Shkolla e Magjistraturës mori pjesë në aktivitetin “International Training Program on Contemporary issues in Human Rights Law”, në datat 23-26 Maj. Në këtë aktivitet të organizuar  nga Akademia e Drejtësisë së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) morën pjesë 9 shtete Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Republika Srpska, Bullgaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Rumania dhe Turqia. Shqipëria u përfaqësua nga kandidatët për gjyqtar Znj. Olta Cenaj, Z. Elvis Sulejmani dhe Z. Romeo Merruko, si dhe pedagogët Dr.Amarildo Laçi dhe Dr. Erjon Muharremaj.

Në aktivitet u analizuan zhvillimet më të fundit në fushën e të drejtave të njeriut dhe jurisprudenca përkatëse e GJEDNJ. Në ditën e fundit të aktivitetit ekipet përfaqësuese të Shkollave të Magjistraturës morën pjesë në konkursin mbi jurisprudencën e GJEDNJ. Pas prezantimeve të ekipeve pjesëmarrëse, Shkolla e Magjistraturës e Shqipërisë u shpall fituese për prezantimin individual të Znj. Olta Cenaj ndërsa Shkolla e Magjistraturës e Maqedonisë së Veriut u shpall fituese për prezantimin si ekip.

Në përfundim të aktivitetit, pedagogët e Shkollës së Magjistraturës zhvilluan një takim me drejtuesit e Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, Presidentin Z. Muhittin Özdemir dhe Drejtuesin e Departamentit Z. Hasan Kadir Yilmaztekin. Në takim u diskutua mundësia e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi dypalësh, si dhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, për forcimin e kapaciteteve reciproke dhe shkëmbimin e përvojave më të mira.

← Back to list