Shkolla e Magjistraturës zhvilloi më datë 16 nëntor 2026 aktivitetin trajnues me temë “STANDARDET MATERIALE DHE PROCEDURALE TË MBROJTJES NGA DISKRIMINIMI”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Arta Vorpsi, Genta Tafa (Bungo), Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Lehtësues: Entela Gjoni
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti trajnues është që pjesëmarrësit në përfundim të tij të jenë në gjendje të: dallojnë barazinë formale nga barazia substanciale dhe të zbatojnë testin e justifikimit; identifikojnë burimet kombëtare, kushtetuese dhe evropiane të zbatueshme; kualifikojnë format kryesore të diskriminimit dhe të dallojnë efektin diskriminues nga qëllimi; identifikojnë momentin e kalimit të barrës së provës dhe të kuptojnë marrëdhënien ndërmjet procedurës para KMD-së dhe procesit gjyqësor.
Metodologjia e trajnimit u realizua nëpërmjet prezantimit të koncepteve teorike i ndërthurur me raste të jurisprudencës, si dhe me kazuse për pjesëmarrësit.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
Parimi i barazisë dhe ndalimi i diskriminimit në rendin kushtetues shqiptar.
Kuadri ligjor kombëtar dhe standardet evropiane të mbrojtjes nga diskriminimi.
Format e diskriminimit dhe mënyra e identifikimit të tyre në praktikë, me jurisprudencë të GJK-së, GJEDNJ-së dhe GJED-së.
Barra e provës në çështjet e diskriminimit: standardi fillestar, kalimi i barrës, provat indirekte dhe statistikore, si dhe roli i gjykatës në administrimin e provës.
Roli i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi: kompetencat, natyra e vendimeve, raporti ndërmjet procedurës para KMD-së dhe procesit gjyqësor, si dhe përdorimi i praktikës së KMD-së në gjykim.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të juridiksioneve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë.
