Shkolla e Magjistraturës zhvilloi më datë 18 nëntor 2026 aktivitetin trajnues me temë “Garantimi i balancës ndërmjet interesit të hetimit penal dhe respektimit të të drejtave themelore të individit, veçanërisht sa i takon fshehtësisë së korrespondencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Nertina Kosova, Florjan Kalaja

Lehtësues: Olgert Rumnici

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti trajnues aftësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve lidhur me standardet kushtetuese dhe konventore që duhet të zbatohen për respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirisë e fshehtësisë së korrespondencës në hetim e gjykim, si dhe me  aspektet materiale dhe procedurale të trajtimit të çështjeve të tilla. Njohja me praktikat e GJEDNJ, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Metodologjia e trajnimit u realizua nëpërmjet prezantimit të koncepteve teorike i ndërthurur me raste të jurisprudencës, si dhe me kazuse për pjesëmarrësit.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Tensioni ndërmjet efektivitetit të ndjekjes penale dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe fshehtësisë e lirisë së korrespondencës;

  • Qasja kushtetuese dhe konvetore ndërmjet këtyre interesave;

  • Cenimet që prekin thelbin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e korrespondencës. Kriteret e shqyrtimit të ndërhyrjes/cenimit dhe parimi i proporcionalitetit;

  • Efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 44/2025 mbi zhvillimin e procedurave në procesin penal që prekin të dhënat personale dhe lirinë e korrespondencës;

  • Roli i gjykatës dhe prokurorit në raste të tilla, në përqasje me dispozitat aktuale të kodit të procedurës penale;

  • Vëzhgim mbi përputhshmërinë e propozimeve për ndryshime ligjore në kodin e procedurës penale me standardet e përcaktuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese;

  • Trajtimi i praktikave të GJEDNJ që ndërthurin mbrojtjen e të dhënave personale dhe lirinë e korrespondencës me hetimin/gjykimin dhe efektet që japin në procesin penal dhe në pranueshmërinë e provave.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë të juridiksioneve të ndryshme të Republikës së Shqipërisë, si dhe oficerë të policisë gjyqësore.

← Kthehu te lista