SHKOLLA E MAGJISTRATURËS

 NJOFTIM PËR SHPALLJEN E VENDEVE VAKANTE PËR KANDIDATË PËR MAGJISTRATË

Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:

Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, fillojnë regjistrimet për provimin e pranimit për kandidatë për magjistratë për vitin akademik 2021-2022.

Numri i vendeve vakante për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2021-2022, do të jetë 60 kandidatë për magjistratë, nga të cilët 35 profili gjyqtarë dhe 25 profili prokurorë.

Regjistrimi i kandidatëve për magjistratë do të bëhet në sekretarinë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 shkurt - 28 shkurt 2021, nga ora 9.00 – 14.00 (Godina e re, “Poli i Drejtësisë”, rruga “Ana Komnena”, Tiranë).

Kandidati për magjistrat që do të regjistrohet për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë këto kushte:

  1. të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  2. të jetë shtetas shqiptar;
  3. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë”, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplomë universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4-vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;
  4. të ketë notë mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë), si dhe notë mesatare mbi 8 (tetë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: e drejta civile dhe e detyrimeve, e drejta penale, (pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme), procedura civile, procedura penale, e drejta administrative dhe e drejta kushtetuese. Për të diplomuarit “Jurist”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.
  5. të ketë kryer, me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, studimet universitare për drejtësi në një vend anëtar të Bashkimit Europian dhe të ketë marrë një diplomë të barasvlershme me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë”, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj:
  6. të ketë të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë si jurist, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare; Sqarim: Në pozicionet e punës ku nuk është i përcaktuar qartë emërtimi "Jurist", atëherë i referohemi përshkrimeve të punës përkatëse.
  7. të mos jetë dënuar me vendim penal të formës së prerë;
  8. të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
  9. të mos jetë anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
  10. të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
  11. të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.

Kandidati, për regjistrim, duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:

1.     Në dosjen personale për regjistrim, studenti duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të noterizuara të tyre:

a)     kërkesën personale, ku të parashtrojë shkaqet e motivimit për të ndjekur Programin e Formimit Fillestar, kërkesën për profilin e zgjedhur si gjyqtar, prokuror. Kërkesa plotësohet në formularin unik që shpërndahet nga Shkolla e Magjistraturës (Aneksi 1). Në rast se aplikanti ka zgjedhur më shumë se një profil si magjistrat, atëherë dosja me dokumentacionin e aplikimit do të përcillet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ose në Këshillin e Lartë të Prokurorisë;

b)     deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet, e përmbushur sipas një formulari të parashikuar në Aneksin 1 të kësaj Rregulloreje;

c)     diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur;

d)     dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht, mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për njërën prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri;

e)     jetëshkrimin;

f)      kartën e identitetit;

g)     vetëdeklarimin për gjendjen gjyqësore;

h)     raportin mjeko-ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si magjistrat apo profesionist në sistemin e drejtësisë;

i)      dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tri vitet e fundit;

j)      vërtetim nga punëdhënësi i fundit që nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi;

k)     deklaratën që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;

l)      deklaratën që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;

m)   librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë, vërtetime të lëshuara nga organet e sigurimeve shoqërore që tregojnë kontributet e derdhura për shkak të punësimit në vite ose, kur është rasti detyrimet tatimore të derdhura në vite për shkak të zhvillimit të profesioneve të lira juridike.

2. Një fotografi;

3. Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 10.000 lekë.

Konkurrenti, i cili do të aplikojë për kandidat për magjistrat në të dy profilet, gjyqtar dhe prokuror, duhet të paraqesë dokumentet e mësipërme, ose kopje të tyre të noterizuara në 3 (tri) kopje, një kopje e noterizuar dhe dy fotokopje. Brenda datës 15 mars, Shkolla e Magjistraturës, nëpërmjet një komisioni të ngritur për verifikimin e dokumentacionit të mësipërm, kryen një vlerësim paraprak, nëse kandidati i përmbush kriteret e kandidimit. Shkolla ka të drejtën e verifikimit kryesisht të vërtetësisë së dokumentacionit që paraqitet nga kandidatët dhe ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë.

Dokumentacioni me kërkesat e plotësuara nga ana juaj do të depozitohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin e gjyqtarit dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin për prokuror.

Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.

Data e zhvillimit të provimit të pranimit do të shpallet në një moment të dytë, në varësi të rregullave që diktohen nga situata e pandemisë COVID-19.

Konkurrentët fitues për kandidatë për magjistratë të Testit Profesional, që kanë arritur 60% të pikëve totale, të renditur në 60 vendet e para, duhet të kalojnë në një testim të lidhur me shëndetin mendor dhe psikologjik.

Ky testim do të realizohet në mjediset e Shkollës së Magjistraturës përgjatë disa ditëve, të cilat do t’u bëhen me dije kandidatëve fitues pas shpalljes së rezultateve të fazës së dytë.

Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.

Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është publikuar në faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, psikologji dhe komunikim, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), histori, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.

Për më shumë informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.al ose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës në adresën e e-mail-it info@magjistratura.edu.al

Ju urojmë suksese!

TABELAT ME ÇERTIFIKIMET E GJUHËVE TË HUAJ

Nr.GJUHA ANGLEZE
1IELTS
2TOEFL Internetbased Test (iBT)
3TOEFL Paperbased Test (ITP)
4TOEIC
5GESE
6APTIS
7Cambridge

 

Nr.GJUHA FRANCEZE
1TFI
2DELF
3TCF
4TEF

 

Nr.GJUHA ITALIANE
1Peruggia
2Sienna
3PLIDA

 

Nr.GJUHA GJERMANE
1Goethe-Institut, Goethe Zentrum
2TestDaF
3OSD

 

Nr.GJUHA SPANJOLLE
1DELE

← Kthehu te lista