Me rastin e 25 vjetorit të veprimtarisë akademike si dhe me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, Shkolla e Magjistraturës zhvilloi ceremoninë e diplomimit të kandidatëve për magjistratë të brezit 2019-2022 si dhe Konferencën «Drejtësia Penale në Veprim».

Aktiviteti kremtoi 25 vjet veprimtari të Shkollës së Magjistraturës, duke evidentuar rrugëtimin që ka bërë institucioni që nga fillimet e tij në kualifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm e deri në konsolidimin e tij dhe shndërrimin në një institucion me status kushtetues, shumë i rëndësishëm në realizimin e detyrave të reformës në drejtësi. 

Aktiviteti u zhvillua sot në 3 Tetor 2022 në Hotel Tirana Internacional me pjesëmarrjen e personaliteteve të ndryshme të vendit dhe të huaja si Presidenti i Republikës, Ministri i Drejtësisë, drejtues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë (si KLGJ dhe KLP), ambasadorë të vendeve mike si dhe personalitete të tjerë të rëndësishëm, të cilët përcollën mesazhe të rëndësishme për magjistratët e diplomuar duke e vënë theksin tek e ardhmja dhe kontributi i tyre i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në reformim. Eventi, njëkohësisht, përcolli frymën e bashkëpunimit me të gjithë partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë si dhe shkollat dhe institucionet e trajnimit gjyqësor homologe të rajonit dhe më gjerë.

Në pjesën e tij të dytë, aktiviteti vijoi me Konferencën shkencore “Drejtësia Penale në Veprim” ku folës të ndryshëm u fokusuan në trajtimin e tematikave të rëndësishme në këtë fushë. Gjatë trajtesave u soll, sipas nëntematikave të fushës, perspektiva e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Shkollës së Magjistraturës, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë të shkollës si Qendra e Trajnimit Gjyqësor të Hollandës, Qendra AIRE dhe Projekti me Këshillin e Lartë të Magjistraturës së Italisë. 

← Back to list