Lënda: Shprehje interesi për përfshirjen si pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës në Programin e Formimit Fillestar dhe si ekspert/lehtësues në Programin e Formimit Vazhdues

Të nderuar !

Shkolla e Magjistraturës është në fazën e përgatitjes së Programit të ri Mësimor të Formimit Fillestar si edhe në hartimin e kalendarit të aktiviteteve trajnuese pjesë e Programit të Formimit Vazhdues, për vitin akademik 2020 – 2021.

Për të realizuar një proces sa më gjithpërfshirës dhe me qëllim përmirësimin dhe rritjen e shkallës së pjesëmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në procesin mësimdhënës të Formimit Fillestar si edhe në panelin e ekspertë/lehtësues në aktivitetet trajnuese të Formimit Vazhdues, Shkolla e Magjistraturës, ju bën thirrje për të shprehur interesin tuaj për pedagog të jashtëm, specialistë, ekspertë/lehtësues të fushës, për vitin akademik 2020 – 2021.

Kriteret për përzgjedhjen e pedagogëve janë të përcaktuara në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si edhe në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës, si vijon:

a)   I. Eksperiencë mbi 15-vjeçare si juristë dhe

      II. Eksperiencë mësimdhënëse universitare apo në Shkollën e Magjistraturës mbi 10 vjet;

ose

b)   I.    Eksperiencë mbi 10-vjeçare si gjyqtar ose prokuror dhe

      II. Eksperiencë mësimdhënie universitare apo në Shkollën e Magjistraturës mbi 5 vjet;

c)  Përvojë profesionale e specifikuar në fushën/kursin/temën për të cilën do të jenë ekspertë.

Jeni të lutur që, bashkangjitur kërkesës suaj për aplikim, për pedagog të jashtëm në Programin e Formimit Fillestar të paraqisni dokumentacionin e mëposhtëm:

- Jetëshkrimin;

- Planin e një ore mësimore leksion/seminar/sesion interaktiv lidhur me një nga temat e lëndës, së bashku me burimet përkatëse pedagogjike dhe bibliografinë;

- Dëshmi, diploma, rekomandime apo vërtetime për eksperiencën profesionale;

- Dëshmi, diploma, rekomandime apo vërtetime për aftësitë pedagogjike dhe aftësitë në komunikim;

- Rekomandime për integritetin moral dhe reputacionin e mirë;

- Kopje[1] të botimeve, artikujve shkencorë, monografive, teksteve, komentarëve etj.

Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim për trajnerë/ekspertë, si dhe lehtësues në Programin e Formimit Vazhdues është si më poshtë vijon:

- Kërkesë zyrtare në format fizik apo elektronik apo nëpërmjet aplikimit në web;

- Një kopje të jetëshkrimit, duke specifikuar eksperiencën dhe trajnimet e marra, pjesëmarrjen në konferenca apo botime;

- Titullin e temës, çështjes apo nënçështjes për të cilën kërkojnë të japin ekspertizën e tyre;

- Metodologjinë që do të përdorin në trajnim;

- Një përshkrim (të shkurtër) problemor të çështjeve të kursit trajnues apo çështjes që kanë zgjedhur (mini modul).

Kritetet për përzgjedhjen e pedagogëve dhe ekspertëve/lehtësuese, si edhe procedura e përzgjedhjes së tyre është parashikuar në Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës.

Shkolla e Magjistraturës mirëpret shprehjet tuaja të interesit në adresën elektronike info@magjistartura.edu.al

Faleminderit për mbështetjen dhe mirëkuptimin!

← Kthehu te lista