
Shkolla e Magjistraturës, më datë 24 tetor 2024, në bashkëpunim me Zyrën e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Trajnim për trajnerët: metodat dhe teknikat ndërvepruese dhe aktive në organizimin, zhvillimin dhe vlerësimin e trajnimeve për magjistratët”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Vangjel Kosta, Pedagog në Shkollën e Magjistraturës
Sokol Berberi, Pedagog në Shkollën e Magjistraturës
Dr. Stefan Pürner, Drejtor i Projektit "Ballkani Perëndimor" në IRZ
Martin Lamsfuß, Gjyqtar në Gjykatën e Landit të Këlnit
Lehtësues: Borana Mustafaraj, Këshilltare Akademike në Shkollën e Magjistraturës
Qëllimi i këtij trajnimi ishte: të aftësojë trajnerët e rinj, të angazhuar në programin e Formimit Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës, për njohjen dhe përdorimin e metodave bashkëkohore, ndërvepruese dhe aktive në organizimin, zhvillimin dhe vlerësimin e trajnimeve për magjistratët.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore, pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Parimet e të mësuarit nëpërmjet pjesëmarrjes dhe ndërveprimit aktiv: metodat e ndryshme të të mësuarit për të rriturit (adult learning); parimet e ‘andragogjisë’ (andragogy);
- Shpjegim/sqarim i metodave të ndryshme të trajnimit të përshtatshme për trajnimin e magjistratëve. Diskutim: avantazhet dhe disavantazhet në përdorimin e një metode specifike në zhvillimin e trajnimeve: problemet dhe sfidat.
- Rolet e trajnerit në përgatitjen dhe zhvillimin e sesioneve trajnuese për magjistratët sipas metodave ndërvepruese dhe aktive.
- Metodologjia e vlerësimit të efektiviteteve të trajnimeve; teknikat për vlerësimin e përmbushjes së objektivave të trajnimet; përdorimi i teknologjisë për ushtrime & kuize në zhvillimin e trajnimit.
- Kërkesat për didaktikën juridike nga këndvështrimi i IRZ-së.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë trajnerët e rinj, të angazhuar në programin e Formimit Vazhdues të Shkollës së Magjistraturës.



