesin e autentifikimit dhe identifikimit për garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve individuale.
Në rastin e kërkesave për shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4 (sipas UNPAN 2014) në mjedisin e portalit unik qeveritar e-Albania, dokumenteve të dërguara dhe shërbimeve të tjera, portali verifikon identitetin e përdoruesit të shërbimit në bazë të informacionit në lidhje me përdoruesin nëpërmjet "Single-Sign-On", në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.734 datë 28.8.2013 "Për krijimin e sistemit unik të regjistrimit, autentifikimit dhe identifikimit të përdoruesve në marrjen e shërbimeve publike nga sistemet elektronike".
Procesi i regjistrimit kryhet nëpërmjet sistemit dhe të dhënat e plotësuara nga përdoruesit, gjatë procesit të regjistrimit, verifikohen elektronikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët.
Komunikimi https - komunikim i sigurtë online
Komunikim i enkriptuar me nivel sigurie TLS 1.1, AES 128
Të dhënat personale
Në përputhje me Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të dhënat personale ruhen në sistem ekskluzivisht me lejen e përdoruesit dhe në kuadër të nevojës për funksionimin e sistemit dhe shërbimeve të tij. Duke plotësuar të dhënat e tij për identifikim dhe krijuar llogarinë përkatëse në sistem, përdoruesi pajtohet me kushtet e përdorimit të sistemit dhe jep pëlqimin që:
Të dhënat personale do të përpunohen dhe ruhen në sistemin informatik të shkollës. Kërkesa në bazat e të dhënave shtetërore do të kryhet në bazë të numrit personal. Detajet e ruajtura në sistem do të ruhen dhe përpunohen nga administratori i sistemit.
Për më tepër informacion referojuni aneksit “Rregullore e SMVSHM dhe politikat e privatësisë”, kliko këtu.
Të dhënat teknike
Të dhënat teknike të ruajtura në sistemin e shkollës nuk do të bëhen të qasshme në formë të personalizuar për të tretët. Për identifikimin e sesionit të përdoruesit do të përdoren "cookies". Konsiderohen si detaje teknike të dhënat e mëposhtme:
Adresa IP e përdoruesit;
Identifikimi i "web-browser" të përdoruesit;
URL-në e web-faqes që i adresohet sistemit;
Faqen URL të sistemit, të cilit përdoruesi i është adresuar;
numrin e kartës së identitetit, numrin e telefonit celular;
numrin personal, emrin dhe mbiemrin.
E drejta e autorit
Në përputhje me ligjin "Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të".
Lejohen referenca të detajuara për të gjithë materialet dhe shërbimet e sistemit; në rastin e një reference të gabuar, administratorët përgjegjës për përmbajtjen e sistemit dhe autorët do të kenë të drejtë të kërkojnë heqjen e referencës ose ndryshimin e saj.
Lejohet riprodhimi i pjesshëm dhe/ose i plotë i informacionit të sistemit, me kusht që të respektohet integriteti i informacioneve dhe të mos ndryshohet as kuptimi, as rëndësia, as zbatimi i tyre si dhe të përcaktohet burimi dhe data e publikimit.
Riprodhimet për qëllime komerciale ose reklamuese nuk do të lejohen, përveç përjashtimeve.
Legjislacioni mbi krimin kibernetik
Shqipëria ka ratifikuar prej vitit 2002, "Konventën për Krimin në Fushën e Kibernetikës". Konventa aktuale është e nevojshme për të frenuar veprimet e drejtuara kundër konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë të sistemeve kompjuterike, rrjeteve dhe të dhënave kompjuterike, sikurse dhe keqpërdorimit të këtyre sistemeve, rrjeteve dhe të dhënave, nëpërmjet sigurimit që kjo veprimtari e tillë të kriminalizohet, sikurse përshkruhet në këtë Konventë, dhe nëpërmjet krijimit të forcave të mjaftueshme për luftimin efektiv të këtyre veprave kriminale, duke lehtësuar zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave penale në të dyja nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke siguruar marrëveshjet për bashkëpunim ndërkombëtar të shpejtë dhe të besueshëm.
Kliko këtu për një përmbledhje të legjislacionit për krimin kibernetik në fushën e teknologjisë së informacionit.
