Më datë 26 nëntor 2026, në ambientet e Shkollës së Magjistraturës, u zhvillua trajnimi me temë “Bashkëpunimi ndërkombëtar në çështjet penale”. Ky aktivitet u organizua në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar Ligjor (CILC) dhe me mbështetjen e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.

Përmes këtij trajnimi synohet të kontribuohet në forcimin e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe në rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit ndërkombëtar në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale me element ndërkombëtar.

Në aktivitet kontribuuan me ekpertizën e tyre: znj. Marina Beun, prokurore në Prokurorinë e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, si dhe z. Idlir Peçi dhe z. Amarildo Laçi, si ekspertë përfaqësues të Shkollës së Magjistraturës.

Ky aktivitet trajnues ka si qëllim forcimin e njohurive dhe aftësive praktike të pjesëmarrësve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet penale, duke u fokusuar në mekanizmat e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kompetente, rikuperimin ndërkombëtar të aseteve dhe përdorimin e provave të siguruara përmes këtij bashkëpunimi.

Gjatë trajnimit u trajtuan disa çështje me rëndësi për praktikën gjyqësore dhe hetimore, ndër të cilat:

  • Rikuperimi ndërkombëtar i aseteve, duke u ndalur te parimet e bashkëpunimit ndërkombëtar, traktatet përkatëse, rrjetet e bashkëpunimit dhe sigurimi i informacionit financiar;

  • Ndihma e ndërsjellë juridike në çështjet financiare, përmes një ushtrimi praktik për hartimin e një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike, shqyrtimin e formatit dhe përmbajtjes së letërporosisë dhe identifikimin e kanaleve të përshtatshme të bashkëpunimit;

  • Përdorshmëria e provave të marra përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, me fokus te procedurat e letërporosive dhe Urdhri Evropian i Hetimit, njoftimi i akteve procedurale, respektimi i afateve, marrja e provave dokumentare dhe materiale, si dhe marrja e dëshmive nga autoritetet kompetente;

  • Hetimet e OLAF-it dhe përdorimi i gjetjeve në procedimin penal, duke trajtuar procesin e hetimeve administrative, çështjet e juridiksionit, përcjelljen e gjetjeve te prokuroria shqiptare dhe Prokuroria Publike Evropiane (EPPO), si dhe përdorshmërinë e provave të mbledhura gjatë këtyre hetimeve në procedimet penale.

Trajnimi u zhvillua përmes prezantimeve tematike, diskutimit të rasteve konkrete (kazuseve) dhe ushtrimeve praktike në grupe pune, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe trajtimin e sfidave që paraqiten në praktikën e bashkëpunimit ndërkombëtar penal.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të juridiksioneve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë. 

← Back to list