
Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:
Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, fillojnë regjistrimet për provimin e pranimit për kandidatë për magjistratë për vitin akademik 2022-2023.
Numri i vendeve vakante për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2022-2023, do të jetë 80 kandidatë për magjistratë, nga të cilët 45 profili gjyqtarë dhe 35 profili prokurorë.
Regjistrimi i kandidatëve për magjistratë do të bëhet në sekretarinë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 shkurt - 28 shkurt 2022, nga ora 9.00 – 14.00 (Godina e re, “Poli i Drejtësisë”, rruga “Ana Komnena”, Tiranë).
Do ju luteshim të mbani në vëmendjen tuaj, shfrytëzimin e ditëve të para të rregjistrimit për të mos shkaktuar mbingarkesë ditët e fundit të shkurtit dhe përfundimit të rregjistrimeve.
Kandidati për magjistrat që do të regjistrohet për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë këto kushte:
- ka zotësi të plotë për të vepruar;
- është shtetas shqiptar;
- ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”. Diplomimi i tyre duhet të mbështetet në përfundimin e një programi sipas sistemit të Bolonjës 5-vjeçar, ose të jetë diplomuar si “Jurist” me një diplome universitare të fituar para përshtatjes së studimeve sipas sistemit të Bolonjës në një program 4-vjeçar, e cila është ekuivalente me një Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë, (DIND)”;
- ka notë mesatare të përgjithshme mbi 8 (tetë), si dhe notë mesatare mbi 8 (tetë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: E drejta civile dhe e detyrimeve, E drejta penale, (Pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme), Procedura civile, Procedura penale, E drejta administrative dhe e drejta kushtetuese. Për të diplomuarit “Juristë”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike;
d/1) Nota mesatare e përgjithshme del nga shumatorja e notave të të gjitha lëndëve të zhvilluara në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve e pjesëtuar me numrin total të tyre. Për grupin e lëndëve kryesore mesatarja del nga shumatorja e grupit të lëndëve kryesore e pjesëtuar me numrin total të tyre.
- Ka kryer me pikët minimale të përcaktuara nga Shkolla e Magjistraturës, studimet universitare për drejtësi jashtë Shqipërisë dhe ka marrë një diplomë të barasvlershme me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, e njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave të parashikuar me ligj;
- ka të paktën tre vjet përvojë profesionale aktive me kohë të plotë si jurist, pas diplomimit në ciklin e plotë të studimeve universitare, në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose organizatat ndërkombëtare;
g nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose prokurorit dhe dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal.;
- nuk është larguar nga detyra ose nuk i është hequr licensa, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore, pavarësisht nëse masa disiplinore konsiderohet e shuar, si dhe nuk ka masë disiplinore në fuqi.
- nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
- nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
- nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve sekrete.
- Kandidatët për pozicionet në Avokaturën e Shtetit i nënshtrohen të njëjtave rregulla për regjistrim dhe për konkurrim si kandidatët për magjistratë.
Kandidati, për regjistrim, duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:
- Në dosjen personale për regjistrim, studenti duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të noterizuara të tyre:
- kërkesën personale, ku të parashtrojë shkaqet e motivimit për të ndjekur Programin e Formimit Fillestar, kërkesën për profilin e zgjedhur si gjyqtar, prokuror. Kërkesa plotësohet në formularin unik që shpërndahet nga Shkolla e Magjistraturës (Aneksi 1). Në rast se aplikanti ka zgjedhur më shumë se një profil si magjistrat, atëherë dosja me dokumentacionin e aplikimit do të përcillet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ose në Këshillin e Lartë të Prokurorisë;
- deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet, e përmbushur sipas një formulari të parashikuar në Aneksin 1 të kësaj Rregulloreje;
- diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur;
- Dëshmi/certifikatë të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve zyrtare të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht dhe spanjisht, mbi bazën e testeve ndërkombëtare, të njohura nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nëse individi ka fituar një diplomë universitare të një programi studimi për drejtësi, të kryer në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në programin mësimor të studimeve është vlerësuar edhe për njërën prej këtyre pesë gjuhëve të huaja, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri;
- jetëshkrimin;
- kartën e identitetit;
- vërtetim i gjendjes gjyqësore;
h) raportin mjeko-ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si magjistrat apo profesionist në sistemin e drejtësisë;
i) dëshmi, vërtetime dhe rekomandime nga persona dhe institucione ku kanë punuar tri vitet e fundit;
j) Vërtetim nga punëdhënësi i fundit dhe/ose organet disiplinore që nuk është larguar nga detyra ose i është hequr licensa, autorizimi ose leja për ushtrimin e një profesioni për shkaqe disiplinore;
k) deklaratë që vërteton se nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
l) deklaratë që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990; si dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
m) librezën e punës që të vërtetojë periudhën e vjetërsisë në punë, vërtetime të lëshuara nga organet e sigurimeve shoqërore që tregojnë kontributet e derdhura për shkak të punësimit në vite ose, kur është rasti detyrimet tatimore të derdhura në vite për shkak të zhvillimit të profesioneve të lira juridike.
2. Një fotografi;
3. Mandat pagese për regjistrimin në vlerën 10.000 lekë.
Konkurrenti, i cili do të aplikojë për kandidat për magjistrat në të dy profilet, gjyqtar dhe prokuror, duhet të paraqesë dokumentet e mësipërme, në 1 (një) kopje të noterizuar dhe 2 (dy) fotokopje.
Brenda datës 15 mars, Shkolla e Magjistraturës, nëpërmjet një komisioni të ngritur për verifikimin e dokumentacionit të mësipërm, kryen një vlerësim paraprak, nëse kandidati i përmbush kriteret e kandidimit. Shkolla ka të drejtën e verifikimit kryesisht të vërtetësisë së dokumentacionit që paraqitet nga kandidatët dhe ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë.
Dokumentacioni me kërkesat e plotësuara nga ana juaj do të depozitohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin e gjyqtarit dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për aplikantët që kanë përzgjedhur profilin për prokuror.
Provimi i pranimit do të organizohet me shkrim në dy faza.
Konkurrentët, në të gjitha fazat e organizimit të provimit të pranimit, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit.
Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është i publikuarnë faqen e internetit të Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, psikologji dhe komunikim, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), histori, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.
Për më shumë informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.alose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës në adresën e e-mail-it info@magjistratura.edu.al
Ju urojmë suksese!
TABELAT ME ÇERTIFIKIMET E GJUHËVE TË HUAJA
| Nr. | GJUHA ANGLEZE |
| 1 | IELTS |
| 2 | TOEFL Internetbased Test (iBT) |
| 3 | TOEFL Paperbased Test (ITP) |
| 4 | TOEIC |
| 5 | GESE |
| 6 | APTIS |
| 7 | Cambridge |
| Nr. | GJUHA FRANCEZE |
| 1 | TFI |
| 2 | DELF |
| 3 | TCF |
| 4 | TEF |
| Nr. | GJUHA ITALIANE |
| 1 | Peruggia |
| 2 | Sienna |
| 3 | PLIDA |
| Nr. | GJUHA GJERMANE |
| 1 | Goethe-Institut, Goethe Zentrum |
| 2 | TestDaF |
| 3 | OSD |
| Nr. | GJUHA SPANJOLLE |
| 1 | DELE |
