
Shkolla e Magjistraturës, zhvilloi në datat 15 – 16 Prill 2026 aktivitetin trajnues dy-ditor me Temë: “Siguria e gazetarëve dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Margarita Buhali; Edlira Petri
Lehtësues: Zylyftar Bregu
Moderatore: Aida Bushati
Qëllimi i këtij trajnimi është:Trajnimi synon të forcojë kapacitetet e magjistratëve për të kuptuar dhe zbatuar standardet ndërkombëtare mbi mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve, në përputhje me nenin 10 të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së, si edhe për të reflektuar mbi sfidat që paraqet praktika shqiptare në raport me shpifjen penale, mbrojtjen e burimeve gazetareske, paditë SLAPP dhe marrëdhënien midis medias dhe sistemit të drejtësisë.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Shpifja penale, SLAPP-et dhe mbrojtja e burimeve gazetareske. Shpifja penale si burim i “chilling effect” dhe pasojat për lirinë e shtypit. Kërkesat e integrimit evropian dhe tendenca drejt dekriminalizimit. SLAPP-et si formë presioni ndaj medias dhe pjesëmarrjes në debatin publik.
- Kuadri ndërkombëtar – neni 10 i KEDNJ dhe jurisprudenca e GJEDNJ për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve. Gazetari si “roje publike” (public watchdog) dhe mbrojtja e zgjeruar sipas GJEDNJ. Siguria e gazetarëve si kusht për ushtrimin efektiv të lirisë së shprehjes; format e cënimit, duke përfshirë kërcënimin, intimidimin, dhunën, survejimin, kontrollet dhe pengesat ndaj ushtrimit të profesionit.
- Siguria e gazetarëve kur janë subjekte të një procesi gjyqësor – këndvështrimi gazetaresk. Përvoja e gazetarit në përfshirjen në procese gjyqësore penale ose civile. Ndikimi i procedimeve gjyqësore në ushtrimin e gazetarisë investigative dhe në mbrojtjen e burimeve. ; marrëdhënia e gazetarit me organet e ndjekjes penale dhe me gjykatën; presioni profesional, etik dhe personal që lidhet me ekspozimin gjyqësor të gazetarit; reflektime praktike mbi nevojën për garanci procedurale efektive dhe standarde mbrojtëse.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.




