
Me ftesë të Qendrës Publike Institucionale për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Bosnje Hercegovinës, Shkolla e Magjistraturës u ftua të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm, që u zhvillua në datat 11-12 Tetor 2023. Shkolla u përfaqësua në këtë konference me Z. Arben Rakipi, Drejtor i Shkollës si dhe Z. Ador Koleka, Përgjegjës për Integrimin Evropian, Projektet dhe Marrdhëniet me Jashtë. Aktiviteti u organizua dhe zhvillua në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në BH dhe në të morën pjesë përfaqësues të lartë të organizatave evropiane të trajnimit gjyqësor si Rrjeti Evropian për Trajnimin Gjyqësor dhe Akademia e të Drejtës Evropiane ERA.
Tematika e trajtuar gjatë konferencës ishte ajo e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit të drejtësisë. Aktiviteti u përshëndet nga përfaqësues të ndryshëm të institucioneve të drejtësisë së Bosnje Hercegovinë por edhe drejtues të institucioneve të trajnimit gjyqësor në nivelin e BE-së. Aktiviteti vijoi i ndarë në tre panele me tematika si: Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm; Bashkëpunimi ndërmjet Prokurorive dhe Agjencive ligjzbatuese për ndjekjen ligjore të veprave penale; Pavarësia dhe Paanësia e Funksionarëve mbajtës të funksioneve gjyqësore; si dhe Veprimet e Pavarura dhe të Paanshme të Gjyqësorit në çështjet e dhunës me bazë gjinore.
Aktiviteti ishte i rëndësishëm edhe për faktin e konsolidimit të mëtejshëm të lidhjes ndërmjet institucioneve rajonale të trajnimit gjyqësor si dhe atyre në nivelin evropian.




