Shkolla e Magjistraturës, nisur nga interesi i lartë i kandidatëve dhe në përgjigje të interesimit të madh të medias lidhur me ndryshimet e fundit në Rregulloren e Brendshme, që normojnë procesin e provimit të pranimit për magjistratë, këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, shpjegon si vijon:

 

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 136/a dhe 148/ç, parashikon se gjyqtarë dhe prokurorë mund të emërohesh vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, pra Programit të Formimit Fillestar, sipas kritereve të vendosura në ligj.

Ligji nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 244 e parashikon këtë funksion të Shkollës dhe në nenin 266 parashikon konkurrimin dhe pranimin e kandidatëve për magjistratë. Kjo dispozitë ligjore i delegon Shkollës të drejtën për të miratuar rregulla të hollësishme, të qarta, transparente dhe objektive për kriteret dhe procedurat që do të ndiqen në vlerësimin e njohurive dhe aftësive të konkurrentëve, sipas profileve të kërkuara prej tyre dhe për mënyrën e korrigjimit të provimeve. 

Ligji nr. 96/2016, neni 28, “Kriteret e pranimit në Formimin Fillestar”, ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë personat e interesuar për të konkurruar në Shkollë e më pas për t’u bërë pjesë e Programit të Formimit Fillestar. Kjo dispozitë i delegon Shkollës të drejtën për të përcaktuar pikët minimale që personi i interesuar duhet të ketë arritur në programin e studimit në drejtësi. 

Konkretisht, neni 28, pika “c”, parashikon se: “...c) ka përfunduar me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës studimet e integruara në drejtësi ose në një program të ciklit të dytë të studimeve universitare në drejtësi, të barasvlershëm me to, ose ka kryer me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës studimet universitare në drejtësi jashtë Shqipërisë dhe ka marrë një diplomë të barasvlershme, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj;…”.

Në funksion të përmbushjes së misionit të saj kushtetues, detyrimeve që burojnë nga ligji dhe kërkesës për një drejtësi cilësore dhe me integritet, Shkolla e Magjistraturës, ndër vite, ka ndërmarrë çdo masë që ka vlerësuar të arsyeshme, të dobishme, të nevojshme dhe në përputhje me standardet më të larta të përgjegjësisë dhe profesionalizmit që mund t’i kërkohen një organi shtetëror të pavarur.

Ndryshimet e fundit në Rregulloren e Veprimtarisë së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, të njoftuara për publikun, përpara nisjes së procesit të konkurrimit në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2024-2025 përbëjnë një tërësi normash që ndërveprojnë ndërmjet e tyre dhe janë pjesë integrale e synimit tonë për të përmirësuar sistemet e programeve që zhvillohen në Shkollë, në këtë rast atë të formimit fillestar.

Ndryshimet e pritshme në sistemin tërësor të trajnimit në Shkollë, që përfshijnë gjithë procesin zinxhir, prej rekrutimit, deri në kurikulat e lëndës që studiohet, janë konkluzion i punës së një procesi dyvjeçar. Gjetjet e ndryshme janë analizuar dhe diskutuar në vazhdimësi me organet vendimmarrëse të Shkollës, organe të sistemit të drejtësisë, gjykatat dhe prokuroritë e Republikës, partnerët ndërkombëtarë, përvojat e shkollave homologe më të zhvilluara dhe nevojës për reformim të vazhdueshëm, për të qenë koherent me zhvillimet e së drejtës, zhvillimet e ndodhura në sistemin universitar shqiptar dhe ndërkombëtar dhe kërkesat e ardhura nga progres raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Kjo analizë ka sjellë si kërkesë përmirësim të procesit të rekrutimit në Shkollë, përmirësim të Programit të Formimit Fillestar dhe përmirësim të Programit të Formimit Vazhdues të magjistratëve në detyrë. Shkolla është duke punuar paralelisht për ndryshime në të tre këta komponentë. 

 

Arsyet e ndryshimeve të fundit mund të përmblidhen në:  

 

Së pari, përmirësimi i procesit të konkurrimit nëpërmjet rishikimit të kritereve të vendosura në Rregulloren e Shkollës. 

Nga analiza dhe vlerësimi i kritereve të vendosura nga Shkolla për të marrë pjesë në provimin hyrës, bazuar në delegimin e bërë nga ligji siç është sqaruar më lart, u hoq kriteri që konkurrentët të kishin mesatare mbi tetë të lëndëve kryesore dhe atyre të posaçme e të thelluara dhe, u la në fuqi vetëm kriteri që konkurrentët të kenë mesatare mbi tetë të të gjitha lëndëve në programin e studimit për drejtësi që ata kanë përfunduar.

Ky ndryshim konsiderohet mjaft pozitiv në funksion të aksesit të barabartë për të marrë pjesë në konkurrim dhe karakterit objektiv që duhet të mbartë procesi i rekrutimit në Shkollë.

Analiza jonë lidhur me kriterin e lëndëve kryesore dhe atyre të posaçme e të thelluara, që përbëjnë prej disa vitesh kriterin paralel me kriterin e mesatares së të gjitha lëndëve, konstatoi se programet e universiteteve, shqiptare dhe të huaja, që paraqisnin kandidatët kur regjistroheshin, për shkak të ndryshimeve dhe modeleve të ndryshme ku janë bazuar përgjatë këtyre viteve, nuk kishin uniformitet të lëndëve, të tillë që ta bënin të mundur përcaktimin objektiv të atyre lëndëve që do të konsideroheshin si lëndë kryesore, të posaçme e të thelluara. Nën këtë analizë është vërejtur, jo rrallë herë, se kandidatët janë vendosur në disproporcion me njëri-tjetrin për shkak të numrit të lëndëve me zgjedhje që ata kanë zhvilluar në programin e masterit. Sistemi i Bolonjës, tre plus dy, ka nxitur individualisht përzgjedhjen e lëndëve nga kandidatët në numër të ndryshëm e, për rrjedhojë, mesatarja përkatëse varionte në masë, jo të vogël, pikërisht nga numri i lëndëve të tilla të përzgjedhura prej tyre. 

Për këtë arsye, ky kriter u vlerësua se mund të cenonte të drejtën e barabartë për të konkurruar në Shkollë. Në funksion të standardit më të lartë që duhet të ofrojnë normat që rregullojnë provimin hyrës në Shkollë, ato duhet të jenë të qarta dhe transparente, ky kriter duhej të hiqej. 

Heqja e këtij kriteri nuk cenon cilësinë e kandidatëve për magjistratë, e rrjedhimisht, të magjistratëve që do të hyjnë në sistem. Përmbajtja dhe fryma e ligjeve që kanë rregulluar veprimtarinë e Shkollës, prej nisjes së aktivitetit të saj, ka qenë dhe vijon të jetë ajo e epërsisë së konkurrimit/provimit të pranimit në Shkollë përmbi çdo kriter tjetër formal. Provimi i pranimit konsiderohet matësi dhe standardi objektiv i njohurive dhe aftësive të nevojshme që konkurrenti të kualifikohet për të qenë kandidat në Shkollë. Në funksion të standardit të objektivitetit në përzgjedhjen e konkurrentëve, heqja e këtij kriteri nuk e cenon këtë standard. 

 

Së dyti, përmirësimi i procesit të konkurrimit nëpërmjet rishikimit të aftësive dhe kompetencave që do të testohen dhe vlerësohen në fazën e parë dhe të dytë të provimit. 

Paralel me çështjen e parë të trajtuar më lart, me ndikim të fortë në zgjedhjen e bërë nga Këshilli ynë Pedagogjik, është edhe ripërcaktimi i strukturës së re të tezës së provimit për kandidatët. Përbërja e saj synon dhe beson se, do të jenë fitues vetëm ata kandidatë që aftësitë e tyre spikasin për cilësi të lartë. Kemi rritur mundësinë për të vlerësuar aftësitë e konkurrentëve për të analizuar, argumentuar dhe zgjidhur raste praktike. Konkretisht, provimi mbi lëndët e përcaktuara në Rregullore do të ketë pyetje mbi koncepte të rëndësishme të së drejtës, krahasime mes koncepteve apo instituteve të ndryshme të së drejtës, pyetje argumentuese dhe vendosje në situata praktike për të vlerësuar aftësitë analitike të konkurrentit. Gjithashtu, në pjesën e rasteve praktike, është shtuar një rast praktik në të drejtën administrative, materiale dhe procedurale, duke e çuar kështu në 3 (tre) numrin e rasteve praktike mbi të cilat konkurrentët do të testohen, nga 2 (dy) që kanë qenë deri para ndryshimeve (një rast praktik në të drejtën civile, materiale dhe procedurale, dhe një rast praktik në të drejtën penale, materiale dhe procedurale). Ne besojmë që, shkalla e nivelit profesional të organizimit të provimit është rritur. Vlerësimi i suksesit të kandidatit ndikohet vetëm nga aftësitë e tij për të dhënë zgjidhje të rasteve dhe eksperienca profesionale.

Bazuar në këtë aktualitet të ri, që provimi i pranimit po fokusohet edhe më tej drejt aftësive në fushat kryesore të së drejtës, heqja e kriterit të mesatares së lëndëve kryesore dhe atyre të posaçme e të thelluara qartazi nuk do të ketë asnjë ndikim në përzgjedhjen e kandidatëve që zotërojnë cilësitë/njohuritë e dëshiruara.

 

Së treti, përmirësimi i procesit të konkurrimit nëpërmjet përdorimit të platformës elektronike të quajtur Sistemi i Menaxhimit të Veprimtarisë së Shkollës së Magjistraturës (SMVSHM).

Kjo platformë do të lehtësojë dhe bëjë më eficent procesin e konkurrimit në Shkollë, nëpërmjet rregullimeve që ajo parashikon dhe që janë pjesë e Rregullores së Brendshme të Shkollës dhe që do të bëhen të qarta për të gjithë personat e interesuar që do të marrin pjesë në provim.

Në përfundim, i shprehim kujtdo falënderimet tona për interesin e treguar, përçimin e këtij sqarimi publikut, si dhe, gatishmërinë tonë të plotë për të qartësuar çdo situatë që lidhet me veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës. 

← Back to list