Në zbatim të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës, në datën 24 Tetor 2022, Shkolla e Magjistraturës dhe Akademia e Drejtësisë së Kosovës organizuan dhe zhvilluan një aktivitet trajnues të përbashkët me tematikë “Arsyetimi dhe shkrimi i vendimeve gjyqësore në Shqipëri dhe Kosovë: vështrim krahasues lidhur me standardet dhe praktikën në vendet respektive”.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Shkollës së Magjistraturës në Tiranë, ku të ftuar nga Shkolla morën pjesë Drejtori i Akademisë së Drejtësisë të Kosovës, Z. Enver Fejzullahu dhe gjyqtarë dhe prokurorë të niveleve të ndryshme të gjyqësorit nga Republika e Kosovës, si nga gjykatat themelore, gjykata e apelit dhe Gjykata e Lartë e Kosovës. Nga Shkolla e Magjistraturës, aktiviteti u përshëndet nga Drejtori i Shkollës, Z. Arben Rakipi, njëkohësisht edhe me pjesëmarrjen e Drejtuesit të Programit të Formimit Fillestar, Z. Sokol Berberi.
Aktiviteti i sotëm u përqëndrua në detaje tek struktura dhe argumenti i vendimeve gjyqësore në Shqipëri, i ndjekur nga shkrimi dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore në Republikën e Kosovës, ku u parashtruan tradia dhe praktika aktuale e shkrimit të vendimeve në të dy vendet tona, si dhe u diskutuan gjerësisht standardet dhe arsyetimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Secila tematikë u shoqërua me diskutime dhe debate përsa i takon praktikave gjyqësore të vendeve dhe problemeve të hasura.
Aktiviteti një ditor i trajnimit shënon fillimin e realizimit të një sërë aktivitetesh trajnuese, të cilët do të fokusohen në formimin e vazhduar profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të dy vendeve për tematika me interes të përbashkët.




