Shkolla e Magjistraturës, më datë 6 Nëntor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Dhuna, ngacmimi dhe ngacmimi seksual në marrëdhëniet e punës; kuadri ligjor shqiptar, standardet e ONP-së dhe të Bashkimit Evropian”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Arta Mandro; Albana Shtylla
Lehtësues: Rudi Laze
Trajnimi synon të forcojë kapacitetet e magjistratëve për identifikimin, interpretimin dhe zbatimin e kuadrit ligjor që rregullon dhunën, ngacmimin dhe ngacmimin seksual në marrëdhëniet e punës. Trajnimi do të analizojë legjislacionin shqiptar, standardet e përcaktuara nga Konventa Nr. 190 e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP) dhe Rekomandimi Nr. 206, si dhe acquis e Bashkimit Evropian në fushën e barazisë në punësim, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së dinjitetit në vendin e punës.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet me diskutimet në grupe, argumentimi i zgjidhjeve, paraqitja e qëndrimeve dhe ballafaqimi me jurisprudencën në lidhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikën e brendshme në fushën e barazisë në punësim dhe mosdiskriminimit.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
Konceptet dhe format e dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual në marrëdhëniet e punës; detyrimet e punëdhënësit për parandalimin dhe trajtimin e rasteve; mekanizmat e mbrojtjes gjyqësore dhe administrative; mjetet juridike në dispozicion të viktimave; jurisprudenca kombëtare, evropiane dhe ndërkombëtare në këtë fushë.
Të drejtat që gëzojnë mbrojtje ligjore në rrugë gjyqësore të lidhura me Konventën 190 të ONP/ILO dhe për parandalimin e diskriminimit, ngacmimit dhe dhunës në marrëdhëniet e punës.
Risitë e ligjit nr. 136/2015 në marrëdhënien juridike të punësimit për punëmarrësit e punëdhënësit, në mënyrën dhe shkaqet e zgjidhjes së kontratave të punës me ose pa afat të caktuar.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë të Republikës së Shqipërisë.

