
Në kuadër të vizitës së saj të punës në Shqipëri, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Z. Arben Rakipi, priti në një takim, Znj. Dineke de Groot, Kryetare e Gjykatës së Lartë të Hollandës, e cila shoqërohej nga Znj. Esther de Rooij, gjyqtare në Gjykatën e Amsterdamit, Z. Christiaan Cornet, Znj. Anne Tahapary, përfaqësuese e Qendrës së Studimeve Gjyqësore të Hollandës dhe Znj. Edlira Osmani Këshilltare Ligjore në Ambasadën e Hollandës në Shqipëri.
Gjatë takimit, Znj. Dineke de Groot u njoh me funksionimin dhe rolin e Shkollës së Magjistraturës në sistemin e drejtësisë përsa i takon punës së realizuar në lidhje me rekrutimin dhe përgatitjen e magjistratëve të rinj ndër vite, si dhe në drejtim të standardit dhe cilësisë së përgatitjes profesionale të vendosur nga shkolla ndër vite. Njëkohësisht, znj. Dineke de Groot u njoh edhe me programin e formimit profesional të vazhduar si dhe programin e mentorimit të kandidatëve për magjistratë.
Gjatë takimit u shkëmbyen ide dhe këndvështrime në lidhje me mbështetjen e mundshme që mund të ofrohet nga institucionet homologe holandeze në punën dhe rolin e institucioneve të pavarura të sistemit të drejtësisë.


