Në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit nënshkruar ndërmjet Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë së Drejtësisë të Turqisë po realizohet një vizitë pune e një delegacioni nga Shkolla e Magjistraturës dhe një grupi gjyqtarësh nga Shqipërisë, në Akademinë e Drejtesisë së Turqisë. Aktiviteti trajnues i përbashkët realizohet me pjesëmarrjen e gjyqtarëve, prokurorëve dhe specialistëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e pronësisë intelektuale dhe tregtare nga Turqia, Shqipëria si dhe nga Kosova.

Aktiviteti trajnues dy ditor do të trajtojë tematika të ndryshme të fushës si kuadrin ligjor ndërkombëtar të të drejtave të pronësisë intelektuale, parimet themelore të Bashkimit Evropian për të drejtat e pronësisë intelektuale, procedurat e posaçme për gjykatat e specializuara të pronësisë intelektuale, si dhe do të trajtojë raste të ndryshme nga praktika që lidhen me të drejtat e autorit, të drejtat industriale, etj. Njëkohësisht, krahas pronësisë intelektuale do të trajtohen edhe konventat ndërkombëtare të tregtisë ndërkombëtare, procedurat e posaçme në gjykatat tregtare, si dhe raste praktike për shitjen e mallrave, ligjin e sigurimeve si dhe në përgjithësi për të drejtën tregtare. 

Gjatë aktivitetit janë trajtuar edhe drejtime të mundshme të mëtejshme të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona.

← Kthehu te lista