Shkolla e Magjistraturës, në bashkëpunim me Programin HELP (Human Rights Education for Legal Professionals) të Këshillit të Evropës, organizoi sot takimin prezantues të kursit “E drejta për liri dhe siguri”, të përshtatur për kontekstin shqiptar nga prokurori Florian Boriçi. Në aktivitet morën pjesë magjistratë në detyrë dhe kandidatë për magjistratë të vitit të parë.
Takimi u zhvillua në mjediset e Shkollës së Magjistraturës.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të z. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës së Magjistraturës, dhe znj. Ana-Maria Telbis, Drejtuese e Programit HELP pranë Këshillit të Evropës. Në vijim, znj. Dorina Ndreka, juriste pranë Regjistrit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, prezantoi jurisprudencën e Gjykatës në lidhje me të drejtën për liri dhe siguri, të garantuar nga neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjatë takimit, pjesëmarrësit u njohën me strukturën dhe objektivat e kursit, përmbajtjen e moduleve, kriteret e vlerësimit dhe përshtatjen e tij me sistemin ligjor shqiptar. Gjithashtu, u prezantuan aspektet praktike të regjistrimit dhe ndjekjes së kursit në platformën HELP të Këshillit të Evropës.
Kursi synon të forcojë njohuritë dhe aftësitë e profesionistëve të drejtësisë për zbatimin e standardeve evropiane mbi të drejtën për liri dhe siguri, me vëmendje të veçantë ndaj legjislacionit dhe praktikës gjyqësore shqiptare, si dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
