
Mirëmëngjes të gjithëve,
Ju falënderoj nga zemra për ndjekjen e kësaj veprimtarie të rëndësishme, jo vetëm për Shkollën e Magjistraturës, por edhe për sistemin e drejtësisë në tërësinë e tij.
Rëndësinë e kësaj veprimtarie e shton edhe më tej pjesëmarrja e Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës, z. Bajram Begaj.
I nderuar zoti President,
Është një privilegj për mua që, në emër të Trupës Pedagogjike të Shkollës së Magjistraturës, t’ju uroj mirëseardhjen mes nesh.
Ju siguroj se veprimtaria e sotme do të mbahet mend përgjatë historisë së Shkollës sonë, ashtu siç mbajmë mend dhe kujtojmë me shumë respekt pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e organizuar me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Shkollës sonë.
Mbi të gjitha, kujtojmë me mirënjohje nderimin që shprehët ndaj dy pedagogëve të Trupës sonë Pedagogjike, profesorëve të nderuar Mandro dhe Kore, të cilëve u akorduat dekoratën “Mjeshtër i Madh”.
Kjo dekoratë iu bashkëngjit dekoratës “Për Merita të Veçanta për Shkollën e Magjistraturës”, të dhënë nga Presidenti Moisiu vite më parë.
Të gjithë ne ndihemi mirënjohës për këto aktvlerësime, të cilat qëndrojnë në përputhje të plotë me synimet dhe idealet që përmban misioni i profesionit tonë.
Të nderuar kandidatë për gjyqtarë, prokurorë, avokatë të shtetit dhe ndihmës ligjorë.
Të nderuar drejtues të institucionave gjyqësore, prokurorisë dhe të qeverisjes së tyre,
Të nderuar pedagogë të Shkollës së Magjistraturës,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të partnerëve të ngushtë të Shkollës së Magjistraturës!
Të nderuar të ftuar,
Të gjithëve ju uroj mirëseardhjen në këtë veprimtari solemne.
Që në hyrje, dëshiroj të shpreh dëshirën dhe besimin tim se marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të jenë të afërta dhe bashkëpunuese, në të mirë të përsosjes së veprimtarisë së përgjithshme të Shkollës, të edukimit ligjor dhe të aftësimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
1. Të dashur kandidatë për gjyqtarë, prokurorë, avokatë të shtetit dhe ndihmës ligjorë. Sot fillon një rrugëtim që, në fund të tij, me urimin që do të përfundojë suksesshëm për të gjithë, nuk do t'ju japë vetëm një profesion; do t'ju japë përgjegjësi publike që lidhet me misionin e veçantë e fisnik të anëtarit të shërbimit gjyqësor në vend. Pra, sot nuk jemi mbledhur thjesht për të shënuar fillimin e një viti të ri akademik, por për të kujtuar përgjegjësitë që, po hyni në një shkollë që nuk përgatit apo duhet të përgatitë vetëm juristë të aftë, por në një Shkollë që synon të përpunojë përzgjedhjen prej shumë të tjerëve që kërkojnë të hyjnë në sistem, me synimin që kryerjen korrekte të detyrës së lartë dhe dhembshurinë përgjatë ushtrimit të saj të jenë prioritare. Ju po hyni në një Shkollë që ka një mision të veçantë: jo të krijojë nga e para njerëzit të cilëve do t’u besohet drejtësia, por të përzgjedhë, të përmirësojë, të identifikojë dhe të zhvillojë profesionalisht ata që tashmë mbartin në vetvete bazat e karakterit dhe të vlerave mbi të cilat mund të ndërtohet një magjistrat; t’u forcojë ndjenjën e përgjegjësisë njerëzve të cilëve shoqëria do t’u besojë një nga pushtetet më të rëndësishme të shtetit: pushtetin për t’i gjykuar ata në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të paanshme, mbushur me dhembshuri dhe ndjeshmëri njerëzore, larg trajtimit të interesave private në epërsi përkundër interest publik.
2. Jo vonë, mbase më mirë është të thuhet që sot, Ju do të bëni pjesë në një sistem që, parë ndershmërisht, vazhdon të ketë probleme që shfaqen në të kundërt të misionit dhe detyrave që ai ka, të japë drejtësi të paanshme, të shpejtë, t’i shërbejë të dobëtit që ka nevojë dhe të drejtë. Realizimi i misionit bën që vendimi gjyqësor të mos jetë thjesht një dokument juridik, por një përgjigje e pranuar ndaj konfliktit, përgjigje thelbësisht e drejtë, e argumentuar dhe bindëse, bindëse për të krijuar BESIMIN e shumëkërkuar nga publiku taksapagues. Dhe, mos prisni që qytetarët t’ju besojnë vetëm sepse do të jeni gjyqtarë, apo keni kaluar një konkurs, keni përfunduar këtë shkollë, besimi nuk imponohet me fjalë apo pushtet, por çdo ditë, vendim të drejtë pas një tjetri vendimi të drejtë e kështu me radhë. Vetëm kështu, autoriteti ligjor që pushteti ka do të plotësohet me thelbin që e mban në këmbë, besimin e publikut tek Drejtësia. Besimi fitohet me profesionalizëm, me integritet, me pavarësi e paanshmëri dhe, mbi të gjitha, me qëndrueshmëri në parimet e profesionit. Jini të ndërgjegjshëm që, nëse pushteti që do i përkisni nuk sillet si i tillë, demokracia nuk ekziston dhe njerëzit shtyhen të imponuar të jetojnë në sistem jodemokratik, në një gënjeshtër sociale të organizuar pa thelbin sine qua non të demokracisë, Drejtësinë e Pavarur.
3. Prandaj, kur të dilni nga kjo shkollë, askush nuk do t’ju kërkojë të jeni gjyqtarë të përsosur, do t’ju kërkohet të jeni gjyqtarë të drejtë, të jeni të pavarur, të mos ndikoheni nga zhurmat publike, politike, nga pushteti në tërësinë e tij, do t’ju kërkohet përditë të mos ndikoheni nga marrëdhëniet personale apo nga interesat e çastit, të kujtdo qofshin kur bien ndesh me të drejtën. Të qenit i drejtë është ndoshta elementi edhe më i vështirë i integritetit të magjistratit, por duhet ta bëni, nuk ka alternativë tjetër edhe atëherë kur vendimi juaj nuk do të pëlqehet. Kështu, jeni në shërbim edhe të përsosjes së personit tuaj, i jepni atij bazë morale dhe ligjore të kërkojë mbrojtjen e rendit juridik, të drejtave të tij e të shtetasve nga cilido që prek ato. Mosqenia i drejtë përgjatë ushtrimit të detyrës, u shkatërron të drejtën morale për ta kryer atë. Nëse nuk arrini ta kapërceni vështirësinë për të qenë i drejtë, jini të ndershëm për të ndërruar profesionin.
4. Këto janë pritshmëritë e publikut, pritshmëri të larta që, për nga këndvështrimi i tyre rreth përmbajtjes së detyrave tona, janë më tepër pranë standardeve të familjes europiane, krahasuar me ne. Ndonjëherë, ndoshta, janë edhe më të larta nga sa mund të përballojë realisht sistemi ynë, ndaj kjo është një argument për t’u përgatitur më mirë, jo thjesht e vetëm në Shkollë, mos e shihni atë si një institucion që ju mëson vetëm ligjin. Kjo është pak të thuhet, shpesh aspak. Integriteti i gjyqtarit dhe veprimtarisë së drejtësisë në përmbajtjen e tij ka njohuritë e ligjit, procedurave, jurisprudencës së shumëllojshme apo të shumëkombeve. Të gjitha këto do t’i mësoni, në mos i dini edhe më mirë se sa pedagogët tuaj. Por në tërësinë e integritetit këto elemente janë në pakicë krahasuar me njeriun që duhet të jetë gjyqtari ynë dhe, kjo nuk mësohet në libra apo në shkollë, siç nuk mësohet gjykimi në shkollë; të gjykosh pasi të dish të dëgjosh me vëmendje, të dish të dallosh thelbin e gjërave jo thjesht formën e tyre, të njohësh dhe evitosh paragjykimin edhe ato të fshehurat brenda nesh, të kuptosh pasojat njerëzore të një vendimi, të mos lejosh që emocionet të zëvendësojnë ligjin, të arsyetosh përsenë e famshme, të dish të thuash "jo" kur ligji dhe ndërgjegjja profesionale e kërkojnë jo-në. Dhe nesër, këta njerëz duhet të jeni ju. Ju do t’i jepni jetë strukturave, procedurave dhe të drejtën atij që i takon.
Të dashur kandidatë,
5. Ju keni fituar punën e ardhshme me meritën dhe sakrificën tuaj, ndaj mos u ndieni në borxh me kërrkënd për karrierën që keni përpara. Ajo që pritet prej jush është thjesht dhe vetëm respekti dhe përkushtimi ndaj ligjit, ndaj vlerave morale, ndaj detyrës së lartë dhe etikës që rregullon këtë detyrë. Por, kjo që sapo thashë shkon përgjatë me përgjegjësinë e ushtrimit të profesionit dhe pritshmëritë e publikut taksapagues prej të cilit do të paguheni.
Po jetojmë në një shoqëri që ndryshon shpejt. Teknologjia e re po ndryshon mënyrën se si njerëzit komunikojnë, punojnë dhe kryejnë veprimtari ekonomike, po sjell forma të reja të konflikteve. Ndaj ju duhet të kuptoni drejt kohën në të cilën jetoni, duke punuar me shumë devocion e sidomos me më shumë transparencë përkundrejt publikut apo medias që ndjek drejtësinë më nga afër.
Po jetojmë në një shoqëri ku kemi përditë e më shumë qytetarë që janë gjithnjë e më pak të gatshëm të pranojnë një vendim vetëm sepse ai mban vulën e gjykatës. Nuk dua të gjej sot arsyet e vërteta të mosbesimit, por dua të dalloj përgjegjësinë e secilit prej nesh me thirrjen për të mos fajësuar sistemin, që sigurisht ka mangësi, të mos fajësojmë ligje të mangëta apo institucione që duhen reformuar. Një gjyqtar nuk fshihet pas sistemit, sepse çfarë ndodh në sallën e gjyqit është përgjegjësi personale, përherë. Është ai që mishëron sistemin në tërësinë abstrakte të ndërtuar nga ligji, ndaj përgjegjësia do t’u përbëjë barrë të madhe në gjithë privilegjin që keni për të qenë gjyqtarë/prokurorë të Republikës.
6. Besoj se flas edhe në emër të kolegëve pedagogë të Shkollës kur dua t’ju uroj të mos humbni kurrë arsyen pse keni zgjedhur këtë profesion dhe që presim shumë nga e ardhmja juaj profesionale. Për t’u ndalur pak çaste. Kurrikulat e Shkollës nuk do t’ju përgatisin për provimin e radhës, për ushtrimin e radhës apo të plotësojnë njohuritë tuaja. Por do t’ju përgatisin për ditën kur përballë jush do të ulen njerëz realë me probleme reale, kur rasti nuk është më thjesht një rast studimor, por do të jetë jeta e dikujt, pasuria apo liria e tij, nderi e dinjiteti i tij, një fëmijë viktimë e abuzimit, e ardhmja e një familjeje si e tërë. Ndaj standardet e kësaj shkolle janë të larta, u mëson se vendimet kanë pasoja, merren në përgjegjësi të plotë, me profesionalizëm, integritet dhe në respekt për dinjitetin e njeriut. Përgjatë viteve të punës do të konstatoni vetë se sa e vështirë do të jetë realizimi i së drejtës, do të njihni më mirë realitetin jetësor të njerëzve taksapagues dhe hallet e tyre. Do të ndjeni presionin e madh që vjen nga të gjitha anët për të devijuar dhënien e drejtësisë, do të ndjeni influencën e atyre që kërkojnë drejtësi vetëm për vete në kurriz të së drejtës së tjetrit. Ajo çfarë ne urojmë është rezistenca juaj përballë çdo presioni. Mos jini selektivë të zgjidhni drejtësisht një çështje, duke lënë dhjetëra të tjera në kaosin e padrejtësive; kështu nuk ndërtohet shteti ligjor.
Por, shpresojmë që pritshmërinë më të lartë ta keni ju vetë ndaj standardit tuaj profesional, etik e moral, sepse përsëris, sistemin e mbajnë në këmbë në funksionin natyral që misioni i ka caktuar, vetë njerëzit që e përbëjnë atë, dhe sot, para nesh, ju jeni njerëzit që nesër do të jenë pjesë e këtij sistemi që kërkon publiku.
Edhe një herë, ju uroj punë të mbarë, kurajë profesionale, integritet dhe sukses të plotë në këtë rrugëtim. Të njëjtin urim kam edhe për kolegët pedagogë të Shkollës së Magjistraturës dhe administratën ndihmëse të saj. Faleminderit!



