Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Qëndrën për Nisma Ligjore (QNL), zhvilloi më datë 20 nëntor 2026 aktivitetin trajnues me temë “Arsyetimi gjyqësor në çështjet e diskriminimit, struktura e vendimit, diskriminimi me bazë gjinore dhe racore, riviktimizimi dhe mbrojtja efektive. Standardet kushtetuese dhe ligjore”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë SHM: Fiona Papajorgji, Genta Tafa (Bungo)
Ekspert QNL: Aurela Anastas
Lehtësues: Maela Alicanaj
Qëllimi i këtij trajnimi është të forcojë aftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të identifikuar, analizuar dhe arsyetuar çështjet e diskriminimit në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe evropiane.
Trajnimi synon që pjesëmarrësit të zbatojnë testin e diskriminimit dhe barrën e ndarë të provës; të njohin dhe të shmangin stereotipet gjinore dhe racore në hetim e gjykim; të parandalojnë riviktimizimin; dhe të sigurojnë mbrojtje efektive përmes masave korrigjuese dhe dëmshpërblimit. Në përfundim, pjesëmarrësit duhet të jenë në gjendje të strukturojnë një vendim të arsyetuar në një çështje diskriminimi, nga kualifikimi i shkakut të padisë deri te dispozitivi i zbatueshëm.
Metodologjia e trajnimit u realizua nëpërmjet prezantimit të koncepteve teorike i ndërthurur me raste të jurisprudencës, si dhe me kazuse për pjesëmarrësit.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme si:
Parimi i barazisë para ligjit dhe ndalimi i diskriminimit garantohen nga neni 18 i Kushtetutës, neni 14 i KEDNJ-së dhe Protokolli nr. 12. Kjo pjesë analizon si i kanë interpretuar këto standarde Gjykata Kushtetuese dhe GJEDNJ-ja, me theks te çështjet shqiptare. Më konkretisht do të analizohen: diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë në jurisprudencën e GJEDNJ-së dhe çështja X dhe të tjerë k. Shqipërisë (2022) për nxënësit romë dhe egjiptianë;
standardet kushtetuese: barazia në ligj dhe para ligjit, justifikimi objektiv dhe i arsyeshëm, proporcionaliteti;
ankimet kushtetuese individuale dhe pretendimet për trajtim të pabarabartë në vendime gjyqësore për raste të ngjashme;
kontrolli abstrakt dhe incidental i kushtetutshmërisë së ligjeve në raport me parimin e barazisë;
Diskriminimi me bazë gjinore rrallë shfaqet si dallim i shprehur; më shpesh ai hyn në procesin gjyqësor përmes stereotipeve dhe supozimeve që zëvendësojnë provën. Kjo pjesë trajton: diskriminimin gjinor si formë strukturore: CEDAW, neni 14 i KEDNJ-së, Konventa e Stambollit, direktivat e BE-së, ligji nr. 64/2025 “Për barazinë gjinore” dhe ligji nr. 10221/2010;
stereotipet gjinore në hetim dhe gjykim: si shfaqen, si njihen dhe si shmangen;
lidhjen ndërmjet diskriminimit gjinor, dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (ligji nr. 11/2026);
detyrimet pozitive të shtetit dhe administrimin e provës pa cenuar dinjitetin e viktimës dhe pa e riviktimizuar atë;
arsyetimin që fajëson viktimën, standardet e dyfishta dhe dimensionin ndërsektorial (gjinia, etnia, statusi ekonomik).
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të juridiksioneve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë.
