Me ftesë të Shkollës Kombëtare të Trajnimit Gjyqtarëve të Greqisë, një delegacion nga Shkolla e Magjistraturës si dhe gjyqësori dhe prokuroria, po merr pjesë në një aktivitet trajnues të Programit të Formimit Profesional të kësaj shkolle. Në përbërje të delegacionit janë pedagogë dhe punonjës të Shkollës, gjyqtarë dhe prokurorë në detyrë të niveleve të ndryshme të rretheve gjyqësore.

Vizita konsiston në pjesëmarrjen në dy aktivitete trajnuese një ditore me tematika si Shteti i së Drejtës – E Drejta Natyrale – Media Sociale – Ndërhyrjet Politike në procedurat gjyqësore; dhe ditën e dytë në një sesion trajnues të trajnerëve me tematikë martesat e përbashkëta, cështjet familjare ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë – sfida të reja për praktikën dhe proceduren gjyqësore me theks tek impakti i teknologjive të reja dhe medias sociale.

Gjatë ditës së parë u trajtuan tematika të ndryshme si logjika e drejtësisë dhe mënyrat e zbatimit të saj: roli i rrethanave lehtësuese dhe arsyetimi i vendimit; mënyrat e reagimit t gjyqësorit përsa i takon ndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv në fushën e drejtësisë penale; konstruksioni i realitetit social nga media, këndvështrimi i jurisë së gjykimit dhe i gjyqtarit, si dhe gjyqtari dhe media. Ndërsa dita e dytë ishte një kombinim tematikash përsa i takon trajnimit të trajnerëve dhe më pas tematikave në fushën e të drejtës familjare – martesat ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve, dhe Teknologjitë e reja në drejtësi dhe sistemet gjyqësore. 

Në mbyllje të vizitës, delegacioni zhvilloi një takim pune të zgjatur në Gjykatën e Shkallës së I të Selanikut ku takohet me Z. Petro Alikakos, Kryetar i Gjykatës si dhe trajner në Shkollën Greke të Trajnimit Gjyqësor.

← Kthehu te lista