Shkolla e Magjistraturës, më datë 29 tetor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Mekanizmat ligjorë të mbrojtjes së mjedisit parashikuar nga e drejta administrative. Legjitimimi i individit dhe grupeve të interesit për mbrojtjen e mjedisit: këndvështrimi kushtetues dhe ligjor. Raporti midis përgjegjësisë penale dhe administrative si dhe kufijtë e shqyrtimit gjyqësor nga gjykatat administrative”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Elvana Çiçolli; Idlir Peçi
Lehtësues: Adrian Shega
Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon të rrisë kapacitetet profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve në interpretimin dhe zbatimin e legjislacionit kombëtar, europian dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Ky aktivitet trajnues ka për qëllim që pjesëmarrësit të thellojnë njohuritë e tyre mbi instrumentet juridike të mbrojtjes së mjedisit, mekanizmat administrativë dhe penalë të zbatimit të ligjit, si dhe standardet e jurisprudencës kombëtare dhe europiane që lidhen me çështjet mjedisore. Në kushtet e rritjes së sfidave mjedisore dhe të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire të Bashkimit Europian, njohja e instrumenteve juridike për mbrojtjen e mjedisit përbën një element thelbësor për ushtrimin efektiv të funksioneve gjyqësore dhe të ndjekjes penale.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Kjo temë trajton instrumentet procedurale dhe substanciale që sigurojnë zbatimin efektiv të legjislacionit mjedisor, duke përfshirë:
Mekanizmat ligjorë të mbrojtjes së mjedisit.
Mekanizmat administrativë dhe problematikat e hasura në praktikën gjyqësore lidhur me legjitimimin e grupeve të interesit, ekspertimet mjedisore dhe zbatimin e legjislacionit mjedisor.
Mekanizmat penalë të mbrojtjes së mjedisit, duke analizuar rolin e ekspertimit në hetim dhe gjykim, si dhe zbatimin e dispozitave penale përkatëse.
Marrëdhënien ndërmjet përgjegjësisë administrative dhe asaj penale për dëmtimin e mjedisit, si dhe kufijtë e kontrollit gjyqësor të ushtruar nga gjykatat administrative.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, ndihmës ligjorë dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.

