Në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë dhe kapaciteteve të Shkollës në fushën e formimit fillestar dhe të vazhduar, dhe veçanërisht në kontekstin e reformimit të sistemit të drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës ka startuar bashkëpunimin me Qendrën e Studimeve dhe Trajnimeve të Gjyqësorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Projekti që do të realizohet edhe me ndihmën e Misionit Euralius, synon të afrojë edhe më shumë dy ITGJ-të duke e konsideruar marrëdhënien e krijuar si një element shumë të rëndësishëm në promovimin, ndërtimin dhe lehtësimin e bashkëpunimit në fushën e formimit profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ai do të realizojë përmirësimin e programit mësimor të SHM në përpjekjen për inkorporimin e aftësive dhe metodologjive trajnuese të duhura për rritjen e standardeve të trajnimit gjyqësor profesional në Shqipëri. Këtë event shumë të rëndësishëm e përshëndeti edhe Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, z. Ferdinand Grapperhaus, Ministrja e Drejtësië, Zj. Etilda Gjonaj dhe Zv/Kryetari i Bordit të Drejtimit të Qendrës së Studimeve dhe Trajnimeve të Gjyqësorit e Vendeve të Ulëta. Aktiviteti lançues i këtij bashkëpunimi të mirëpritur u finalizua me nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet dy institucioneve të trajnimit gjyqësor të vendeve respektive.

← Kthehu te lista