
Të nderuar Kolegë!
Të nderuar Titullarë të Institucioneve të Drejtësisë!
Të nderuar Ambasadorë!
Miq e të ftuar!
Ndihem i privilegjuar që me rastin e Ditës së Drejtësisë dhe Europës, më jepet mundësia të flas përpara trupës gjyqësore, kolegëve gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë.
Fillimisht, ju uroj Gëzuar të gjithëve dhe, bashkë me urimin të falënderoj organizatorët për aktivitetin e veçantë që kanë sjellë në këtë ditë.
Kur sheh temën e aktivitetit të sotëm, Drejtësia në Kohë Sfidash, të krijon përshtypjen sikur jemi mbledhur për të festuar, por nisur nga prezumimi se ne, edhe kur festojmë mendjen e kemi te puna, po përpiqem të gjej hapësirën e nevojshme që përkundër festës të paraqes edhe opinionet e mia se çfarë po na sfidon dhe, duhet të sfidojmë ndërkohë së bashku.
Në parantezë të rreshtave më poshtë, më duhet të them se opinionet e mia nuk e shkëpusin Shkollën e Magjistraturës nga pjesa përbërëse e Institucioneve që përballen me sfidat e sotme. Ne jemi pjesë e organeve të qeverisjes gjyqësore dhe, e ndiejmë veten bashkë me sistemin në çdo hap apo rrugëtim për nga suksesi që kërkojmë të arrijmë.
Duke folur në emër të Shkollës së Magjistraturës më së shumti më duhet të flas për të ardhmen e sistemit, ngaqë koha jonë më thelbësore i dedikohet furnizimit të sistemit të nesërm. Por, nuk i rezistoj dot nevojës sime si qytetar dhe pjesëtar i kahershëm i sistemit të drejtësisë të flas për KOHËN sot, për çfarë duhet t’i japim publikut, që sot, jo vetëm nesër, t’i japim jo thjesht shpresë sepse po përgatisim një rast gjyqësor, por t’i japim shpresë e shpjegojmë atij se jemi duke themeluar shtetin e së drejtës në Shqipëri, të cilin na e kanë sabotuar prej vitesh, veprimtari që kërkon kohë, por jep garancitë maksimale se shërbimi gjyqësor do të jetë më i mirë.
Që nga miratimi i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 dhe grup-ligjeve përkatëse që kanë përbërë thelbin e Reformës në Drejtësi, ka kaluar mjaftueshëm kohë që çdo Institucion i ripërtërirë apo formuar rishtas të ketë pasur mundësinë, madje detyrimin, që të vlerësojë çfarë ka arritur e çfarë jo, arsyet përkatëse për secilën alternativë, t’u përgjigjet pyetjeve të rëndësishme që janë hedhur në publik ose ato që natyrshëm lindin nga burimet tona të brendshme.
A punojnë më mirë gjykatat dhe Prokuroria jonë? A jepet drejtësi më e mirë? Sa është eliminuar korrupsioni në dhënien e drejtësisë apo në sistemin e drejtësisë penale? Sa pjesë përbën merita e kandidatëve në emërimin e tyre nga organet e qeverisjes? Sa ndikim të jashtëm vazhdojmë të absorbojmë dhe t’i nënshtrohemi? Përse po lejojmë që media, portalet apo populizmi në përgjithësi të ndikojnë në vendimit tona? A jemi më të pavarur në qeverisjen tonë apo dhënien e drejtësisë? A po priten dhe a janë prerë fijet e kontakteve me elementët kriminalë? A ndikojnë këta të fundit në karrierën dhe Institucionet tona? A jemi të koordinuar si një trupë e vetme qeveritare për të qeverisur gjyqësorin? A kujdesemi maksimalisht që gjyqësori t’u përgjigjet problemeve të njerëzve në kohë të arsyeshme? Përse nuk janë ngritur ende tërësisht Institucionet e sistemit tonë, BKH-ja p.sh.? A po i trajtojmë shqiptarët në mënyrë të barabartë, ashtu siç i ka bërë natyra, siç i njeh rendi demokratik dhe Kushtetuta?
Përkrah tyre mund të rendis edhe dhjetëra pyetje të tjera, përmbajtja apo përgjigjet e tyre janë drejtpërsëdrejti të lidhura me pritshmëritë që rrjedhin nga qëllimet e larta të ndërmarra nga Reforma në Drejtësi, e cila nuk u konceptua thjesht si reformë kushtetuese apo ligjesh, por përmbi të gjitha si reformë e sjelljes sonë, reformë që do të ndryshonte mentalitetin e të bërit të drejtësisë në mënyrë selektive, duke dhunuar haptazi e me cinizëm barazinë e njerëzve përpara ligjit.
Mendoj se ka ardhur koha që ne t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve, të cilat, sipas meje, përbëjnë edhe sfidën e gjyqësorit sot.
Po përpiqem të jap edhe unë opinionin tim për disa prej pyetjeve që parashtrova më lart. Paraprakisht, në mënyrë të përgjithshme, dua të them se pritshmëritë e secilit nga ne kanë qenë më të mëdha. Kam parasysh këtu edhe diferencën natyrale që gjendet përherë ndërmjet pritshmërive të ligjvënësit apo ëndërrimtarëve, me atë që të ofrojnë operatorët e drejtpërdrejtë të zbatimit të ligjit. Diferencat në kuptimin e frymës së ligjit nga dy kategoritë e mësipërme janë të ndryshme dhe përbëjnë shkak të arsyeshëm për të justifikuar mosarritjen te pritshmëritë. Koha e ushtrimit të aktivitetit nga zbatuesit e ligjit dhe trajnimi i tyre i vazhdueshëm janë masa të mjaftueshme për të pakësuar hapësirën e mësipërme.
Mendoj se mosarritja jonë te pritshmëritë, më tepër është shkaktuar prej faktorëve subjektivë që gjenden ndër ne, në aftësinë tonë për të kuptuar e vepruar nën detyrimet Kushtetuese të një trupe qeverisëse të pavarur. Nuk anashkaloj apo nënvleftësoj kufizimet etike, ndërhyrjet e jashtme që kanë rritur peshën e arsyeve të mosplotësimit të pritshmërive. Me kënaqësi konstatohet se elementet e aftësive profesionale që pengojnë arritjen e pritshmërive, më së shumti, janë kapërcyer.
Përgjigjja e grup-pyetjeve si: “A jemi më të pavarur në qeverisjen tonë apo dhënien e drejtësisë? A po priten dhe a janë prerë fijet e kontakteve me elementët kriminalë? A ndikojnë këta të fundit në karrierën e Institucioneve tona? A jemi të koordinuar si një trupë e vetme qeveritare për të qeverisur gjyqësorin? Sa pjesë përbën merita e kandidatëve në emërimin e tyre nga organet e qeverisjes?” Këto pyetje përbëjnë thelbin e sfidës së parë dhe kryesore që ne kemi, Pavarësia e sistemit tonë Gjyqësor, përfshi edhe Prokurorinë. Kur përmend pavarësinë kam parasysh pavarësinë funksionale të gjithsecilit prej nesh, pavarësisht se në çfarë hallke të strukturës qeverisëse bëjmë pjesë, si dhe, mënyrën se si i marrim vendimet në ushtrim të kompetencave tona.
Ajo që konstatohet në veprimtarinë tonë të përditshme janë rezervat e mëdha e të pashfrytëzuara që ne kemi për të na bërë krenarë se jemi të pavarur në qeverisjen e gjyqësorit. Vakancat e shumta në sistem dhe nevojat e plotësimit të tyre kanë përmbysur apo anashkaluar, jo në pak raste meritën e kandidatit. Vakancat, ndonjëherë edhe pa garë për t’u plotësuar, janë shfrytëzuar edhe për të lehtësuar ndikimin e jashtëm në qeverisje.
Sfida e dytë lidhet me cilësinë e dhënies së drejtësisë, përfshi punën e Prokurorisë. Këtu duhet t’u përgjigjemi grup-pyetjeve, si: “A punojnë më mirë gjykatat dhe Prokuroria jonë? A jepet drejtësi më e mirë? Sa është eliminuar korrupsioni në dhënien e drejtësisë apo në sistemin e drejtësisë penale?”
Të gjithë e kemi të qartë se përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen me të gjithë ne që ndodhemi sot në këtë sallë, që po flasim apo dëgjojmë, lidhen me të gjitha qëllimet që u trupëzuan në korpusin ligjor të Reformës. Nëse nuk do të synoheshin qëllimet e larta të sigurimit të drejtësisë më të mirë, kuptohet se ndryshimet nuk kishin arsye pse të ndërmerreshin.
Unë mendoj se Gjykatat dhe Prokuroria ende kanë shumë punë për të përmbushur. Hyrja në sistemin e drejtësisë të kolegëve tanë për shkak të meritës së tyre shihet që ende nuk përbën shkak të mjaftueshëm që të jenë dhe sillen si të varur vetëm nga ligji dhe përmbajtja e tij, ende është e nevojshme perfeksionimi i sistemit që vlerëson kandidatët për gjyqtarë e prokurorë me qëllimin e madh të moslejimit të penetrimit në të të elementëve të papërshtatshëm. Ky detyrim vlen edhe për kriteret e karrierës së tyre. Nevoja e plotësimit të vakancave nuk duhet të na shtyjë në përzgjedhjen e kandidatëve të padenjë për të kryer detyrën e gjyqtarit apo prokurorit. Paralel me këtë, sistemi i kontrollit përmbi punën dhe cilësinë e gjyqësorit, duhet forcuar.
Një sfidë tjetër do të konsideroja ato çka lidhen me përgjigjet e pyetjes: “A jemi të koordinuar si një trupë e vetme qeveritare për të qeverisur gjyqësorin?”
Kjo çështje nuk është thjesht dhe vetëm e të qeverisurit të gjyqësorit. Kjo përfshin edhe tabu të tilla si organet e vetingut dhe mënyra apo ritmi i punës së tyre. Unë kam shprehur shpesh mendimin, me shpresën se kam qenë duke thënë një gjë racionale se, ne duhet të koordinojmë veprimet së bashku në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe drejtësia penale të mos kalojë në zeitnot. Fakti që nuk ndodh koordinimi më ka lënë shijen se ajo që kam thënë ka qenë thjesht, joracionale. Megjithatë, duke mos pëlqyer shijen e mësipërme, po e përsëris mendimin tim se, shumë prej emergjencave të krijuara në sistem janë thjesht e vetëm për shkak të mos koordinimit të punëve ndërmjet nesh. Në këtë rast nuk po flas për të cenuar, larg qoftë, pavarësinë e kurrkujt, thjesht po them se duhet të ulemi dhe të gjejmë rrugët se si mund të mbahet në këmbë e të funksionojë sa më mirë sistemi gjyqësor. Ne jemi Institucione të shtetit shqiptar dhe duhet të mbajmë përgjegjësi për çfarë prodhojmë. Njerëzit e këtij vendi nuk kanë përse të vuajnë paaftësinë tonë për të kryer detyrat dhe, me të drejtë mund dhe, sipas meje, duhet të na kërkojnë, ndryshimin e profesioneve tona, sepse jemi të paaftë për t’i përmbushur si e sa duhet. Nga kjo thirrje nuk përjashtohen gjyqtarët apo prokurorët. Është konkluzion që rrjedh nga një ekuacion i thjeshtë logjik, Reforma në Drejtësi u ndërmor pasi analiza e sistemit përcaktoi që cilësia e dhënies së drejtësisë, sidomos penale, ishte e ulët. Ndaj u ndryshua korpusi kryesor i ligjeve që rregullojnë sistemin tonë, përfshi Kushtetutën e vendit. Nëse cilësia e dhënies së drejtësisë pas qeverisjes sonë të pavarur do të vazhdojë të jetë e ulët, atëherë kuptohet lehtë se problemi nuk është dhe nuk ka qenë te ligjet që rregullojnë veprimtarinë tonë, por problemi jemi ne. Ndaj e legjitimoj përsëri thirrjen se duhet të ndryshojmë profesionet tona nëse nuk i japim dot drejtësinë atij që i takon apo nuk dimë ta qeverisim atë.
Sfida tjetër që ndiej për të përmendur është përgjigja e pyetjes: “Përse nuk janë ngritur ende apo riorganizuar tërësisht Institucionet e sistemit tonë, BKH p.sh.?
Nga 2016-ta e këtej ka pasur zvarritje, edhe të qëllimshme, në formimin apo riorganizimin e Institucioneve të reja të Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese apo ajo e Lartë vuajtën humorin e keq politik për t’u formësuar. Sot harta e re gjyqësore ende e ka anonim për publikun shkakun përse nuk miratohet. Të gjithë thërrasin që mund të ndikojë dhe, ndikon me patjetër, në lehtësimin e sistemit dhe përmirësimin e dhënies së drejtësisë. Megjithatë, nuk miratohet. Me sa di unë, do të miratohet një ditë.
Por, ajo që unë personalisht nuk arrij ta kuptoj, megjithëse e kam vrarë shumë mendjen për këtë fakt, është mos ngritja e BKH-së. Ky institucion u mirëprit nga publiku që kur u përmend se në të ardhmen do të kishim një të tillë. Është pjesë përbërëse e SPAK-ut dhe e ka lënë këtë të fundit pa gjymtyrën kryesore për të përmbushur rregullisht detyrën, pa fshirë me këtë që them, paaftësinë e tyre për të ndrequr situatën. Nëse do të ishim të lirë të kërkonim përgjegjësinë e SPAK-ut për mënyrën se si ata janë duke përmbushur detyrën e tyre apo realizuar pritshmëritë e KOHËS dhe nevojat e publikut për drejtësi e prosperitet në këtë vend, do të duhej që alibia për mosngritjen e BKH-së, të mos ishte prezent. Në pikëpamjen organizative shteti shqiptar duhej të kujdesej për të formuar trupën e plotë të SPAK-ut siç e kërkon Kushtetuta. Rektori i Universitetit që është pranë meje dhe unë, kemi harxhuar net të tëra për të dizenjuar këtë organ dhe na duket sikur i çuam energjitë në drejtim të panjohur. Dhe, kjo nuk është arsye e pakët për ta konsideruar sfidë formimin e BKH-së.
Sfida tjetër që ndiej për të përmendur është përgjigjja e pyetjes: “Përse po lejojmë që media, portalet apo populizmi në përgjithësi të ndikojnë në vendimet tona?
Kohët e fundit po shihet që po ndikohemi shumë nga ato që shkruhen rreth çështjeve apo njerëzve të drejtësisë. Kohë e vëmendje po i kushtohet portaleve më tepër sesa e meritojnë ato dhe çfarë shkruajnë rreth nesh. Unë e kuptoj kërshërinë që kanë profesionet e tjera rreth kompleksitetit të punës sonë veshur shpesh me konfidencialitetin që ndjell interesin; kuptoj edhe përpjekjet e tyre të lavdërueshme për t’u aftësuar në zgjidhjet e rasteve hetimore e gjyqësore; por nuk besoj se ata janë lartësuar aq shumë në profesion sa të na japin zgjidhjet e gatshme. Përmend populizmin dhe ndikimin që ka ai në drejtësi si shprehje e shqetësimit që të mos jemi viktimë e shantazheve apo adoptimit të praktikave të përdorura, jo të panjohura kur, jepet një herë vendimi e më pas zhvillohen gjykimet, apo kur përdorim plagjiaturën nëpërmjet përthithjes së gjyqeve që zhvillohen në media me atë çfarë vendosim në themel të vendimeve gjyqësore. Nuk është e panjohur edhe praktika e “fishing expedition” kur mungesa e planit të qartë rreth qëllimeve për t’u arritur, mungesa e përcaktimit të prioriteteve thelbësore të punës të cilat përkojnë saktësisht me të gjitha arsyet që shtynë në abrogimin e strukturës së vjetër që trajtonte grup krimesh të veçanta dhe, krijimin e strukturës antikorrupsion/krim i organizuar, shtyn prokurorin të fitojë duke hedhur rrjetën në det të hapur për të kapur çfarë të sjellë rrjeta, por jo atë që është i zoti dhe ka të gjithë aftësinë ta kapë atë. Kjo nuk duhet shitur si punë që arrin objektivat institucionale ngaqë bie ndesh me qëllimin e formimit të Institucioni dhe konformohet me thirrjet populiste. Detyrimi ynë është që të jemi në rregull me ligjin, frymën e tij dhe jo me interesat jashtë tij të shprehura qoftë edhe nëpërmjet shtypit. Ne duam që në Shqipëri të sundojë LIGJI.
Personalisht nuk bëj dallim prej efekteve të thirrjeve populiste edhe në rastin kur kërkesat për të bërë drejtësi vijnë nga subjekte të posaçme. Ne duhet të dallojmë mirë ndryshimin e madh ndërmjet kërkesave për të bërë drejtësi për një çështje apo rast të caktuar prej thirrjeve publike me nevojën, po publike e kombëtare madje, për të ndërtuar shtetin ligjor. Janë gjëra shumë të ndryshme prej njëra-tjetrës, pavarësisht se në dukje shfaqen të ngjashme, apo më keq të njëjta. Kërkesa për drejtësi për raste të veçanta, atëherë kur ajo nuk është në kufirin e shkeljes së ligjit apo pavarësisë sonë, është përherë emocionale dhe rrjedh edhe nga interesa komplekse të thirrësit që shpesh, harron të interesohet me të njëjtin interes për mijëra subjekte të tjerë të drejtësisë. Ndërsa shteti ligjor vepron pavarësisht cilësisë së subjektit apo lëndës që shqyrton, ajo ka në themel të saj interesin e ligjit, nevojën për t’i shërbyer publikut pa diferenca dhe barazinë e gjithkujt përpara tij. Një koleg imi, i të Drejtës Penale, kur krahasonte diferencën ndërmjet dy koncepteve shprehej me humor se, të kërkosh drejtësi për një rast është sikur të hash për darkë fast food, ndërsa të shërbesh në shtetin ligjor është sikur ti shtrohesh në një darkë prej menuje në 7 pjata. Ndaj i duhet ofruar njerëzve menuja e dytë, e para është e provuar se është e dëmshme.
Sfidë tjetër, që rrjedh nga ajo më parë, është sfida e mbrojtjes së sistemit tonë dhe figurës së magjistratit. Atje, jashtë nesh, janë shumë që rrinë e flasin të lirë se si duhet të punojmë e sillemi ne. Janë juristë, jo juristë, shkollarë, njerëz të penës, kazmës apo edhe pushkës që kanë gjëra për të thënë, për çështjet që gjykohen apo hetohen, për gjyqtarët e prokurorët. Shpesh herë edhe kërcënojnë, nga afër e larg. Jo pak prej tyre përdorin pushtetin ekzekutiv për të kërcënuar. Jo pak kanë përdorur edhe pushtetin e rrugës, dhunën për të thyer gjyqtarët e prokurorët. Kanë arritur deri atje sa kanë paralizuar edhe sistemin të funksionojë. Të gjithë ne i dimë këto gjëra të kenë ndodhur. Ndërhyrjet janë sofistikuar përditë dhe kombinohen dukshëm elementë të ndryshëm të fushave të ndryshme, të fortë, ekzekutivë, njerëz të rrugës, medias etj. Deri edhe orvajtje ose realizime mediatike janë kryer për të delegjitimuar vendime gjyqësore konkrete apo gjyqësorin në tërësi.
Personalisht të keqen më të madhe e shoh tek sulmet që vijnë nga institucione të tjera, ato shprehin mungesë kulture juridike, edhe politike bile, ndihmojnë në krijimin e imazhit të keq, jo thjesht e vetëm për gjyqësorin të cilit i drejtohen, por për shtetin në tërësi. Ai perceptohet që vepron në kaos, i pakoordinuar, pa kufij kompetencash, thjesht kaotik. Personalisht këtë element e shoh të shtrirë e të përdorshëm deri edhe në presionin që ndodh të bëhet edhe për zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Më e thjeshta është ndërhyrja tipike që i bëhet gjyqtarit konkret përgjatë procedurës së gjykimit. Kjo është e dukshme shpesh herë. Ajo që nuk duket dhe është, sipas meje më e dëmshme, është mungesa e kontrollit përmbi institucionet që zhvillojnë hetime që vjen pikërisht prej arrogancës së këtyre të fundit përmbi prokurorin dhe, ky i fundit nuk është në gjendje të vendosë në pavarësi të plotë, ashtu siç ligji dhe bindja e tij e kërkojnë . Dhe kjo nuk është gjë e mirë. Pavarësisht çfarë mendojnë e bëjnë të tjerët jashtë nesh, institucionet tona qeverisëse duhet të ngrihen për ti bërë ballë presionit e të bëhen garant i pavarësisë së sistemit. Ndaj më lart theksova nevojën e koordinimit të punëve së bashku. Një prej fushave më delikate dhe e ndjeshme është pikërisht kjo, mbrojtja e pavarësisë së sistemit dhe, jo pak raste, edhe e personalitetit të gjyqtarëve e prokurorëve, bile deri edhe jetës e shëndetit të tyre apo familjarëve, objekte të kërcënimeve serioze. Të gjithë këto e kemi të qartë se, në njërën apo tjetrën mënyrë të ushtrohet presioni përmbi sistemin gjyqësor në punë, kjo përben vepër penale dhe nuk duhet toleruar. Kujtoj që sistemi ynë procedural mbështetet përmbi ligjshmërinë dhe rastet duhen ndjekur me domosdo. Mosveprimi, përpos faktit që u tërheq në një vepër të kryer, u shndërron në viktima të përhershme të këtyre sulmeve.
Sfida e fundit që doja të përmendja lidhet me përgjigjet e pyetjes: “A po i trajtojmë shqiptarët në mënyrë të barabartë, siç i ka bërë natyra, siç i njeh rendi demokratik dhe Kushtetuta?
Mbi ne, operatoret e Drejtësisë, rëndon detyrimi kushtetues për të zbatuar ligjin njëtrajtësisht për të gjithë, për të mos konsideruar përmbi ligjin askënd, pavarësisht gjendjes së tij shoqërore, ekonomike, politike, gjinore, etnike apo raciale. Shërbimi gjyqësor është shërbim publik, ushtrohet në interes të publikut pa dallim. Publiku në tërësi është taksapagues dhe burimi kryesor i pagave, edhe për personelin tonë. Edhe për këtë shkak, rrjedh detyrimi për t’i shërbyer atij me ndershmëri, transparence, shpejtësi dhe korrektese.
Kërkoj ta konsideroj këtë sfidë në mënyrë të veçantë përkundër sfidës së të qenit i pavarur si koncept i përgjithshëm, ngaqë dua të shpreh frikën e publikut se në këtë vend është krijuar një kastë të paprekshmish që, përpos kësaj dhe bëmave që bëjnë përditë, ndikojnë thellësisht në mënyrën se si zgjidhen rastet në sistemin tonë. Dhe këtu, nuk kam parasysh vetëm pjesëtarë të kastës politike, as nuk jam duke vlerësuar penalisht veprimtarinë e tyre në kundërshtim me Kushtetutën e vendit në shumë raste. Këtu përfshij edhe elementë, qofshin edhe lokalë, të cilët ndikojnë në punën tonë. Ne kemi dhënë kontribut në formimin e këtij realiteti, ndaj mjaft me këtë zakon të keq! Njerëzit janë të barabartë përpara ligjit. Njerëzit paguajnë rrogat tona që për hir të së vërtetës janë rritur në mënyrë të admirueshme, aq sa kanë hequr stolin mbi të cilin mbështetej ekonomikisht korrupsioni sipas alibive të shumë prej nesh. Kontributi i taksapaguesve duhet respektuar, duke i konsideruar ata të barabartë edhe më të fuqishmit e këtij vendi.
Dhe për në fund, por jo për shkak të rëndësisë së pakët, përkundrazi, dua të paraqes sfidën e vetëpastrimit të sistemit të drejtësisë. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me ekuacion logjik që përmban të dhënat e tilla, nëse ne nuk jemi në gjendje të përmbahem dhe vet pastrohemi, dikush tjetër do e bëjë që, pavarësisht motiveve që ai ka për ta bërë këtë, gëzon të gjithë të drejtën e botës për të ndërhyrë sepse ne, thjesht rrimë dhe gëzojmë të mirat e profesionit, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale.
Eksperienca jonë e fundit, ajo që lidhet me Reformën në Drejtësi, tregoi që, sistemi ynë i Drejtësisë, përfshi sidomos Prokurorinë, nuk ishte në gjendje të vet pastrohej, bile edhe garancitë e nevojshme për këtë, shihej se nuk i jepte dot. Në të tillë gjendje përgjithësisht notonin edhe institucionet e tjerë që merren ngushtësisht me sigurimin e pastrimit të sistemit qeverisës, jo vetëm gjyqësorin, siç janë ILDKP, Regjistrimi i Pasurive, Pastrimi Parave etj. Për rrjedhojë, një forcë e jashtme u krijua, gijotina Veting. Ky sistem dihet që është i përkohshëm dhe, përmbajtja e kësaj pune do i rikthehet përsëri të zotit, këshillave përkatës. Ndaj duhen dhënë shembujt e duhur që ne jemi në gjendje të mirë këmbim e mirëmbajmë sistemin tonë. Kjo jo thjesht të dënojmë një fajtor, qofte edhe duke i prerë kokën atij, por duke krijuar ambient mbytës për ata që nuk kanë ndërmend të zbatojnë ligjin sepse kanë objektiva dhe prioritete të tjerë. Nëse ne nuk kufizojmë hapësirën e tyre dhe shumica jonë të jenë shërbëtorë të devotshëm të ligjit, të mos u duket çudi që me pas të rikthehemi në nevojën e një reforme të re. Duhet të zgjedhim të mirët dhe ti mbajmë fort ata, (pick and stick sistem). Ata na e krijojnë shumicën e nevojshme që ambientet e punëve tona të jenë të lira nga korrupsioni apo deviacione të tjera të papërshtatshme me profesionin tonë.
Këto ishin ato çfarë unë doja të ndaja me ju me besimin e madh se ndajmë përafërsisht të njëjtin shqetësim për sfidat tona të përbashkëta dhe kapërcimin e tyre.
Edhe një herë, Gëzuar Festën dhe, mot më mirë!
Tiranë, më 9.5.2022
