
Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Qendrën për Këshillim mbi të Drejtat Individuale në Evropë, AIRE Centre, në datën 27 shkurt 2025, organizuan trajnimin me temë: “Dhuna me bazë gjinore; Femicidi”, në Tiranë.
Ky aktivitet trajnues u drejtua nga z. Ledi Bianku, Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, znj. Mariana Semini, Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe znj. Arta Mandro-Balili, Pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe SHM. Ky aktivitet u përshëndet gjithashtu nga znj. Sabina Đapo, Menaxhere Programi e Qendrës AIRE dhe z. Vangjel Kosta, Pedagog i Shkollës së Magjistraturës.
Qëllimi i këtij trajnimi është: të ofrojë një prezantim mbi manualin e AIRE për trajtimin e rasteve të femicidit, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të thelluar njohuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve mbi këtë çështje kritike.
Gjatë këtij trajnimi u shqyrtuan praktikat e fundit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe u ofruan njohuri mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë. Trajnimi u fokusua specifikisht në praktikat gjyqësore dhe prokuroriale në Shqipëri lidhur me rastet e dhunës në familje dhe femicidit, duke theksuar rekomandimet kryesore nga manuali i Qendrës AIRE.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Barazia gjinore në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- Femicidi – zhvillimet e fundit dhe Konventa e Stambollit.
- Sfidat në trajtimin e rasteve të femicidit në praktikën gjyqësore: Kualifikimi, rrethanat rënduese dhe lehtësuese, si dhe politikat e dënimit.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.



