Shkolla e Magjistraturës, më datë 23 tetor 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me Temë: “Problematika që lidhet me mjetet për mbrojtjen e të drejtës së pronës. Padia për kërkimin e sendit, padia mohuese si dhe kallëzimi i një punimi të ri dhe i një dëmi të mundshëm”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë. 

Ky aktivitet u drejtua nga: 

Ekspertë: Mariana Semini; Nurjeta Pogaçe 

Lehtësues: Florian Bjanku

Qëllimi i këtij trajnimi është: Trajnimi synon zhvillimin e aftësive për të identifikuar dhe zgjedhur mjetin e përshtatshëm për mbrojtjen e pronësisë (nenet 296, 302 dhe 303 të Kodit Civil); verifikimi dhe vlerësimi i titullit, posedimit dhe provave; zbatimi i jurisprudencës së Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së, me respektimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetit. U trajtua e drejta e pronës sipas nenit 41 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; Gëzimi paqësor i pronës, privimi dhe kontrolli i përdorimit; tri rregullat e nenit 1; Kriteret e ligjshmërisë, interesit publik dhe balancës së drejtë; shpronësimi de facto, shpërblimi dhe vonesat; Titulli formal kundrejt gëzimit real të pronës; kufizimet administrative dhe mbrojtja gjyqësore efektive; Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së në çështjet pronësore.

Trajnimi u realizua duke ndërthurur Prezantimet (deri në 20-30 min) si dhe gjashtë kazuset e paraqitura dhe përzgjedhja e 3–4 rasteve nga pjesëmarrësit. Gjithashtu janë ndërthurur prezantimet me diskutimet në grupe, argumentimi i zgjidhjeve, paraqitja e qëndrimeve dhe ballafaqimi me jurisprudencën në lidhje me parashkrimin fitues dhe pavlefshmërinë e titullit; bashkëpronësinë; paditë parandaluese; dy tituj dhe gjëja e gjykuar.

Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si: 

  • Padia e rivendikimit: kushtet, legjitimimi aktiv e pasiv, barra e provës dhe origjina e titullit. Dallimi ndërmjet rivendikimit, padisë mohuese dhe mbrojtjes së posedimit; kërkimi dhe shkaku i padisë.

  • Bashkëpronësia, titujt e mbivendosur, gabimet kadastrale, pronat në përdorim publik dhe ekspertimi topografik. Raporti i nenit 296 KC me mjetet procedurale në ekzekutim (neni 612 KPC).

  • Kallëzimi i punimit të ri dhe i dëmit të mundshëm (neni 303 KC): legjitimimi, urgjenca dhe masat mbrojtëse. Kur një kufizim i përdorimit të pronës shndërrohet në privim de facto? Si zbatohet testi i ligjshmërisë, interesit publik dhe balancës së drejtë? A mjafton titulli formal kur pronari nuk mund ta gëzojë realisht pasurinë? Çfarë kërkon mbrojtja kushtetuese në rast të vonesave të gjata ose kufizimeve të regjistrimit?

 Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.

← Kthehu te lista