
Njoftohen të gjithë të interesuarit, që dëshirojnë të konkurrojnë në Shkollën e Magjistraturës, se:
Në zbatim të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 98/2016, “Për organet e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Rregullores së Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, do të fillojnë regjistrimet për provimin e pranimit për vitin akademik 2023-2024 për ndihmës ligjorë.
Numri i vendeve vakante për pranimin në Programin e Formimit Fillestar për vitin akademik 2023-2024, do të jetë 15 kandidatë për ndihmës ligjorë.
Regjistrimi i kandidatëve për ndihmës ligjorë do të bëhet në sekretarinë shkencore të Programit të Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës në periudhën 1 shkurt - 28 shkurt 2023, nga ora 9.00 – 14.00 (Godina e re, “Poli i Drejtësisë”, rruga “Ana Komnena”, Tiranë).
Do t’ju luteshim të mbani në vëmendjen tuaj, shfrytëzimin e ditëve të para të regjistrimit për të mos shkaktuar mbingarkesë ditët e fundit të shkurtit dhe përfundimit të regjistrimeve.
Kandidati për ndihmës ligjor që regjistrohet në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës duhet të plotësojë këto kritere të përgjithshme:
1. të jetë shtetas shqiptar;
2. të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
3. të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;
4. të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
5. të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
6. të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
7. të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
8. të mos ketë qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete;
9. të mos jetë anëtar i partive politike në kohën e kandidimit.
10. të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë, referuar nenit 124 të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë”;
11. të ketë notë mesatare të përgjithshme mbi 7 (shtatë), si dhe notë mesatare mbi 7 (shtatë) për grupin e lëndëve kryesore, ku përfshihen: E drejta civile dhe e detyrimeve, E drejta penale, (Pjesa e përgjithshme dhe pjesa e posaçme), Procedura civile, Procedura penale, E drejta administrative dhe E drejta kushtetuese. Për të diplomuarit “Juristë”, në programe në gjuhë të huaj, parashikohet një koeficient vështirësie i barabartë me 1.2, i cili do të ponterojë mesataren e tyre faktike.
Kriteret e veçanta për ndihmës ligjor:
- të ketë përvojë profesionale jo më pak se tre vjet si nëpunës në sistemin gjyqësor ose të prokurorisë, në administratën publike, profesionet e lira ligjore, mësimdhënie në fakultetet e drejtësisë, ose në çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me to, në sektorin privat ose në organizatat ndërkombëtare.
Në dosjen personale për regjistrim, kandidati për ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentet e mëposhtme, ose kopje të tyre të noterizuara:
- kërkesën personale, ku të parashtrojë shkaqet e motivimit për të ndjekur Programin e Formimit Fillestar për këshilltar ose ndihmës ligjor, shoqëruar me fotokopjen e kartës së identitetit;
- jetëshkrimin;
- deklaratën ku të garantojë vërtetësinë e dokumentacionit që paraqet;
- diplomat universitare dhe pasuniversitare për studimet që ka ndjekur, si dhe vërtetimin e notave;
- vërtetimin për gjendjen gjyqësore;
- raportin mjeko-ligjor për aftësimin e tij të përgjithshëm dhe të specializuar në kuadër të kryerjes së detyrës si këshilltar apo ndihmës ligjorë në sistemin e drejtësisë;
- dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t dhe nga organet e sigurimeve shoqërore, që vërteton përvojën/përvojat e punës;
- dëshmi, vërtetime nga punëdhënësi/t, që vërtetojnë se nuk është larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe nga punëdhënësi i fundit, që vërteton se nuk ka masë disiplinore në fuqi;
- deklaratën që nuk është anëtar i partive politike në kohën e kandidimit;
- deklaratën që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990;
- deklaratën që nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete.
Konkurrenti, i cili do të aplikojë për kandidat për ndihmës ligjor duhet të paraqesë dokumentet e mësipërme:
- 1 (një) kopje të noterizuar (ndihmës ligjor) dhe 1 (një) fotokopje.
Kandidatët për ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret, paguajnë tarifën e regjistrimit në vlerën 12.000 lekë.
Ju bëjmë me dije se pagesa e regjistrimit është e pakthyeshme, në rast se nuk regjistroheni për arsye të mosplotësimit të kushteve të mësipërme.
Brenda datës 1 mars 2023, Shkolla e Magjistraturës do të depozitojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dokumentacionin me kërkesat e plotësuara nga ana juaj.
Programi i provimit të pranimit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) është publikuar në faqen e Shkollës www.magjistratura.edu.al. Programi i provimit i përgjigjet të dyja fazave të provimit: testi i inteligjencës, gjuhë shqipe, psikologji dhe komunikim, legjislacioni i BE-së, marrëdhënie ndërkombëtare, e drejtë e krahasuar (parimet e përgjithshme), histori, etikë profesionale, e drejtë kushtetuese, e drejtë civile dhe e detyrimeve, procedurë civile, e drejtë penale, procedurë penale, e drejtë administrative, e drejtë familjare, e drejtë tregtare, e drejtë e punës.
Për më tepër informacion vizitoni faqen tonë të internetit: www.magjistratura.edu.alose kontaktoni me Shkollën e Magjistraturës në adresën e e-mail-it info@magjistratura.edu.al.
Ju urojmë suksese!
