Në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri akademik, gjatë datave 1-3 Tetor, në Voskopojë, po zhvillohet një aktivitet trajnues për kandidatët për magjistratë dhe avokatë të shtetit, me synimin e njohjes së tyre me Shkollën. 

Trajnimi synon t’i njohë kandidatët për magjistratë dhe avokatë shteti me programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, me të drejtat dhe detyrimet etike, metodologjinë e zhvillimit të programit dhe mënyrën e vlerësimit. 

Gjithashtu, nëpërmjet prezantimeve informuese, të përmbledhura dhe ushtrimeve ndërvepruese, ai synon të nxisë njohjen reciproke ndërmjet kandidatëve me njëri-tjetrin dhe stafit të Shkollës, duke krijuar një mjedis të hapur bashkëpunimi dhe ndërveprimi që mbështet angazhimin dhe zhvillimin efektiv të programit të formimit fillestar.

Ndër tematikat që do të trajtohen janë kompetencat ligjore dhe aftësitë jo ligjore. Njëkohësisht, kandidatët do të njihen edhe me platformën digjitale dhe teknologjinë në shërbim të programit mësimor, e cila do të shoqërohet me ushtrime praktike për aksesin dhe përdorimin e saj. Krahas këtyre cështjeve, kandidatëve do t’iu bëhet një hyrje në inteligjencën artificiale, përdorimet e saj, kufizimet dhe kërkesat etike.

← Kthehu te lista