Më 18 shkurt, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i paraqiti Shkollës së Magjistraturës një Manual mbi Prokurimin Publik për gjyqtarë dhe prokurorë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit për t'u përballur në mënyrë efektive me veprat penale komplekse që lidhen me prokurimin publik.

Manuali ofron udhëzime praktike për gjyqtarët, prokurorët dhe praktikuesit ligjorë mbi identifikimin, hetimin dhe gjykimin e veprave penale që lidhen me prokurimin, duke u mbështetur në kornizat ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare dhe praktikën gjyqësore përkatëse. Një fragment në gjuhën angleze që përqendrohet në praktikat më të mira ndërkombëtare në hetimin dhe gjykimin e veprave penale të prokurimit publik ofron njohuri krahasuese për një audiencë më të gjerë në të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Së bashku, këto botime synojnë të forcojnë integritetin, të promovojnë qëndrueshmërinë në gjykim dhe të rrisin llogaridhënien, duke kontribuar në reformat e vazhdueshme anti-korrupsion të Shqipërisë dhe duke reflektuar angazhimin e OSBE-së për qeverisje të mirë dhe sundimin e ligjit.

Duke folur në ceremoni, Ambasadori Michel Tarran theksoi se sistemet e shëndosha të prokurimit publik janë thelbësore për qeverisjen e mirë dhe besimin publik. “Shpresojmë që ky botim të integrohet në modulet e trajnimit, të stimulojë diskutimin profesional dhe të kontribuojë në gjykimin konsistent dhe me cilësi të lartë të veprave penale të prokurimit publik. Forcimi i përgjigjeve gjyqësore ndaj shkeljeve ekonomike dhe të lidhura me korrupsionin mbetet thelbësor për përpjekjet e reformës në Shqipëri”, tha Ambasadori Tarran.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, vuri në dukje se materialet e specializuara të trajnimit janë thelbësore duke pasur parasysh kompleksitetin në rritje të legjislacionit të prokurimit dhe procedurave penale dhe administrative përkatëse. Ndër të tjera ai theksoi se “Ky Manual përfaqëson një kontribut të rëndësishëm si në teorinë ashtu edhe në praktikën e hetimit dhe gjykimit të veprave penale në fushën e prokurimit publik. Ajo që e dallon atë nga botimet e tjera të këtij lloji është qasja e tij gjithëpërfshirëse dhe ndërdisiplinore, e cila integron në mënyrë efektive tre dimensione thelbësore: parandalimin, hetimin dhe gjykimin. Përtej vlerës së tij si një mjet referimi për praktikuesit aktualë, Manuali ka një rëndësi të konsiderueshme formuese dhe duhet të integrohet në programet e trajnimit të Shkollës së Magjistraturës. Janë pikërisht iniciativa të tilla që na japin besim se, përmes angazhimit profesional, ekspertizës së shëndoshë dhe vendosmërisë, sistemi i drejtësisë i Shqipërisë mund të forcohet më tej dhe të bëhet më efektiv në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik”.

Zhvillimi i Manualit përfshiu ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë dhe konsultime me përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe organeve të tjera. Ai pasqyron angazhimin e gjatë të bashkëpunimit që ka Shkolla me Prezencën për të mbështetur reformën gjyqësore, për të rritur kapacitetet profesionale si dhe për të promovuar integritetin dhe transparencën në institucionet publike.

Të dy botimet mund të gjenden në internet në lidhjet e mëposhtme:

https://albania.osce.org/sq/presence-albania/661951

https://albania.osce.org/presence-albania/661954

← Back to list