
DOKUMENT PROPOZUES
"MBI DISA PROBLEMATIKA NË SISTEMIN E DREJTËSISË"
Hyrje
Një takim i përbashkët i organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji, u organizua në Shkollën e Magjistraturës më 7 shtator 2021, me nismën e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi në vigjilje të vitit akademik 2021-2022. Në këtë takim u diskutuan çështje që lidhen me miradministrimin e sistemit të drejtësisë në kuadrin e mbarëvajtjes së reformës në drejtësi dhe në kuadër të përgjegjësive që ka secili institucion në zhvillimet e sotme.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Kryeinspektori i Lartë i Drejtësisë, zëvendësministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryetari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të këtyre institucioneve.
Nga Shkolla e Magjistraturës dhe gjithë institucionet e tjera qeverisëse të drejtësisë është konsideruar thelbësore që të koordinohen forcat dhe mendimet për të përballuar sfidat e sistemit jo vetëm sot, por në mënyrë të vazhdueshme dhe afatgjatë. Qeverisja e gjyqësorit në mënyrë të pavarur shtyn të gjitha institucionet për të bashkëbiseduar e bashkërenduar forcat apo idetë. Me anë të një koordinimi institucional të punëve, u dakordësua që të mbahen ndër institucionet e qeverisjes së gjyqësorit takime periodike, të hartohen materiale të përbashkëta, rekomandime për ndryshime të të gjitha karaktereve drejtuar reciprokisht organeve të qeverisjes së gjyqësorit, pushtetit ekzekutiv dhe Parlamentit shqiptar.
Tema kryesore e këtij takimi ishte evidentimi i qartë i mundësive dhe nevojës së përcaktimit të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës me qëllim që të mbështetet sa më mirë reforma në drejtësi për të plotësuar vendet vakante të krijuara dhe, trajnimi vazhdues i përfituesve prej shërbimit të ofruar nga Shkolla e Magjistraturës.
Pjesëmarrësit në takim evidentuan se duhet të merren masa për të plotësuar disa kushte të rëndësishme me qëllim që të bëjnë që Shkolla e Magjistraturës të mbështesë reformën në plotësimin sa më të mirë të vendeve vakante. Po ashtu u evidentuan edhe disa konkluzione që u mbështetën nga gjithë pjesëmarrësit si më poshtë:
- Ruajtja e cilësisë së programit mësimor dhe i formimit të magjistratëve të rinj është prioritet ndërinstitucional.
- U gjet i arsyeshëm numri me rreth 80 kandidatë për të ndjekur Shkollën e Magjistraturës në një vit akademik.
- Me gjithë kuotat e larta të pranimit të viteve të fundit dhe ato të pritshme për të paktën dy vitet e ardhshme, procesi sërish do të kërkojë të paktën tri vite akademike.
- Të merren masa të menjëhershme për ngritjen e godinës së Shkollës së Magjistraturës, si domosdoshmëri e krijimit të infrastrukturës së nevojshme për realizimin e objektivave akademike.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit ranë dakord për hartimin e këtij dokumenti propozues, që do të përfshijë evidentimin e çështjeve kryesore që aktualisht paraqesin problem në sistemin e drejtësisë, çështje që lidhen me përmirësimin e praktikave të punës së secilit organ si dhe rekomandime për zgjidhjen e tyre.
I. Përmirësimi i praktikave të përditshme të punës së secilit institucion
A. Lidhur me Shkollën e Magjistraturës
a.1. Vlerësimi i hollësishëm dhe objektiv i kapaciteteve të përthithjes së kandidatëve për magjistratë përmes analizave e të dhënave statistikore rreth cilësisë së rezultateve të provimeve në vite si dhe sigurimi i bazës së duhur akademike;
a.2. Rivlerësimi i programit të formimit vazhdues, drejt reduktimit në numër e rritjes në cilësi, me qëllimin e evitimit të mbingarkesës së gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimit të mundësisë për trajnime të specializuara të subjekteve që janë pjesë e programit të formimit vazhdues në Shkollë;
a.3. Rivlerësimi tërësor i programeve të përfshirjes së gjyqtarëve apo prokurorëve në gjyqet imituese, mentorimit etj., me qëllim evitimin e shpenzimit të kohës së panevojshme në dëm të kryerjes së veprimtarive gjyqësore;
a.4. Angazhimi prioritar për të bërë eficient orientimin e programit mësimor të praktikave para profesionale dhe profesionale, të mentorimit, të organizimit të gjyqeve imituese etj, me qëllim përgatitjen për profesionin e gjyqtarit dhe prokurorit, në fund të dy apo tre viteve të programit të formimit fillestar;
a.5. Rritja e kapaciteteve teknike të Shkollës për zhvillimin e trajnimeve online apo hibrid.
B. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë
b.1. Përpilimi sa më shpejt i hartës gjyqësore si një prej masave të efektshme për të zbutur mungesat në sistem. Koordinimi sa më parë i punëve me Ministrinë e Drejtësisë është vendimtar.
b.2. Ndjekja e vazhdueshme e nevojës për ndryshime strukturore të sistemit apo ligjore që lehtësojnë procedurat e gjykimit të çështjeve apo administrimit në përgjithësi të tyre;
b.3. Rivlerësimi i sistemeve në përzgjedhjen dhe verifikimin e kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë që mbarojnë Shkollën e Magjistraturës me qëllim që të shpejtohet hyrja në sistem;
b.4. Vlerësimi i shfrytëzimit të kohës së punës prej gjyqtarëve e prokurorëve, gjatë gjithë ditëve të javës dhe shmangia e lëvizjeve me grafik shihet si një mundësi e brendshme për të zbutur sadopak nevojat e sistemit gjyqësor.
b.5. Të mundësohet që praktikantët e vitit të tretë të Shkollës së Magjistraturës të mirëpriten në sistem dhe t’u krijohet mundësia për të ndihmuar në administrimin e çështjeve, përpilimin e akteve dhe dhënies së opinioneve për zgjidhjen e tyre.
C. Inspektori i Lartë i Drejtësisë
c.1. ILD në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, kujdeset që inspektorët jo magjistratë të ndjekin një kurs trajnimi të specializuar dhe të përbashkët me magjistratët që punojnë, ose që janë komanduar si inspektorë pranë zyrës së Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
D. Ministria e Drejtësisë
e.1. Ndryshimet e fundit ligjore të paketës së reformës në drejtësi dhe ligjeve kryesore procedurale kanë filluar dhe do të vijojnë të prodhojnë efektet e tyre pozitive drejt funksionimit normal të sistemit të drejtësisë.
e.2. Ministria e Drejtësisë do të përfundojë hartën gjyqësore që shihet si një produkt i rëndësishëm për lehtësimin e sistemit në tërësi, si dhe do të vijojë përpjekjet e saj për gjetjen e hapësirave ligjore ku mund të ketë nevojë për ndryshime të ligjeve procedurale.
e.3. Ajo është e angazhuar të ndjekë me vëmendje propozimet e bëra në këtë forum dhe ushtrojë me përparësi kompetencat e saj për futjen e tyre në procesin legjislativ.
II. Përmirësime të mundshme ligjore
Pjesëmarrësit në këtë forum diskutuan e ranë dakord për një grup çështjesh që duhet të përbëjnë dhe përfundojnë si ndryshime ligjore:
a. Viti i tretë i Programit të Formimit Fillestar në Shkollën e Magjistraturës, i konceptuar si vit praktike profesionale, të kthehet në vit pune si magjistrat. Të emërohen në detyrë menjëherë pas përfundimit të vitit të dytë në Shkollën e Magjistraturës. Këshillat të nxjerrin udhëzime lidhur me natyrën e çështjeve që do të shqyrtojnë;
b. Këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë të kenë mundësinë e zhvillimit të karrierës brenda gjyqësorit. Një eksperiencë pune, të paktën 5-vjeçare si këshilltar apo ndihmës ligjor, vlerësohet e arsyeshme për të krijuar hapësirën e emërimit si magjistrat. Për 2-3 vitet e ardhshme Shkolla e Magjistraturës të dedikohet vetëm në përgatitjen e kandidatëve për magjistratë, ndërsa këshilltarët dhe ndihmësit të përzgjidhen mbështetur në kritere të caktuara nga KLP-ja dhe KLGJ-ja për analogji të zgjidhjes praktike që lidhej me trajnimin fillestar të avokatëve të shtetit.
c. Procesi i vlerësimit të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistrat në përfundim të studimeve në Shkollën e Magjistraturës mund të hiqet. Ligji të parashikojë vetëm një kontroll për kandidatët për magjistratë, atë në hyrje, përpara marrjes së statusit të kandidatit për magjistrat për të mos shkaktuar vonesa në emërimin e tyre final.
d. Ligji duhet të parashikojë qartësisht figurën e ndihmësit ligjor në gjykatën e shkallës së parë.
e. Ligji duhet të parashikojë mekanizma nxitës dhe monitorues shtesë në funksion të mentorimit (praktikës profesionale të kandidatëve për magjistratë), në mënyrë që vlerësimi që bëhet nga mentorët të jetë i bazuar në meritë dhe në uniformitet e harmonizim me mënyrat dhe standardet e vlerësimit të përdorur nga Shkolla e Magjistraturës për vlerësimin e dy viteve të para të Programit të Formimit Fillestar.
Forumi ka rënë dakord me unanimitet të mblidhet në mënyrë periodike për të unifikuar vendimmarrjet. Forumi është i bindur në angazhimin e organeve legjislative apo të qeverisjes kombëtare për trajtimin me përgjegjësi dhe seriozitetin e merituar të çështjeve të ngritura.
Z. Arben Rakipi – Drejtor i Shkollës së Magjistraturës
Tiranë më 13.09.2021
