Shkolla e Magjistraturës, më datë 17 prill 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “ Njohja e personave, sendeve si dhe objekteve që mund të jenë objekt i perceptimit shqisor. Subjektet që mund të bëjnë njohjen, përfshirë bashkëpandehurin dhe të pandehurin në një procedim të lidhur. Rregullat procedurale të pyetjes së personit që duhet të bëjë njohjen. Pasojat e moszbatimit të këtyre rregullave në rezultatet e njohjes. Procedura e njohjes dhe ndryshimet ligjore sipas ligjit Nr.35/2017. Sigurimi i personave/objekteve të ngjashme, rëndësia e këtij rregulli në rezultatin e njohjes. Prania e detyrueshme e mbrojtësit gjatë njohjes. Identifikimi i të pandehurit me anë të fotografisë, dallimi midis njohjes dhe identifikimit/individualizimit të të pandehurit. Pavlefshmëria e njohjes, mundësia e përsëritjes së njohjes nga i njëjti person dhe problematikat në praktikën gjyqësore”,  pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Tereza Merkaj, Kreshnik Ajazi

Lehtësues: Gjergji Ceka

Qëllimi i këtij trajnimi është: Kuptimi i procedurës së njohjes, njohja e standardeve dhe praktikave europiane dhe krahasimi me to, identifikimi i gabimeve praktike.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Analizë e praktikës gjyqësore vendase dhe ndërkombëtare mbi “njohjen e personit” Njohjet e tjera sipas nenit 174 të K.Pr.Penale; 
  • Njohja e personit nga viktima e mitur si burim prove dhe garancitë/rregullat proceduriale të zbatueshme;
  • Koncepti i “Njohjes së personave” si mjet për kërkimin e provës në procesin penal dhe rregullat procedurale të pyetjes së personit që duhet të realizojë njohjen;
  • Pasojat e moszbatimit të këtyre rregullave në rezultatet e njohjes; 
  • Pavlefshmëria e njohjes, mundësia e përsëritjes së njohjes nga i njëjti person dhe
    problematikat në praktikën gjyqësore;            
  • Procedura e “Njohjes” në vështrim krahasues sipas legjislacioneve të vendeve të tjera.

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë, dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.

← Back to list